MENU
klinika

Analiza

Anëtarësimi i Ukrainës do të ndryshonte rrënjësisht BE-në!

20.06.2022 - 15:48

A ka mbërritur më në fund ‘momenti i Ukrainës’ i BE-së? Javën e kaluar, Komisioni Evropian mbështeti kërkesën e Kievit për statusin e kandidatit, me anëtarësimin e plotë të kushtëzuar nga reformat në shtetin e së drejtës, ndër të tjera.

Megjithatë, mos kini iluzione, procesi jo vetëm që kërkon vite (thjesht mendoni Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë), por çdo rekomandim duhet të nënshkruhet nga të gjitha vendet anëtare.

Në fakt ky kusht i unanimitet duket më i mundshëm pasi “Treshja e Mëdhenj” e Evropës Perëndimore (Franca, Gjermania dhe Italia) iu bashkuan vendeve anëtare të Evropës Qendrore dhe Lindore në mbështetjen e idesë së Kievit për anëtarësim.

Por, BE-ja tashmë është e ndarë midis një perëndimi gjithnjë e më progresiv, të larmishëm dhe laik, dhe një lindjeje tradicionaliste, homogjene dhe fetare.

Sapo Ukraina të bashkohej me BE-në, do të ishte njësoj si Hungaria dhe Polonia.

Ndërkohë, të kesh shtete si Ukraina në BE jo vetëm që do të nënkuptonte një tjetër dhimbje koke konservatore-nacionaliste për Brukselin, por mund të bënte që balanca e pushtetit të zhvendoset në lindje.

Plus, nëse statusi i kandidatit për në BE supozohet të jetë një goditje për Moskën, Kremlini ka thënë se nuk ka asnjë problem me anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Presidenti Volodymyr Zelensky mund ta shohë këtë si “një nga vendimet kyçe evropiane të shekullit të 21-të”, por ai ka të ngjarë të ndryshojë mendje shpejt.

Mbështetësit e anëtarësimit të Ukrainës mund të flasin fare mirë për ‘vlerat evropiane’, por perdja e hekurt kulturore që ndan BE-së tregon se nuk ekzistojnë vlera të tilla përtej një angazhimi të paqartë ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe shtypit të lirë – diçka për të cilën Evropa Perëndimore akuzon vazhdimisht vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Mbështetja për anëtarësimin e Ukrainës po bie, aktualisht nën 50 për qind në Treshen e Madhe të BE-së perëndimore.

Kjo mund të lidhet me frikën financiare, si dhe me lodhjen nga lufta.

E gjithë kjo vjen pasi presidenti francez Emmanuel Macron – me ambiciet e tij për një ‘komunitet politik evropian’ që përfshin Ukrainën – humbi keq në zgjedhjet parlamentare franceze mbrëmë.

Kjo jo vetëm tregon se vëmendja e tij do të duhet të kthehet tek çështjet e brendshme, por tregon edhe që mbështetja për vizionin euro-federalist të Presidentit mungon gjithashtu brenda Francës.

Duke qenë se Franca, Gjermania dhe Italia janë akuzuar të gjitha për pavendosmëri lidhur me Ukrainën, kjo vështirë se do t’i japë Kievit besimin që i duhet.

Nëse Ukraina dhe Moldavia vërtet aspirojnë t’i bashkohen familjes evropiane, atëherë ndoshta do të ishte më mirë që shtetet nacionaliste të Evropës Qendrore dhe Lindore – duke ruajtur lidhjet e tyre tregtare me Francën dhe Gjermaninë – të shkëputen dhe të formojnë bllokun e tyre. Shtetet joanëtare të BE-së si Ukraina ka të ngjarë të pranohen gjithashtu në këtë bllok të ri menjëherë.

BE-ja mbetet ende një shtëpi e ndarë dhe Ukraina dhe Moldavia do të gjenden shpejt në periferi të bllokut – si realisht ashtu edhe metaforikisht – së bashku me Hungarinë dhe Poloninë.

Budapesti dhe Varshava duhet ta përdorin këtë moment për të ndërtuar diçka të re në vend që të kapen pas një martese të dështuar e cila duhet të prishet miqësisht.

Nga Jonathan Saxty

Burimi: Express UK

Përktheu dhe përshtati: Konica.al