MENU
klinika

Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari

“Bastet ishin dhe s’dhanë gjë, ligji i sponsorizimit shpëton sportin”

02.06.2022 - 15:26

Basketbolli shqiptar ka përfunduar një sezon me numër rekord kompeticionesh dhe ndeshjesh, duke kurorëzuar edhe kampionët që nga moshat e deri tek ekipet e para.

Më përfundimin e aktiviteteve, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, në një intervistë për “Panorama Sport” ka analizuar edicionin e sportit të koshit në vend.

Ponari vijon betejën e tij për ligjin e sponsorizimit, teksa e konsideron si shpëtimin e vetëm për sportin në Shqipëri, ndryshe nga hapja e basteve sportive, të cilat sipas kreut të FSHB-së kanë qenë edhe më parë dhe nuk kanë dhënë asgjë për sportin.

Ndërkohë, për sa i përket Ligës Unike, Ponari thotë se ky aktivitet është më i rëndësishmi i sportit shqiptar. Drejtuesi më i lartë i basketbollit në vendin tonë flet edhe për rregullin e lojtarëve të huaj, duke shpjeguar se do të mbetet i njëjtë dhe se nuk do të ketë kufizim për numrin.

Z.Ponari, cili është komenti juaj për sezonin që u mbyll vetëm disa ditë më parë?

Me ndeshjen e fundit Vllaznia-Teuta u përmbyllën 7 kampionate kombëtare, 2 Kupa, 2 Superkupa dhe dy Kupa të Federatës së Basketbollit. Sezoni ka qenë interesant. Me shumë nerv dhe plot ngjarje për t’u shënuar. Tani fillon faza përgatitore e 6 kombëtareve të moshave dhe dy kombëtareve të të rriturve.

Çfarë note do t’i vendosnit këtij edicioni?

Organizimit dhe federatës në tërësi notën mesatare, ndërsa aktivitetit notë më të lartë. Ka ende shumë për të bërë.

Për herë të parë u zhvillua edhe Liga Unike me sezon të plotë. Sa ndikim ka sipas jush ky kompeticion për zhvillimin e basketbollit në Shqipëri?

Është adrenalina e kampionatit. Është ajo që kam pritur. Ta ndjekim me kujdes dhe të japim maksimumin për të. Është një ëndërr e bërë realitet që besoj nuk do të shuhet. Liga Unike u krijua pas shumë përpjekjesh, pas shumë luftërash që iu bë dy federatave për të mos u organizuar.

Liga Unike ka bërë të mundur që basketbolli të duhet më shumë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Por përfitues të kësaj lige mjaft interesante janë lojtarët, pasi kanë rritur nivelin dhe cilësinë, janë arbitrat, por edhe trajnerët.

Kemi pasur vazhdimisht pengesa, sepse kjo ligë unike kërkon mbështetjen e dy qeverive përkatëse. Një gjë është e rëndësishme. Kjo është liga më e rëndësishme në sportin kombëtar, përveç medaljeve që ka marrë Kosova në xhudo. Kjo ligë duhet të trajtohet njëlloj në të dyja anët si një federatë më vete. Duhet të mbështetet nga të dyja qeveritë që të ketë jetëgjatësi.

Me gjithë përpjekjet e klubeve tona, shikojmë që diferencat mbeten të dukshme me nivelin e Kosovës. Çfarë duhet bërë sipas jush për ta reduktuar këtë hendek?

Diferenca është e qartë dhe ne atë e shohim te mbështetja financiare që ata kanë. Në Kosovë ka një ligj sponsorizimi, këtu jo. Atje ka salla, akademi të mirëfillta, ndërsa këtu jo. Atje paga mesatare për lojtar është 1500 euro, ndërsa këtu vijojmë ende me kontribute ushqimore. Ka edhe shumë ndryshime të tjera.

Prej vitesh mbeteni një prej zërave kryesorë për sa i përket ligjit të sponsorizimit. A ndiheni të vetëm në këtë betejë, duke qenë se federatat e tjera ndoshta nuk kanë lobuar aq sa duhet? Pamë që kur ishte puna për hapjen e basteve, të gjitha federatat sportive u mblodhën menjëherë, ndërsa për ligjin e sponsorizimit nuk ka ndodhur diçka e tillë. Cili është opinioni juaj për këtë çështje?

Mungesa e një ligji për sponsorizimet, që e kam thënë edhe më përpara dhe vazhdoj ta them, ka krijuar këtë vështirësi, ku lojtarët e Superligës vazhdojnë të paguhen me kontribute ushqimore. Deri në këtë pikë kemi arritur dhe pastaj presim sport elitar.

Të marrim shembull shtetet fqinje, pa shkuar më larg. Buxheti i Shqipërisë për sportin është rreth 900 mijë euro. Mali i Zi, një shtet sa Tirana, e ka buxhetin vetëm për Federatën e Basketbollit mbi 3 milionë euro.

Ndërsa Kosova, shteti më i ri në Europë, ka rreth 10 milionë euro buxhet për sportet. Kosova, gjithashtu, e ka të përcaktuar me ligj sponsorizimin për aktivitetet sportive ku çdo biznes që sponsorizon sportin i njihet tatimi mbi fitimin në masën 30%.

Mendoj që baza është një ligj që rregullon të gjitha palët dhe nxjerr në pah menaxherët e zotë dhe ky është Ligji për Sponsorizimet. Sport cilësor ka atëherë kur ka mbështetje financiare.

Sipas jush në këtë situatë ku ndodhet sporti në vend, cila është më e rëndësishme: hapja e basteve apo miratimi i një ligji efikas për të afruar investitorët dhe bizneset?

Vetëm ligji. Bastet kanë qenë dhe nuk kanë dhënë asgjë për sportin.

Si do ta komentoni projektin e sportit në shkolla?

Të shohim dhe në fund të dalim në konkluzione. T’i lëmë ata që drejtojnë të na thonë nëse e arritën qëllimin për të shkuar atje ku duhej…

Duke marrë shkas edhe nga kërkesat e disa klubeve, rasti më i fundit nga Partizani, a do të ketë kufizim për numrin e lojtarëve të huaj në Shqipëri?

Jo, federata mendon që prania e lojtarëve të huaj të mbetet e lirë, sepse jetojmë në një frymë lirie. Le t’u kushtojmë vëmendje lojtarëve vendës, t’i rrisim ata, t’i ngremë në nivelin e lojtarëve të huaj edhe si cilësi edhe si standard pagese.

Sot kemi 6 ekipe kombëtare moshash që bëjnë të mundur furnizimin e ekipeve me lojtarë vendës, por ata duhen stimuluar me paga të larta me stërvitje dy herë në ditë që të shkojnë në nivelin e lojtarëve të huaj.

Ne duhet të jemi në një nivel me Kosovën, ndoshta dhe më lart për të pasur një basket cilësor. Lojtarët lokal nuk stërviten, trajnerët thonë jemi të papaguar, stafet mungojnë, pra mbetet fuqizimi i ekipeve financiarisht dhe më pas seleksionimi do të bëjë efektin e tij. (Intervistoi: Artin Lleshaj)

Presidenti dhe trajneri kokë më kokë për të ardhmen

Kriza e Realit, Perez lëkundet për Ançelotin!

Kosova me renditjen më të mirë në histori

Renditja e FIFA-s, Shqipëria nuk ndryshon pozicion

Nuk kanë pësuar ende asnjë gol në 5 ndeshje

Interi është “bunkeri” që po mahnit… Europën

"Dua të jem golashënuesi më i mirë"

Jasir Asani nuk fshihet, synon ta mbyllë mbi Ronaldon