MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Berisha si kësulëkuqja!

29.06.2022 - 16:36

Pavarësisht pompës së madhe që po përpiqen t’i japin datës 7 korrik si ditë e demonstrimit të madh anti-Rama, e gjitha është në kuadër të vërtetimit të tezës se tashmë PD është e Berishës.

Ashtu si të gjitha aksionet e mëparshme edhe ky miting është pjesë e operacionit mediatik për të treguar që tashmë PD është e Berishës. I tillë ishte kongresi i dhjetorit, zgjedhjet në PD, gjyqi i Gon Zhukrit, votimet e marsit ku nuk u morr vesh sa ishin vota të PD, sa të LSI dhe sa të PS. I tillë është edhe mitingu i 7 korrikut.

Ky miting përkon edhe me muajin e daljes së Metës nga presidenca.
Por koalicioni, realisht nuk kërkon të tregojë forcën kundër Ramës. Ky i fundit në terma elektoral, nuk i trembet fare opozitës. Në këtë moment një ballafaqim elektoral do ta nxirrte opozitën me këpucë të kuqe dhe këtë e dinë shumë mirë edhe dy krerët e saj.

I vetmi qëllim i këtij mitingu është për t’i nxjerrë frikën vetes dhe mobilizuar militantët. Sikurse kësulëkuqja këndonte nga frika e ujkut në pyll, edhe Berisha&Meta thërrasin mitingun për të parë që nuk janë vetëm. Vetëm se ujku i tyre nuk ka ndërmend t’i hajë. Të paktën jo këtë vit.

Nga viti që vjen, në lokalet e radhës do të shikohet sesa është pesha reale e tyre, pasi secili do të luftojë për votat e tij, sikurse makina elektorale e PS do të ndezë motorët për të bërë një luftë serioze me dy kundërshtarë që i ka dërmuar pesë herë rresht. Ku i dihet! Derisa ka ndodhur që bëhesh nuse dy here, edhe Berisha me Metën kanë shpresë të bëhen nuse për herën e gjashtë.