MENU
klinika

Aksion kundër krizës së çmimeve

Berisha thërret protestë më 7 korrik

23.06.2022 - 09:44

Më 7 korrik, Sali Berisha do të organizojë protestën e parë kombëtare kundër situatës së rritjes së çmimeve.

Gazeta “Panorama” ka mësuar se mesditën e djeshme, lideri historik i PD-së ka mbledhur në selinë blu kryetarët e degëve me të cilët ka diskutuar për situatën. Por gjatë diskutimit, Berisha është përballur me kërkesën në masë të kryetarëve të degëve për të dalë në protestë kundër krizës së çmimeve. Pas këtyre kërkesave, Berisha ka zgjedhur datën 7 korrik si optimale, në mënyrë që degët të përgatiten për të mobilizuar njerëzit të cilët duan të kundërshtojnë rritjen e çmimeve dhe sjelljen e qeverisë përballë faktorëve globalë, që kanë ndikuar krizën e çmimeve.

Ish-Kryeministri më herët ka denoncuar Bordet e Transparencës të ngritur nga qeveria për të caktuar çmimet e produkteve bazë dhe të karburanteve. “Rritje alarmante e çmimeve të ushqimeve dhe transportit. Në prill çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve bazë u rriten nga 10-22 për qind në Shqipëri!

Bordet apo shushunjat e qeverisë kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në rritjen e çmimeve dhe përgjigjen e saj. Më të ekspozuarat përballë rritjes së çmimeve janë shtresat e varfra, të cilat shpenzojnë më shumë se 50% të buxhetit të tyre në këto produkte dhe shërbime. Qeveria në vend që të indeksojë dhe kompensojë çdo qindarkë për rritjen e çmimeve, ka vendosur bordet si mburojë të vetes dhe oligarkëve, të cilat, të blera nga oligarkët, vetëm përligjin rritjen e papërmbajtur të çmimeve”, është shprehur Berisha për bordet.