MENU
klinika

Arbëreshi nga Argjentina

Braktisi shkencën për shkak të “neutralitetit moral”

24.06.2022 - 16:28

        Nëna, Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Ata kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sábato. Ditën që lindi, vëllai më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto, diç që, në mendjen e tij, në sytë e prindërve e bënte të ndihej si një zëvendësues.

Shkencëtari, shkrimtari dhe eseisti i njohur argjentinas, Ernesto Sabato i konsideruar në njëfarë mënyre, si Dostojevski i romanit bashkohor në gjuhën spanjolle, lindi më 24 qershor 1911, në Rojas, një qytet i vogël në provincën e Buenos Aires./Konica.al

Ernesto Sabato bën pjesë tek ajo gjeneratë intelektualësh ndërkombëtarë që kanë kaluar nëpër tragjeditë dhe utopitë e shekullit të kaluar. Doktor në fizikë, i specializuar në industrinë bërthamore, më saktë në laboratorin prestigjoz të Mari Kyri, ai braktisi shkencën, “neutraliteti moral” i së cilës e trondiste, për të gjetur kësisoj në letërsi mjetet verbale të shprehjes së vuajtjeve të njerëzve.

Ernesto Sabato ishte vetëm 13-vjeç kur hyri në liceun “La Plata”, ku nuk vonoi të lidhë miqësi me shokë të familjeve anarkiste. Me njëlloj mburrjeje, atij i pëlqente të kujtonte demonstratat në favor të Sakos dhe Vanzetit, të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara në vitin 1927, pavarësisht mobilizimit ndërkombëtar, në të cilat ai kishte marrë pjesë, për më tepër tashmë kishte probleme me autoritetet.

I magjepsur nga romantizmi, nga Novalis tek Shatobrian, nga Kleisti tek Nervali, për të cilën ruante në brendësi të shpirtit absoluten, ndjenjën e infinitit, do të arrinte drejt matematikës: “kjo botë e objekteve të përjetshme dhe të pakorruptueshme”. Për Ernesto Sabaton, matematika dhe fizika rrjedhin nga ndjenja jonë estetike; ai i vendoste këto kuptime të shpirtit mes krijimeve supreme, të krahasueshme vetëm me muzikën

Iu kushtua me mish e me shpirt fizikës, sapo vuri këmbë në fakultet, rreth vitit 1930. Në të njëjtën kohë, aderoi në Partinë Komuniste, e cila, pak vite më vonë, e dërgoi në një mision në Bruksel për të marrë pjesë në Kongresin kundër luftës dhe fashizmit që kryesoi Henri Barbys.

Kishte planifikuar të shkonte në Moskë, por në platformën e stacionit ai mori trenin që shkonte drejt Parisit. Ishin pikërisht proceset e para staliniste, krimet e urdhëruara nga “Ati i vogël i popujve” për të vendosur fuqinë e tij ato që i hapën sytë. I dëshpëruar e me besim të thyer zbarkoi në kryeqytetin francez, ku e priste mjerimi i bohemisë studentore. Sapo u kthye në Argjentinë iu akordua bursa e studimit për të punuar së bashku me fizikantët Iren dhe Frederik Zholio-Kyri./Konica.al

“Është e pabesueshme se deri në ç’pikë lakmia, zilia, pretendimi, fodullëku, makuttëria dhe, në përgjithësi, i gjithë ky grup atributesh që përbëjnë gjendjen njerëzore shkëlqejnë në fytyrë, në një qasje, në një vështrim”, – shkruante Ernesto Sabato në librin “Tuneli”.

Në vitin 1979 mori titullin Kavalier i Legjionit të Nderit në Francë, ku romani “Engjëlli i Errësirës” ishte vlerësuar si libri më i mirë i huaj. Në vitin 1984, mori gjithashtu Çmimin “Cervantes” për Letërsinë, vlerësimin më të lartë për letërsi në gjuhën spanjolle

Sabato la botën e shkencës dhe iu drejtua letërsisë, në kohën e surrealistëve parizianë, në vitet tridhjetë, sepse siç shprehet autori: “kërkoja kuptimin e ekzistencës, përndryshe do të isha i vdekur”.

Universi romanesk i Ernesto Sabatos shënohet nga tensioni midis të keqes dhe të mirës, në sfondin nostalgjik të Buenos Aires, në kurbë zbritjeje të kufijve të ferrit, që e shtyn lexuesin në një varavingo pasionante midis apologjive dhe kundërshtimeve. “Nisemi drejt viseve të largëta, kërkojmë natyrën, jemi të etur për njohjen e njerëzve, shpikim qenie imagjinare, kërkojmë Zotin. Dhe pastaj e kuptojmë se fantazma që ndjekim nuk është tjetër veçse vetja jonë”, shkruante personi që e cilësonte veten herë si një “anarkist i krishterë”, herë si një “ateist”.

Mjetet shprehëse të tij po ndryshonin, por kurrsesi çështja midis realizmit dhe metafizikës. Në fund të jetës, kohë pasi kishte humbur bashkëshorten, dashurinë e tij të përjetshme, si dhe djalin, ngushëllimin për pesimizmin e gjeti në rrugën e besimit./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Esé nga Flurans Ilia

Nga dita e një shkrimtari

"Farën e Skënderbeut, ti sot trashëgo"

Arbëreshët nga Italia në Argjentinë


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit