MENU
klinika

Analiza e Project Syndicate

Çfarë duhet t’i mësojë Kinës lufta në Ukrainë?

10.06.2022 - 09:00

Teksa lufta e Rusisë kundër Ukrainës hyn në muajin e saj të katërt, fundi mbetet i paqartë. Por një gjë është e qartë: ushtria ruse ka marrë një goditje nga forcat ukrainase që, në fillim të konfliktit, mendohej se nuk krahasoheshin me të.

Për Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës, e cila ka shumë nga mangësitë që po pengojnë efektivitetin e Rusisë në fushën e betejës, kjo duhet të jetë një thirrje zgjimi.

Një mangësi e tillë është korrupsioni. Nga 20 ekonomitë më të mëdha në botë, Rusia renditet më e keqja në këtë fushë.

Ndoshta nuk duhet të ishte e habitshme, pra, që ushtria ruse – e konsideruar prej kohësh një nga më të fortat në botë – është dobësuar kaq shumë. Duke gjykuar nga numri i gjeneralëve të lartë të arrestuar për korrupsion në Kinë në dekadën e fundit, kalbja mund të jetë po aq e rëndë.

Menjëherë pasi Xi Jinping erdhi në pushtet në nëntor 2012, ai nisi një përpjekje kundër korrupsionit që, në fund të vitit 2017, kishte vënë në kurth më shumë se 100 gjeneralë. Dy ish-nënkryetarë të Komisionit Qendror Ushtarak, u arrestuan për marrje ryshfeti në këmbim të gradimeve. Një tjetër anëtar i komisionit vdiq nga vetëvrasja në vitin 2017, ndërkohë që po zhvillohej një hetim për lidhjet e tij me nënkryetarët.

Dikush mund të tundohet të mendojë se fushata e Xi-t spastroi korrupsionin. Por kjo nuk ka gjasa, duke pasur parasysh se kushtet e favorshme – duke përfshirë miqësinë, fshehtësinë dhe mungesën e mbikëqyrjes – vështirë se janë çrrënjosur.

Përtej korrupsionit, ka dobësi të ngjashme strukturore me ushtrinë ruse, të tilla si një fokus obsesiv në harduer, mungesa e trajnimit që simulon kushte reale luftarake, logjistikë e dobët dhe një dështim i vazhdueshëm për të zhvilluar aftësi të përbashkëta operacionale. Ashtu si ushtria ruse, mbështetet në një strukturë komanduese të ngurtë nga lart-poshtë që e bën të vështirë, nëse jo të pamundur, për oficerët dhe ushtarët e nivelit të ulët të marrin iniciativën në mjediset luftarake.

Një tjetër dobësi kryesore e ushtrive ruse dhe kineze është politizimi. Në fakt, e ndikuar shumë nga kultura e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike, është edhe më e politizuar se ushtria e sotme ruse.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ushtria ruse i shpëtoi kontrollit të partisë komuniste dhe shfuqizoi sistemin e komisarëve politikë. Si rezultat, politizimi tashmë është i natyrës personale dhe i ngjan sistemeve tipike të patronazhit, në të cilat individë të pakualifikuar emërohen në poste të larta. Në kohë paqeje, pasojat mund të duken të kufizuara. Por, siç ka mësuar Rusia në Ukrainë, lufta ekspozon shkallën e paaftësisë që lejon patronazhi.

Kjo nuk është e mirë për Kinën.

Ushtria është nën kontrollin e plotë të Partisë Komuniste Kineze dhe misioni i saj kryesor është të mbrojë monopolin politik të partisë. Sistemi i komisarit politik i krijuar nga Leon Trotsky kur themeloi Ushtrinë e Kuqe është ”i gjallë” në Kinë, me emërimin dhe promovimin e oficerëve  jo vetëm nga kualifikimet e tyre profesionale, por edhe nga besnikëria e tyre e perceptuar ndaj partisë. Edhe oficerët verifikohen politikisht përpara se të marrin komisione.

Rezultati është një strukturë konfuze me komanda të dyfishta, e cila mund të pengojë aftësinë e ushtarëve profesionistë  për të luftuar betejat në mënyrë efektive, siç noodhi me Ushtrinë e Kuqe në ditët e para të pushtimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Chinese and Taiwanese national flags are displayed alongside military airplanes in this illustration taken April 9, 2021. REUTERS/Dado Ruvic/Illustration

Një dobësi e fundit kyçe e përbashkët nga ushtria ruse dhe e Kinës është mungesa e përvojës së tyre luftarake.

Gjatë tre dekadave të fundit, ushtria ruse ka zhvilluar vetëm luftëra relativisht të vogla, në Çeçeni, Gjeorgji, Ukrainë dhe Siri. Kjo qartazi nuk e përgatiti atë për të pushtuar të gjithë Ukrainën, siç tregohet nga vendimi i saj i fundit për të ndryshuar fokusin dhe objektivat e saj në rajonin lindor të Donbasit.

Edhe këtu, Kina është më keq.

Ushtria kineze nuk ka bërë një betejë të vërtetë që nga lufta e saj katastrofike kufitare me Vietnamin në 1979.

Nëse Rusia ka performuar kaq dobët në Ukrainë, si mundet Kina-dobësitë e së cilës, përfshirë politizimin dhe mungesën e përvojës luftarake, janë edhe më të theksuara – të presë të fitojë një luftë sot, veçanërisht një konflikt që mund të përfshijë fuqitë e mëdha si Shtetet e Bashkuara?

Hapi i vetëm i mundshëm që Kina mund të ndërmarrë është të rrisë transparencën në mënyrë të konsiderueshme. Nëse do të ishte lejuar më shumë kontroll mediatik në Rusi, kalbja në ushtrinë e saj do të ishte ekspozuar – dhe ndoshta zgjidhur– shumë kohë përpara se të fillonte një luftë që nuk mund ta fitojë, të paktën jo shpejt siç priste Kremlini.

Për Xi, mësimi është se zyrtarët kinezë duhet të hedhin më shumë dritë mbi një nga institucionet më sekrete të vendit, pikërisht sepse ata nuk kanë gjasa të jenë të kënaqur me atë që do të zbulojnë.

Minxin Pei, profesor i qeverisjes në Kolegjin Claremont McKenna, është një anëtar i fondit gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara.

Burimi: Project Syndicate

Përktheu dhe përshtati: Konica.al