MENU
klinika

Histori e çmendur

“Do të më pikturosh si engjëll, apo bulldog?”… dhe Çërçilli i vuri flakën!

17.06.2022 - 18:14

       A e dini historinë e vjedhjes së portretit të Uinston Çërçillit (1874-1965), të treguar në serinë “The Crowun”? E pikturuar me rastin e 80-vjetorit të tij nga artisti Graham Sutherland (1903-1980), piktura, që kryeministri britanik e urreu, do të përfundonte e djegur nga e shoqja gjatë një operacioni komando…/Konica.al

I gërmuqur në një kolltuk të kadifenjtë, çehrja e vrerët e kryeministrit duket se lëshon tallaze, e rrethuar nga tymnaja e puros së tij besnike. Sytë e mprehtë si shqiponjë nën vetullat e vrenjtura, plaku mat që poshtë bashkëbiseduesin. “Do të më pikturosh si engjëll, apo bulldog?” – murmurit me dyshim. Historia është kaq e pëlqyeshme, sa regjisorët e “The Crown”, nuk mundën t’i rezistonin (duke e ripërpunuar pak) për ta treguar në vitin 2016, në episodin e 9-të të sezonit të parë, i cili fitoi çmimin “Emmy”, për aktorin e shkëlqyer John Lithgow, në rolin e legjendarit Uinston Çërçillit.

Ishte gruaja e një kundërshtari të Çërçillit, që e sugjeroi Graham Sutherland… rastësi, apo pabesi?

Çështja filloi në vitin 1954. Teksa burrështetasi ishte në prag të festimit të 80-vjetorit, anëtarët e Parlamentit britanik kontribuuan me 1000 guine për t’i ofruar një portret nga Graham Sutherland. Një figurë e respektuar e artit modern në Britaninë e Madhe, ky i fundit njihet për peizazhet, por edhe për portretet e personaliteteve si shkrimtari Somerset Maugham apo Lordi Beaverbrook, mik i Çërçillit. Rastësi apo pabesi? Ishte gruaja e Aneurin Bevan, një kundërshtar i kamotshëm i kryeministrit, që sugjeroi piktorin, motoja e të cilit ishte t’i përfaqësonte subjektet e tij ashtu siç janë, pa zbukuruar asgjë… duke i bërë disa nga modelet të ndiheshin të fyer nga peneli i tij shumë i ashpër. Irritimi i parë, Çërçilli donte të pikturohej me veshjen e kalorësit të Urdhrit “Jarretière”, por financuesit kërkuan që ai të paraqitej me veshjen e zakonshme parlamentare: xhaketë të zezë, jelek, pantallona me vija dhe papijon me pika – një stil ekscentrik, që kishte çuar në thumbimin e gjeneralit de Dol, të cilit do t’i kundërpërgjigjej me humor fort të pakëndshëm. Në gusht 1954, Sutherland shkoi disa herë në shtëpinë e fshatit të kryeministrit, në Chartwell, për të realizuar disa skica. Çërçilli nuk qëndronte në një vend, ndryshonte vazhdimisht pozicion; piktori rreket t’i rregullojë shprehjen që i ndryshon herë pas here. Për ta fiksuar në gjendjen e thjeshtë, e mundi me dinakëri, të përqendruar në një lojë letrash. /Konica.al/Piktori i bëri përshtypje të mirë Çërçillit, i cili i sugjeroi që ta shoqëronte ndonjë ditë në jug të Francës, për të vizatuar së bashku – sepse politikani e adhuronte vizatimin e peizazheve dhe nuk udhëtonte kurrë pa kutinë e bojërave. Ai është autori i qindra veprave! Me kuadrin përgatitor dhe disa fotografi në xhep, Sutherland u tërhoq në studion e vet për t’i dhënë dorën e fundit pikturës. Tejet i rezervuar, më pas ai shmangu çfarëdolloj diskutimi sa i përket pikturës. Më 20 nëntor, zonja Spencer-Çërçill zbulon kanavacën e madhe katrore dhe ia tregon të shoqit…

Pamja të sjell ndërmend  një buldog zemërak…

Ta cilësoje këtë portret realist aspak lëvdues, do të ishte një eufemizëm! I mbërthyer pas krahëve të karriges në një ambient të zymtë, Çërçilli dyshues, i përkulur lehtë, e shikon spektatorin nga lart. Këndvështrimi, paksa në kontrabas, thekson karakterin e rëndë dhe frikësues të fytyrës, që duket e pakënaqur, madje kërcënuese. Pamja ngjason me një buldog të nxehur. Një kafshë që shoqërohet shpesh me të, nga thirrja e famshme për armët, gjatë së cilës ai e krahasoi marinën angleze me këtë qen luftarak të fuqishëm, që më pas u shumëfishua në postera patriotikë… madje duke krijuar figurina me kokën e Çërçillit të ngulitur në trupin e bishës!

Përveç kësaj, politikani shprehej se e ndante jetën “me një qen të madh të zi”, metaforë e depresionit të tij… Sepse personaliteti i tij ishte sa kompleks, aq edhe i potershëm. Brilant, besnik, guximtar dhe këmbëngulës, tmerrësisht zbavitës, i pëlqente të luante me fëmijët, nipërit e mbesat dhe i mik i kafshëve, Çërçilli ishte gjithashtu një konsumues alkooli, herë i qeshur dhe shpirtmirë, herë arrogant dhe zemërak, herë melankolik dhe sentimental, herë i sertë, cinik, tekanjoz dhe autoritar. Me një përgjigje të rreptë në majë të gjuhës, ai kalon nëpër faza dëshpërimi dhe gjendje ankthi të shoqëruara nga mendime vetëvrasëse…

Sa i përket të shoqes, portreti i ngjason në mënyrë “shqetësuese”. Djali, Randolph, ndjen kaq keqardhje sa duket “i thartuar”. Mirëpo, i interesuari është më i pakënaquri me pikturën. Kur e pa, u tërbua, duke e quajtur pikturën “të neveritshme” dhe “të qëllimshme”. Dukem si një pijanec galiç në hendek! – ulëriti, madje shtoi se Sutherlandi duket se e ka kapur në fron duke kryer nevojat! Në një shënim dërguar piktorit, ai pohon se piktura “edhe pse e realizuar shumë mirë, nuk është e përshtatshme”. Mirëpo, parlamentari Charles Doughty e bindi të  mbante ceremoninë e prezantimit të veprës, për të mos fyer financuesit e saj. Çërcilli arrin ta gëlltisë zemërimin në parlament, por piktura që do të varej në Parlament, u la menjëherë në sirtar. Më 30 nëntor, në ditën e ditëlindjes së Çërçillit, piktura u zbulua në ndërtesën më të vjetër të Pallatit Westminsterit, në Westminster Hall. Diplomati, mbreti i festës, me ironi shprehet se është “i nderuar”, duke e përshkruar pikturën si një “shembull të jashtëzakonshëm të artit modern”, duke kombinuar “forcën” dhe “zemërdëlirësinë”. Por objekti, që do të varej në Parlament, u vendos menjëherë në raftin e shtëpisë e tij, në Chartwell…

Tabloja, nuk do të shfaqej kurrë më. Në vitin 1978, pak pas vdekjes së gruas së tij, u përhap thashethemi (duke e skandalizuar Sutherlandin, me aktin vandal), se Klementina e përkushtuar, vetëm pak muaj pas ceremonisë së përvjetorit, e kishte asgjësuar pikturën për të qetësuar tërbimin e të shoqit. E fshehur fillimisht në papafingo, piktura do të vidhej në mes të natës, me bashkëfajësinë e një sekretari, për t’u copëtuar e më pas, për t’u djegur! Një skenë e dramatizuar në “The Crown”, që tregon zonjën duke vështruar pikturën e përpirë nga flakët.

Nga piktura kanë mbetur vetëm disa skica përgatitore, në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër. Veçse porosia prestigjioze i shërbeu më tepër karrierës së Sutherlandit. Në vitin 1962, ai mori famë duke dekoruar Katedralen e Konventrit, me të çuditshmen “Krishti në madhështi”, e cila mbetet tapiceria më e madhe në botë, e endur vetëm nga një mbajtëse. Dhe këtë herë, e përjashtuar nga çdo tentativë vandalizmi!/Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN