MENU
klinika

"Nuk po shkojmë në Ohër për…"

Dritan Abazoviç mohon se Mali i Zi po i bashkohet “Ballkanit të Hapur”

08.06.2022 - 10:47

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, mohoi se shteti i tij po i bashkohet nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”.

Abazoviç po merr pjesë për herë të parë në takimet e kësaj nisme, që po mbahen në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, prania e tij në këto takime është thënë se është në cilësinë e vëzhguesit.

“Nuk po shkojmë në Ohër për t’iu bashkëngjitur ‘Ballkanit të Hapur’, por për të shprehur, së bashku me partnerët e BE-së dhe aleatët e NATO-s, qëndrimin ndaj një nisme rajonale, në mënyrë që në fund të fundit të kemi më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim të mirë”, tha Abazoviç përmes një postimi në kanalin e tij në rrjetin social, Telegram.

Ky reagim i Abazoviçit u bë pasi më 7 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas një takimi joformal në Ohër, deklaroi se pjesëmarrja e Abazoviçit në takimet në Ohër, “fut zyrtarisht Malin e Zi në ‘Ballkanin e Hapur’”.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Megjithatë, në Ohër po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, të prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.

Megjithatë Abazoviç, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”/ REL.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk pritëm pushtimin në Ukrainë ta mësonim, por..."

Rama flet për raportin mes Serbisë dhe Rusisë, përmend e Kosovën