MENU
klinika

Analiza

Evropa nuk duhet të lejojë që ky moment t’i ikë…

13.06.2022 - 08:30

Presidenti Volodymyr Zelenskyy mund të ketë lënë mënjanë synimin e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n, por jo ambicien e saj për t’u bashkuar me BE-në.

Më parë këtë vit, së bashku me Moldavinë dhe Gjeorgjinë, vendi ndërmori hapat e parë drejt aplikimit për anëtarësim në BE.

Me gjashtë vende në Ballkan plus tre në Evropën Lindore që dëshirojnë t’i bashkohen – pa llogaritur Turqinë – BE-ja është aq e kërkuar aq edhe ngurron të përgjigjet siç duhet.

Brukseli rrezikon të jetë i mallkuar nëse nuk u përgjigjet këtyre kërkesave, dhe i mallkuar nëse i përgjigjet.

Në samitin e ardhshëm të BE-së, liderët pritet të reagojnë ndaj kërkesave të reja dhe në të njëjtën kohë të vendosin nëse kandidatët e vjetër Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund të fillojnë realisht negociatat.

Mosrealizimi i momentit historik do të ishte puthja e vdekjes për atë që liderët evropianë e kanë paralajmëruar si një zgjim gjeopolitik. Lënia jashtë vendeve më të cenueshme ndaj kërcënimeve nga Rusia e Vladimir Putinit do ta bënte të kotë qëllimin e këtij ndryshimi strategjik.

Por nëse BE-ja ofron perspektivën e pranimit për tre vende të tjera, ajo nuk duhet të lejojë që angazhimi i saj të zvogëlohet gjatë rrugës, siç ka bërë në Ballkanin Perëndimor.

Ndikimi përçarës i Rusisë në Ballkan ka pasur një ndikim shumë më të madh sesa investimi i saj material në rajon, dhe Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina janë tashmë pjesërisht të pushtuara nga trupat ruse.

Nga ana tjetër, nëse Brukseli do të privilegjonte Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë mbi Ballkanin, do të dërgonte një sinjal se është konflikti që tërheq vëmendjen e Evropës dhe jo reforma politike dhe ekonomike.

Procesi i zgjerimit, dikur i shpallur si arritja më e madhe e Evropës, ka ngecur prej vitesh.

Sfidat janë të frikshme: Ballkani Perëndimor vuan mosmarrëveshje të jashtëzakonshme të pazgjidhura të trashëguara nga shpërbërja e Jugosllavisë, ashtu si edhe shtetet pasardhëse të Bashkimit Sovjetik në Evropën Lindore të pushtuara nga Rusia.

Reforma politike dhe ekonomike ka mbetur rob i elitave të korruptuara.

Udhëheqësit evropianë vënë në dukje qeverishmërinë e një BE-je më të gjerë dhe më të larmishme, i frikësohen importit të politikës së konfliktuar dhe të korruptuar të Ballkanit Perëndimor dhe tani të të treve në Evropën Lindore.

Ata gjithashtu ia atribuojnë kthimin demokratik të disa vendeve anëtare të BE-së (veçanërisht Hungarisë dhe Polonisë) pranimit të tyre shumë të shpejtë në vitin 2004.

Nëse Evropa nuk mund të reformojë veten, si mund ta zgjerojë anëtarësimin e saj?

Kjo përgjigje është qartësisht e pamjaftueshme ndaj sfidës. Gjithashtu, këto argumente tingëllojnë boshe në dritën e sjelljes së vetë Evropës. Vuajtjet e Maqedonisë së Veriut janë emblematike.

E njohur si kandidate për anëtarësim në BE në 2005, statusi i saj u ngri për shkak të një mosmarrëveshjeje dypalëshe me Greqinë. Megjithatë, marrëveshja historike e Prespës e arritur nga të dy vendet në vitin 2018 nuk i zhbllokoi gjërat.

Situata në Ballkan filloi të shfaqej si një çështje në fushatat zgjedhore në të gjithë Evropën, e nxitur nga populizmi i brendshëm.

Në nëntor 2020, Bullgaria bllokoi Maqedoninë e Veriut nga përparimi drejt anëtarësimit në BE mes mosmarrëveshjeve mbi historinë, identitetin dhe gjuhën. Edhe Shqipëria është përfshirë në këtë mosmarrëveshje, pavarësisht përpjekjeve të saj të rëndësishme reformuese.

Politika e brendshme e vendeve evropiane shpeshherë e ngarkuar e ka bërë bllokun të humbasë rrugën e tij në politikën e jashtme. Pasoja në vendet fqinje që janë shumë të varura nga BE-ja ka qenë një rreth vicioz korrupsioni, stagnimi dhe kthimi demokratik.

Tani që lufta në Ukrainë i ka dhënë një vrull të ri shtytjes për zgjerim, po qarkullojnë propozime për të përmirësuar mungesën e një procesi të qartë pranimi dhe afati kohor.

Udhëheqësit e BE-së kanë ofruar ide – Presidenti francez Emmanuel Macron parashtroi vizionin e tij për një “komunitet politik evropian” më të gjerë, ndërsa Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, ka parashikuar një “komunitet të ri gjeopolitik evropian”.

Por këto d nuk hyjnë në thelbin e problemit. Asgjë përveç angazhimit të vërtetë me elementët pro-reformës në vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në BE nuk do të arrijë qëllimin e, siç tha Macron, “ndërtimit të arkitekturës së sigurisë që ka nevojë kontinenti evropian”.

Shkrimtari është drejtor i Carnegie Europe

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN