MENU
klinika

Analiza

Franca dhe Gjermania po mbajnë fort “karriget”!

01.06.2022 - 08:30

Sekretari i Jashtëm i Napoleonit, Charles-Maurice de Talleyrand-Périgord një herë tha se “Një diplomat që thotë ‘po’ do të thotë ‘ndoshta’, një diplomat që thotë ‘ndoshta’ do të thotë ‘jo’ dhe një diplomat që thotë ‘jo’ nuk është diplomat. ”

Talleyrand vdiq në 1838, por kalimi i kohës nuk e ka zbehur aspak vërtetësinë e fjalëve të tij.

Nga debatet për një embargo energjetike kundër Rusisë apo perspektivat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Ukrainën, diplomatët evropianë po merren me artin e “ndoshta-s” diplomatike.

Përfaqësues të rangut të lartë të BE-së po vizitojnë rregullisht Kievin dhe i premtojnë Presidentit Volodymyr Zelensky ndihmë të jashtëzakonshme ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Këto premtime do të jenë të vështira për t’u mbajtur pasi të përplasen me realitetin e ftohtë të politikës evropiane dhe interesat kombëtare të vendeve anëtare të BE-së.

Me negociatat mbi një embargo të BE-së, nuk është e qartë se kur mund të jetë fundi i flukseve të mëdha të naftës nga Rusia në Evropë.

Dhe propozimi aktual i BE-së është plot me përjashtime, duke i lejuar Republikën Çeke, Hungarinë dhe Sllovakinë të vazhdojnë importimin e naftës së papërpunuar ruse deri në vitin 2024.

Diçka e ngjashme është duke u zhvilluar me gazin natyror: Komisioni Evropian ka lejuar shtetet evropiane të paguajnë për gazin rus në rubla, siç ka kërkuar Vladimir Putin.

Më e rëndësishmja, fundi i vitit 2022 është shumë larg. Deri atëherë një embargo mund të jetë ”e vjetëruar”.

Është bërë e qartë muajt e fundit se shumë shtete evropiane interesohen më shumë për përfundimin e luftës sesa se kush fiton.

Gjermania në veçanti duket se është e interesuar për t’u rikthyer në status quo-në para luftës në Ukrainë. Berlini nuk qëndron i vetëm në këtë.

Pas rizgjedhjes së tij të suksesshme, presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se një paqe e ardhshme në Evropën Lindore nuk duhet të përfshijë një poshtërim të panevojshëm të Rusisë dhe mund të përfshijë lëshime territoriale ndaj Moskës.

Që nga fillimi i luftës, mbështetja në kontinent ka qenë e dobët në krahasim me përgjigjet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, vetëm në muajin e parë, SHBA-të dërguan 4.4 miliardë dollarë pajisje dhe ndihma të tjera për Ukraina, dy herë më shumë se BE-ja dhe vendet anëtare të saj.

Nëse Ukraina i mbijeton kësaj lufte, kjo do të jetë kryesisht për shkak të mbështetjes nga Uashingtoni dhe Londra, plus disa shtete të Evropës Lindore, veçanërisht Polonia.

epa09645895 France’s President Emmanuel Macron (L) and Germany’s Chancellor Olaf Scholz bump fists after holding a joint press conference during an European Union (EU) summit at the European Council Building at the EU headquarters in Brussels, Belgium, 17 December 2021. EPA-EFE/JOHN THYS / POOL ALTERNATIVE CROP

Megjithatë, edhe vendet e armatosura si Polonia donin garanci nga SHBA për të rifurnizuar armët përpara se të ishin të gatshëm të dërgonin armatim të sofistikuar në Ukrainë.

Gjermania duket gjithnjë e më shumë e gatshme të ofrojë pajisje më të mira, por çdo premtim duket se vjen bashkë me një pengesë burokratike ose logjistike që kërkon javë ose muaj për t’u zgjidhur. Shembulli i fundit është dorëzimi i tankut kundërajror Gepard, të cilit i mungonin municioni i nevojshëm për veprim.

Duke pasur parasysh këto zhvillime, do të ishte shumë shpresëdhënës anëtarësimi i afërt i Ukrainës në BE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe ministrja e punëve të jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, kanë treguar se do ta mbështesnin një veprim të tillë, por të dy e dinë se të paktën një nga 27 vendet anëtare të BE-së do të vendoste veton ndaj anëtarësimit të plotë.

Nuk është e qartë nëse një veto e tillë do të vinte nga Hungaria, Austria, Franca apo edhe vetë Gjermania, por Macron tregoi qartë se çfarë duhet pritur. Së fundmi ai sugjeroi krijimin e një “bashkësie politike evropiane” – një lloj “qarku” për shtetet që do të donin të fitonin anëtarësim të plotë, por ndoshta kurrë nuk do ta fitonin.

Për Parisin dhe Berlinin, kriza e Ukrainës nuk është vetëm një çështje sigurie, ajo mund të përcaktojë gjithashtu shpërndarjen e ardhshme të pushtetit në BE.

Pozicionet më prestigjioze në BE mbahen nga politikanët e Evropës Perëndimore, duke reflektuar një çekuilibër pushteti midis Evropës Lindore dhe Perëndimore, nga Von der Leyen (Gjermani) dhe presidentja e Bankës Qendrore Evropiane Christine Lagarde (Francë) te përfaqësuesi për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell (Spanjë) dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel (Belgjikë).

Qeveritë e Evropës Lindore e kanë bërë të qartë se kjo status quo është gjithnjë e më e papranueshme për ta dhe lufta në Ukrainë u ka dhënë atyre arsye shtesë për ta ndryshuar atë.

BE-ja është ndërtuar rreth Gjermanisë dhe Francës, dhe të dy shtetet kanë ruajtur me xhelozi pozicionin e tyre si vendimmarrësit përfundimtarë në Evropë.

Politikëbërësit në të dy vendet janë të vetëdijshëm se një BE me Ukrainën mund të çojë në një aks konkurrues Varshavë-Kiev, diçka që as Franca dhe as Gjermania nuk e duan. Ukraina është politikisht dhe kulturalisht më afër Polonisë sesa Gjermania, që do të thotë se fuqia gjermane në BE mund të zvogëlohet ndjeshëm dhe të zëvendësohet nga ndikimi në rritje i Evropës Lindore.

Këto mendime mund të duken cinike në dritën e luftës heroike të Ukrainës dhe popullit të saj, por do të ishte gabim të besohej se politika e pushtetit është zëvendësuar nga ideale universale.

Siç theksoi Talleyrand, dhënia e premtimeve është pjesë e diplomacisë, por në fund të fundit veprimet kanë më shumë rëndësi se fjalët.

 Schöllhammer është asistent profesor i shkencave politike dhe ekonomisë në Universitetin Privat të Vjenës Webster.

Burimi: Wall Street Journal

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Borell: Situata aktuale,dhuratë për Putin

“S’ka të ardhme evropiane nëse mbahen kontakte me Putinin”

Çfarë kërkon Rusia në Ballkanin Perëndimor?

Analiza në DW: Moska po zgjeron ndikimin e saj, synimi është të…