MENU
klinika

Analiza

Gjermania gaboi me Rusinë…

22.06.2022 - 08:30

Lufta e asgjësimit e Rusisë kundër Ukrainës dhe retorika e pandërprerë e elitave të saj ngrenë pyetje urgjente për të ardhmen për evropianët, për aleancën transatlantike dhe për rendin global.

Për një grup gjeneratash të politikanëve gjermanë, disa prej të cilëve janë në pension dhe disa ende në pushtet, kjo ngre gjithashtu pyetje urgjente për të kaluarën.

Çfarë mund të kishin ditur, ose të paktën të parashikonin? Çfarë gjakderdhjeje mund të kishin parandaluar?

Në të vërtetë, kohët e fundit ka pasur diçka si një paradë publike keqardhjesh. Sigurisht jo nga lobisti rus i energjisë Gerhard Schröder, i cili shërbeu si kancelar nga viti 1998 deri në 2005 dhe është i papenduar për Vladimir Putin. Por Frank-Walter Steinmeier, i cili është president i Gjermanisë dhe një ish-ministër i Jashtëm, ka pranuar “gabimet” në marrëdhëniet e tij me Rusinë. Kështu ka edhe Sigmar Gabriel, pasardhësi i tij në ministrinë e jashtme.

Pendimi i tyre duket i sinqertë.

Steinmeier ishte një nxitës kryesor i politikës naivisht nxitëse të Gjermanisë ndaj Rusisë që nga viti 1998 e tutje, kur ai u bë krahu kryesor i Schröder-it në kancelari. Sa i përket Gabrielit, i cili ishte ministër i Çështjeve Ekonomike dhe Energjetikës në kohën e aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia.

Por, ç’të themi për ish-kancelaren Angela Merkel, arbitren përfundimtare të strategjisë kombëtare për 16 vjet midis 2005 dhe 2021?

Pasi ia dorëzoi postin pasardhësit të saj Olaf Scholz në dhjetor, ajo u zhduk, duke bërë shëtitje dimërore përgjatë Detit Baltik dhe duke dëgjuar një libër audio të Makbethit.

Gjashtë muaj më vonë – dhe katër muaj pas luftës – ajo është kthyer dhe qartësisht synon të mbrojë trashëgiminë e saj në një seri bisedash, fjalimesh dhe intervistash.

Merkel e la detyrën me vullnetin e saj, e vetmja kancelare e pasluftës që e bëri këtë. Ajo ishte e njohur në shtëpi dhe ajo u admirua në mbarë botën si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të Gjermanisë pas luftës.

Tani, pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt ka hedhur një hije të errët mbi mandatin e saj.

A nuk duhet t’i kushtonte më shumë vëmendje shtypjes së shoqërisë civile nga Putin dhe vrasjeve të kundërshtarëve politikë në Rusi? Helmimit të politikës evropiane me anë të dezinformimit dhe korrupsionit? Varësisë në mbarë kontinentin nga gazi rus? Vendosjes së raketave me rreze të mesme veprimi në Kaliningrad? Ambicieve perandorake gjithnjë e më të dukshme?

A nuk duhej të kishte parë një lidhje midis sulmit ndaj Çeçenisë, me të cilin Putin filloi sundimin e tij në fund të mijëvjeçarit, luftës me Gjeorgjinë në 2008 që rezultoi në copëtimin e atij vendi në duart e Rusisë, aneksimit të Krimesë në 2014 dhe tetë vite luftë në Donbas me 14000 të vdekur?

Por ata që prisnin një autokritikë të Merkel u zhgënjyen.

“Unë nuk shoh se duhet të them tani, që kjo ishte e gabuar. Prandaj nuk do të kërkoj falje.” Përkthimi fjalë për fjalë në anglisht është jo dhe aq i mirë, por thelbi i fjalëve të ish-kancelares ishte mjaft i qartë: ajo nuk kishte asgjë për të penduar.

Merkel pohoi: “Unë gjithmonë e kam ditur se ai donte të shkatërronte Evropën”.

Megjithatë, ajo këmbënguli se ishte e rëndësishme të ruhej “një lidhje tregtare” me “fuqinë e dytë më të madhe bërthamore në botë”.

Një komentator i quajti komentet e saj si ”qetësim”. Një tjetër e quajti dëshmi të determinizmit fatalist. Të tjerë thanë se Merkel kishte qenë thjesht “kancelarja e përsosur për një sistem që kishte arritur kufijtë e tij”.

Asnjë nga këto shpjegime nuk është plotësisht i saktë.

Megjithatë, ajo që ka rëndësi është se qasja e Merkelit për trajtimin e problemeve, zgjedhja për t’i menaxhuar në vend të zgjidhjes së tyre – u “përthith” jo vetëm nga partnerët e saj të ndryshëm të koalicionit, por nga komuniteti gjerman i biznesit dhe nga votuesit.

Është në përputhje me një traditë të gjatë të pasluftës të liderëve gjermanë që i inkuadrojnë zgjedhjet strategjike si kufizime strategjike, duke shmangur kështu përgjegjësitë.

Si një recetë për t’u përballur me një Rusi totalitare – dhe me një të ardhme me trazira dhe përçarje – nuk është e kotë, por e pamatur.

Fritz Stern, kryetar në Institutin Brookings.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al