Kukësi mendon të rikthehet sa më shpejt në majën e futbollit shqiptar pas dy sezoneve mungesë në Evropë. Sot klubi verilindor ka goditur me 3 blerje, të cilat i ka bërë zyrtare.
Kristi Kote është lojtari më i ri i Kukësit. Lojtari ka nënshkruar një kontratë 2 vjeçare dhe do të vihet menjëherë nën urdhërat e trajnerit Skënder Gega. Mesfushori Kote ishte pjesë e Partizanit në edicionin e kaluar, ku veshi fanellën e kuqe për 11 ndeshje.
“Futboll Klub Kukësi njofton se mesfushori Kristi Kote është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Mesfushori 23-vjeçar ka firmosur ditën e sotme me klubin një kontratë 2 vjeçare, duke u bërë kështu futbollisti më i ri në skuadër.
Mesfushori e njeh mirë kampionatin tonë pasi ishte pjesë e Partizanit në 4 sezonet e fundit, teksa tani do të jetë pjesë e ekipit tonë” – shkruan klubi.
Verilindorët nuk janë ndalur me kaq për ditën e sotme, pasi kanë siguruar edhe 2 firma të tjera. Mbrojtësi maqedonas Antonio Ilieski dhe sulmuesi kroat Ante Živković do të jenë pjesë e kuksianëve për 2 sezonet në vijim.