MENU
klinika

Rreziqet

Implantet dentare: Çfarë duhet të dini për to?

04.06.2022 - 07:54

Implantet dentare janë pajisje mjekësore të vendosura në mënyrë kirurgjikale në nofull. Ato ofrojnë mbështetje për dhëmbët artificialë (të rremë), të tillë si kurora, ura ose proteza.

Kur një dhëmb humbet për shkak të lëndimit ose sëmundjes, një person mund të përjetojë komplikime të tilla si humbja e shpejtë e kockave, të folurit e dëmtuar ose ndryshime në modelet e përtypjes që rezultojnë në ndjesi të sikletshme apo dhe në një pamje të ndryshuar. Zëvendësimi i një dhëmbi të humbur me një implant dentar mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës dhe shëndetin e pacientit.

Sistemet e implanteve dentare përbëhen nga një trup i implantit dentar dhe një mbështetës i implantit dentar dhe mund të përfshijnë gjithashtu një vidë fiksuese. Trupi i implantit dentar futet në mënyrë kirurgjikale në kockën e nofullës në vend të rrënjës së dhëmbit.

Rekomandime

Përpara se të zgjidhni implantet dentare, bisedoni me dentistin tuaj për përfitimet dhe rreziqet e mundshme dhe nëse duhet të kryeni procedurën, edhe pse në fakt, këtë procedure sigurisht që e sugjeron vetëm një dentist profesionist.

Ç’duhet të keni parasysh

Shëndeti juaj i përgjithshëm është një faktor i rëndësishëm për të përcaktuar nëse duhet të vendosni implantet dentare, sa kohë do të duhet për t’u shëruar dhe sa kohë mund të qëndrojë implanti në vend.

Pyesni mjekun se çfarë marke dhe modeli të sistemit të implanteve dentare po përdoret dhe mbajeni këtë informacion për të dhënat tuaja.

Pirja e duhanit mund të ndikojë në procesin e shërimit dhe të ulë suksesin afatgjatë të implantit.

Procesi i shërimit për trupin e implantit mund të zgjasë disa muaj ose më shumë.

Pas procedurës së implantit dentar:

Ndiqni me kujdes udhëzimet e higjienës orale që ju janë dhënë nga dentisti. Pastrimi i rregullt i implantit dhe dhëmbëve përreth është shumë i rëndësishëm për suksesin afatgjatë të implantit.

Programoni vizita të rregullta me dentistin.

Nëse implanti ndihet i lirshëm ose keni dhimbje, flisni menjëherë me mjekun.

Përfitimet dhe rreziqet

Implantet dentare mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës dhe shëndetin e një personi që ka nevojë për to. Megjithatë, ndonjëherë mund të ndodhin komplikime. Komplikimet mund të ndodhin menjëherë pas vendosjes së implantit dentar ose shumë më vonë. Disa komplikime rezultojnë në dështimin e implantit (zakonisht përkufizohet si lirshmëri ose humbje e implantit). Dështimi i implantit mund të rezultojë në nevojën për një procedurë tjetër kirurgjikale për të rregulluar ose zëvendësuar sistemin e implantit.

Përfitimet e sistemeve të implanteve dentare:

– Rikthen aftësinë për të përtypur

– Rikthen pamjen në aspektin estetik

– Ndihmon që kocka e nofullës të mos tkurret për shkak të humbjes së kockave

– Ruan shëndetin e kockave dhe mishrave përreth

– Ndihmon për të mbajtur të qëndrueshëm dhëmbët ngjitur (afër).

– Përmirëson cilësinë e jetës

Rreziqet që lidhen me sistemet e implanteve dentare:

– Dëmtimi i dhëmbëve natyralë gjatë vendosjes së implantit

– Lëndime të indeve përreth gjatë operacionit, të tilla si shpimi i sinusit

– Lëndim gjatë operacionit (për shembull, frakturë e nofullës përreth)

– Funksioni joadekuat, si për shembull: Ndjenja sikur dhëmbët nuk kafshojnë normalisht

– Ndjesia se dhëmbi është i liruar ose i përdredhur në vend, si rezultat i lirimit të një vide mbështetëse

– Vështirësi në pastrimin e mishrave të dhëmbëve rreth implantit, duke rezultuar në higjienë të dobët orale

– Sëmundja periodontale e patrajtuar

– Mpirje pas operacionit për shkak të goditjes ose dëmtimit të nervit

Burimi: FDA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kufizimet dhe ndërlikimet e mundshme

Çfarë janë implantet dentare titan?

Cila këshillohet më shumë?

MRI apo rreze X: Çfarë duhet të dini?

Avantazhet dhe disavantazhet

A e dini çfarë janë urat dentare?