MENU
klinika

Nesër zgjidhet president i Republikës

Intervista e parë e gjeneral Bajram Begajt

03.06.2022 - 20:40

Gjeneral majori Bajram Begaj, i cili është gjithashtu edhe doktor Bajrami, është kreu i ushtrisë shqiptare që është folur shumë pak për të. Edhe pse është mjaft i njohur në komunitetin e ushtarakëve por edhe përtej saj. Madje kush ka qenë pacient në Spitanin e Traumës ish-spitalin uahtarak deri disa vite më parë, ka një reputacion pozitiv për mjekun e butë dhe shumë njerëzor.

Dy vite më parë, Gjeneral Begaj ka dhënë një nga intervistat shumë të pakta për mediat shqiptare, pikërisht sapo është emëruar në krye të Shtabit të Përgjithshëm, të cilën po e publikojmë të plotë…

Në intervistën e tij të parë në krye të Forcave të Armatosura, mjeku që ka shërbyer për 22 vjet në radhët e ushtrisë, flet për objektivat e tij në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm në mandatin e tij trevjeçar deri në vitin 2023.

Një mandat që kërkon një dorë mjeku, në profilaksi, kujdes e humanizëm për një synim që tashmë duket se do të jetë e ardhmja e ushtrisë; fuqizimi më i madh i saj.

Bajram Begaj, është 53 vjeç dhe është një drejtues ushtarak që ka shërbyer në Forcat e Armatosura, si pjesë e anës civile e njerëzore të saj, që në fakt dikur ka qenë edhe krenaria jo vetëm e ushtrisë, por edhe e shërbimit shëndetësor: Spitalin Ushtarak, ku ka qenë edhe drejtor.

Por më pas u aktivizua në menaxhimin aktiv të FA, ku dhe mori drejtimin e Akademisë së Mbrojtjes, një post që ishte edhe pragu i detyrës që mban dhe sot, shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Gjeneral, emërimi juaj në postin më të lartë të FA zgjoi interes, më shumë në ambientin jashtë FA-së, pikërisht për aspektin “civil” të eksperiencës suaj. Realisht cila ka qenë përvoja juaj deri sot?

Përvojën time në Forcat e Armatosura do ta sintetizoja në mënyrë lakonike: Ato më kanë rritur! Kjo është thjeshtësisht e kuptueshme kur nga mbi 30 vite punë, 22 prej tyre janë në shërbim në uniformat ushtarake. Jeta dhe shërbimi ushtarak ngelet i pakrahasueshëm për përvojat dhe eksperiencat që të jep dhe për ndikimin në formimin e aftësive të menaxhimit të situatave, përballimit të sfidave të lidershipit, por edhe të integritetit profesional.

Shërbimi dhe puna në repartet dhe institucionet e ndryshme ushtarake, komunikimi i afërt me njerëzit në uniformë, për shkak edhe të profesionit bazë, i kanë bërë Forcat e Armatosura pjesë organike të jetës dhe dedikimit tim në punën e përditshme.

Angazhimet për efekt të punës dhe detyrave të ndryshme, si shërbimet në spitale për trajtim dhe shpëtim jetësh njerëzore, drejtimi i Spitalit Ushtarak nga pozicioni i drejtorit të tij, apo edhe menaxhimi i gjithë sistemit të mjekësisë ushtarake si kryeinspektor i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm, krahas rritjes së ndjeshmërisë njerëzore, më kanë pajisur me njohuri dhe praktika të funksionimit të mekanizmave të një organizate të madhe, por edhe të veçantë, siç janë Forcat e Armatosura.

Këto përvoja i treguan vlerat e tyre kur m’u besua drejtimi i një prej strukturave kryesore të Forcave të Armatosura: Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Ju vini në drejtimin e ushtrisë, pikërisht prej pjesës “ndihmëse” e jo luftarake të FA, që duket sot ka marrë prioritet në NATO, sidomos pas shpalljes së modelit “Smart Defence” në 2100-n. Si ka qenë shkalla e specializimit tuaj në strukturat e NATO-s?

Sigurisht që kualifikimet, specializimet, trajnimet e formave të ndryshme, kanë një vlerë të padiskutueshme, veçanërisht sot kur zhvillimet e reja janë tepër intensive dhe të vrullshme. Pa mohuar aspak vlerat e çdo lloj forme trajnimi të kryer në vëndet e Aleancës, do të cilësoja të veçanta në formimin tim ushtarak kualifikimet nëKursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes e në atë të lidershipit strategjik në SHBA, dhe trajnimet në Seminarin e Lartë Ekzekutiv të Qendrës Marshall në Gjermani. Megjithatë, më duhet të theksoj se ne kemi edhe në sistemin tonë të arsimimit ushtarak kurse të certifikuar nga NATO.

Një kurs i tillë, që unë kam patur privilegjin ta kryej, është Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen me pjesëmarrje ndërkombëtare, i cili përgatit lidershipin civilo-ushtarak të nivelit të lartë strategjik të menaxhimit dhe drejtimit të çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes.

Gjeneral, cili është vizioni juaj për drejtimin e një force të armatosur tashmë pjesë e ngushtë e Aleancës?

E vlerësoj këtë pyetje që më jep mundësinë të shpreh thelbin e angazhimit tim si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Do ta filloja duke theksuar se një vizion i ardhshëm dhe i ri për forcën ushtarake të vendit si antarë i NATOs ngrihet dhe konturohet mbi bazën e gjendjes dhe situatës aktuale që ato kanë. Forcat e Armatosura aktuale janë kontribut, punë, djersë, sakrifica dhe dije të shumë brezave ushtarakësh që kanë shërbyer në vite dhe të atyre që shërbejnë sot.

Unë e shfrytëzoj këtë rast që të shpreh respektin dhe nderimin e sinqertë për ata që janë në rezervë e lirim dhe për të gjithë ata që janë aktiv, për atë çka kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë. Sigurisht që këtu përfshihet edhe personeli civil që ka punuar e punon në strukturat ushtarake. Krahas kësaj, mbajtja, zhvillimi dhe modernizimi i Forcave të Armatosura është në një masë të madhe efekt dhe rezultat i ndikimeve të një kompleksi të integruar faktorësh dhe aktorësh të brendshëm kombëtar, por natyrisht edhe të jashtëm.

Një nga faktorët e jashtëm permanent është antarësia në NATO. Shqipëria është pjesë e një sistemi të sigurisë dhe mbrojtjes kolektive, dhe kjo padyshim që do të përcaktojë në një shkallë të konsiderueshme masën dhe natyrën e kapaciteteve ushtarake të vëndit. Sigurisht që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, në gjithë këtë mori aktorësh dhe faktorësh, ka rolin dhe përgjegjësinë e tij në konfigurimin dhe ndërtimin e vizionit të Forcave të Armatosura.

Në konceptin dhe vizionin tim, unë shikoj një forcë ushtarake profesioniste “pragmatiste”, të motivuar dhe me aftësi operacionale “kirurgjikale” në kryerjen e detyrave që mund të kërkojnë situatat e brendshme dhe të jashtme. Kjo do të thotë që synimi dhe përpjekjet e mia do të jenë për zhvillimin e Forcave të Armatosura me aftësi dhe kapacitete që në realitetin praktik, dhe sa të jetë e mundur edhe me nje parashikim perspektiv të arsyeshëm, të zgjidhin me sukses situata dhe kryejn shërbime të ndjeshme dhe jetike, fillimisht për nevoja të brendshme të vendit.

Sigurisht do të jetë në vëmëndje të përhershme sigurimi i kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e detyrimeve ushtarake euro-atlantike. Jo vetëm kaq, por angazhimi dhe ndërhyrja ushtarake e Forcave të Armatosura do të jetë si ndërhyrja e një kirurgu në një situatë të rëndë jetike:e shpejtë, e saktë, e sigurtë! Drejtimi i Forcave të Armatosura sipas një vizioni të till sigurisht qëështë sfidë, por institucioni i Shefit të Shtabit është një ekip profesionistësh për të cilin punon Shtabi i Përgjithshëm dhe pastaj një ekip i tërë i komandantëve të komandave dhe drejtuesëve të strukturave ushtarakenë terren.

Unë kam besim tek profesionalizmi, ndershmëria dhe përkushtimi i të gjithë këtij personeli. Forca e Armatosur ështëdhe funksionon si njëskuadër unike kohezive që me vullnetin dhe frymën që e karkaterizon, më jep sigurinë se do ta realizojmë këtë vizion.

Cili është vizioni juaj për burimet njerëzore të Forcave të Armatosura?

Forcat tona të Armatosura janë një forcë ushtarake që aktualisht, por edhe në plan të paktën afatshkurtër, fuqinë, kapacitetet dhe aftësitë për kryerjen e detyrave, i mbështesin kryesisht tek burimet njerëzore të tyre, tek personeli ushtarak. Motivimi dhe profesionalizmi i tyre është baza e pazëvëndësueshme e fuqisë së çdo force ushtarake në përgjithësi, por veçanërisht kjo qëndron për rastin tonë. Kjo nuk do të thotë aspak që modernizimi teknologjik i armatimit, teknikës dhe pajisjeve ushtarake nuk do të jenë prioritet.

Motivimi i merituar dhe i domosdoshëm është thelbi i vizionit tim për sigurimin dhe mirë menaxhimin sasior dhe cilësor të burimeve njerëzore. Ky motivim është plotësimi gjithmonë e më mirë i një spektri të gjerë kërkesash dhe nevojash të parashikuar në ligj për ushtarakët.

Në krye të kësaj liste do të rendisja përmirësimet e mëtejshme në paga, në politikat e strehimit, në uniforma, në shërbime shëndetësore, në edukim dhe arsimim, etj. Kjo do të rriste interesin e publikut dhe komuniteteve të vëndit për uniformën dhe karierën ushtarake, duke na lehtësuar dhe mundësuar thithjen dhe rekrutimin e kontigjenteve cilësore dhe në sasinë e nevojshme.

Në politikat prioritare të trajtimit dhe menaxhimit të burimeve njerzore është ai i personelit femër, që duhet ta pohoj se edhe aktualisht është në nivele të kënaqshme. Një nga sfidat e vërteta për këto burime, është dhe mbetet, rekrutimi dhe mbajtja personelit për specialitete dhe shërbime të ngushta në Forcat e Armatosura.

Doja t’ju pyesja edhe për një pjesë, që në fakt tek ne është lënë pak në hije për ish-ushtarakët. Megjithëse kjo nuk i takon Shtabit të Përgjithshëm, por e kam për aftësinë intelektuale që një pjesë e kësaj shtrese mund të ofrojë për Forcat e Armatosura?

Pyetjet e “vështira” janë gjithmonë më të mira, sepse të sjellin në vëmëndje çështje të rëndësishme parimore, konceptuale, por edhe të jetës reale praktike të komunitetit ushtarak. Ajo që dua të them është se në konceptin tim forca ushtarake e vendit përbëhet nga personeli aktiv ushtarak, që të gjithë e njohim si Forcat e Armatosura, dhe nga personeli ushtarak në rezervë dhe/ose në lirim.

Ata janë pjesë e pa ndarë organike e forcës aktive dhe unë do të bëj të gjitha përpjekjet dhe do të jap pa kursim kontributin tim që ata të jenë realisht dhe të ndihen të tillë. E them këtë, sepse nga jeta dhe shërbimi im në Forcat e Armatosura, fakti që e shpreh me bindje të plotë dhe siguri absolute është se vullneti dhe gatishmëria për t’i shërbyer sa më shumë, më mirë, më shpejt dhe në çdo kohë vendit dhe komuniteteve, është në vëmendjen, vetëdijen dhe përkushtimin e çdo ushtaraku.

Ajo që unë ndjej një nga detyrimet e mia prioritare është të sjell më shumë në vëmendjen publike, të autoriteteve dhe të gjithë aktorëve e faktorëve të jetës së vendit, kontributin, sakrificat dhe vlerat e njerzëve të heshtur me uniformë për vendin dhe shoqërinë tonë. Jo më kot e theksova më sipër që motivimi dhe profesionalizmi i personelit është baza e pazëvëndësueshme e fuqisë së çdo force ushtarake në përgjithësi, por veçanërisht kjo qëndron për rastin tonë.

Duke thënë këtë asnjëherë nuk përjashtoj ushtarakët në rezervë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksojmë se vitet e fundit ka pasur vëmendje dhe kujdes të shtuar për ushtarakët aktiv dhe rezervë, që janë konkretizuar me përmirësime relative në pensione, paga, trajtim me ushqim, etj.

Po kështu oficerët tanë të ardhshëm do të kenë një diplomim të dyfishtë civilo-ushtarak dhe kjo do t’i bëjë ata shumë më të përgatitur dhe të lirë për të zgjedhur alternativën më të mirë për jetën e tyre, sigurisht pas një kohe të caktuar, pasi të kenë plotësuar detyrimet e kontratës ushtarake.

Do t’i rikthehem edhe njëherënë mënyrë të drejtpërdrejtë shqetësimit kryesor të shprehur në pyetjen tuaj: atij për “ish ushtarakët… dhe …për aftësinë intelektuale që një pjesë e kësaj shtrese mund të ofrojë për Forcat e Armatosura”.

Duke vlerësuar këtë konstatim tuajin, më duhet të sqaroj se në fakt vitet e fundit, ushtarakët në rezervë (dhe jo “ish ushtarakët”, sikurse konsiderohen në fakt publikisht) jo vetëm që nuk janë lënë në hije, por përkundrazi, ka pasur një kthim të ndjeshëm të vëmendjes ndaj tyre.

Është e vërtet që kjo nuk është në autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm, por është po kaq e vërtet që Ministria e Mbrojtjes ka patur dhe ka vullnet të plotëdhe bashkëpunim të ngushtë me Shtabin e Përgjithshëm për këtë qëllim. Personeli civil i punësuar në strukturat e mbrojtjes është në pjesën më të madhe nga ushtarakët në rezervë.

Ky personel është aktualisht i punësuar deri në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm. Në stafin e zyrës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ky kontigjent përbën një përqindje të konsiderueshme. Gjithashtu, Kryeministri ka qenë iniciatori i shtimit të vëmendjes ndaj ushtarakëve në rezervë, kur vendosi në krye të prefekturave të vendit ushtarakë të tillë dhe që më pas u pasua edhe nga institucione të tjera të qeverisë për angazhimin e ushtarakëve në institucionet e sigurisë së vëndit, dhe jo vetëm. Përsëri, nuk mendoj se këto përbëjnë një ezaurim shterues të mundësive për mbështetjen e ushtarakëve në rezervë.

Fakti që ju jeni një mjek ushtarak është risi për Shqipërinë në drejtimin e FA, po a mundet kjo të argumentohet me rolin e ri që FA ka në një shoqëri civile kur dhe FA nuk janë një institucion i izoluar por pjesë e shoqërisë, pra që ndërhyn për emergjenca të ndryshme?

Forcat e Armatosura kanë një mision të pandryshueshëm kushtetues. Ndërkohë, roli dhe detyrat ku ato angazhohen janë në funksion të nevojave, ndryshimeve dhe zhvillimeve të situatave të brendshme dhe të jashtme të sigurisë.

Kjo ka qenë evidente edhe për publikun, i cili i ka parë Forcat e Armatosura të angazhuara në detyra tipike luftarake, sikurse janë angazhimet në misionet në Irak, Afganistan, etj. Nga ana tjetër, pothuajse të gjitha komunitetet e vendit kanë ndjerë dorën e forcave ushtarake në rolin e ndërtuesit të urave, të digave, të rrugeve, por i kanë patur aty, ditën dhe natën, në rolin e shpëtimtarit të jetës në përmbytje, bllokime dimërore e sëmundje, në tërmete, në zjarre dhe në shumë, e shumë situata të tjera, deri tek pandemia COVID, që po vuajmë të gjithë.

Unë besoj që kjo është normale, sepse edhe Forca e Armatosur është pjesë integrale e shoqërisë. Megjithatë, në këtë kontekst, nuk mund të mendoj se roli i Forcave të Armatosura paracakton dhe dikton profilin profesional të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Nga ana tjetër nuk mund të mohohet se për opinionin e gjerë publik, dhe jo vetëm, pozicionimi i një mjeku ushtarak në krye të piramidës ushtarake, konceptohet si risi shqiptare. Pa e mohuar që në terma praktike dhe historike, kjo është vërtet risi, në pikpamje konceptuale unë e shikoj si efekt të mëndësisë tonë, jo vetëm publike por edhe institucionale, të formimit profesional të oficerit.

Është kryesisht për këtë arsye që unë e konsideroj një zhvillim dhe arritje domethënse reformën që bëmë së fundmi në sistemin e arsimimit ushtarak, ku oficerët e rinj, njëlloj si kolegët e tyre në vendet e Aleancës, do të pajisen me një diplomë civile universitare dhe me një diplomë ushtarake si oficer. Kjo do të thotë që oficerët tanë të ardhshëm, për rrjedhim edhe shefat e shtabit dhe komandantët e lartë, mund dhe do të jenë inxhinier, jurist, historian apo informaticien, po aq sa do të jenë oficer ekspert të artit ushtarak.

Gjithashtu, edhe për shkak të kufizimeve normale, të diktuara nga natyra e aktivitetit ushtarak, shumë pak, ose aspak dihet që vendimmarrjet e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm për drejtimin e Forcave të Armatosura janë produkt i përgatitjes, analizave dhe vlerësimeve profesionale të ekipeve të ekspertëve më të mirë ushtarak, sikurse e shpjegova edhe më lartë.

A mund të kemi në të ardhmen një kthim të “spitalit ushtarak” që të gjithë FA në botë i kanë?

Më duhet të qartësoj që Forcat e Armatosura kanë shërbimin e tyre mjekësor ushtarak. Sigurisht që kjo presupozon edhe organizimin, zhvillimin dhe modernizimin e një strukture të plotë të mjekësisë ushtarake. Shërbimi mjekësor ushtarak, ashtu sikurse gjithë Forcat e Armatosura, i është nënshtruar reformave dhe transformimeve të vazhdueshme, por njëkohësisht edhe të domosdoshme.

Eksperiencat dhe format e organizimit dhe funksionimit të këtij shërbimi janë të ndryshme. Personalisht vlerësoj dhe mendoj se e rëndësishme është që përsonelit ushtarak dhe Forcave të Armatosura t’ju sigurohet kujdesi dhe mbështetja e plotë mjekësore, sikurse është e përcaktuar në ligjet përkatëse.

Në këtë drejtim sigurisht që ka nevojë për përmirësime dhe kjo do të jetë një nga angazhimet dhe përkushtimet e mia. Zhvillimet, kërkesat dhe mësimet e nxjerra do të na orientojnë nëse në të ardhmen do të jetë i nevojshëm një rikthim i “spitalit ushtarak”, sipas konceptit tashmë të bërë të mirënjohur jo vetëm në komunitetin ushtarak, por edhe në gjithë vendin, apo një rikonfigurim i shërbimit aktual për të rritur kapacitetin dhe efektivitetin e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN