MENU
klinika

Robëria solli famën

Jeta donkishoteske e Servantesit

09.06.2022 - 16:32

         Shkrimtari vetë, pati një jetë plot sfida. Por prej këtu, do të niste kthesa e madhe e jetës dhe karrierës së tij, me një nga veprat më të njohura në histori.

“Robërimi 5-vjeçar, ndikoi jashtëzakonisht në krijimtarinë e tij”,- thotë studiuesja e Servantesit, Antonia Garcés. “Nga puna e tij e parë, pas lirimit “Jeta në Algjeri” (1581-1583) e deri në botimet pas vdekjes së tij, periudha traumatike që përjetoi ndihet në çdo rresht”.

Vetë Garcés, ka treguar arsyen personale, se pse vendosi ta studionte me detaje shkrimtarin spanjoll: ajo e kupton më shumë se kushdo, traumën e robërisë. Në periudhën mes dhjetorit 1982 – korrikut 1983, profesoresha u mbajt e burgosur, nga një grup gueril, në Kolumbi.

“Gjithmonë kam gjetur paqe te letërsia”,- thotë ajo.”Mendoj se një nga arsyet që i mbijetova burgimit, ishte leximi i disa librave që më sillnin në birucë. Kur nuk kisha më çfarë të lexoja, i kthehesha fjalorit, nga fillimi në fund”.

Ajo nisi të lexonte Servantesin, që siç e dëshmon ajo, e ka ndihmuar për të përballuar jetën pas burgimit.

“Unë isha një e mbijetuar, pas 7 muajsh të jetuar në një birucë kaq të vogël, pa dritare dhe ku ruhesha nga roje të armatosura”.

Sipas Garcés, të mbijetuarit e eksperiencave traumatike kanë tendencën t’i përsërisin ngjarjet që u kanë ndodhur. Të njëjtën gjë ajo vërejti në punën e Servantesit, i cili në forma dhe mënyra të ndryshme e ka përshkruar skllavërimin e tij në çdo vepër të shkruar pas lirimit.

Garcés beson se kjo përvojë i hapi dyert e imagjinatës shkrimtarit spanjoll dhe në këtë rrugëtim, ai, përveçse një nga shkrimtarët më të njohur në histori, ai u kthye edhe në një këshillues, shërues – siç e quan ajo – për të tjerë, në të njëjtat situata.

Peripecitë e shkrimtarit

Ai më 1569 u vendos në Romë, me sa duket për t’i shpëtuar drejtësisë spanjolle, e për t’iu bashkuar atje Kardinalit Giulio Acquaviva si shërbyes. Në moshën 22-vjeçare ai iu përgjigj detyrimit ushtarak në marinën spanjolle dhe përfundoi në betejën detare të Lepantos (1571) kundër Perandorisë Osmane. Në betejë ai u prek dy herë prej plumbave dhe iu plagos dora e majtë, të cilën nga ky moment e kishte të mpirë. Prej kësaj rrjedh edhe epiteti për të, si “doraci i Lepantos” (origjinal: el manco de Lepanto).

Në vitin 1575, i moshuar, Servantes bashkë me të vëllanë, gjatë rrugës për në atdhe, me marinën spanjolle u zunë rob dhe u mbetën për pesë vjet, si skllevër, në Algjeri. Babai shpenzoi të gjithë pasurinë dhe motra pajën e saj, për të paguar me para lirimin e dy vëllezërve. Vetëm pas katër tentativave të dështuara për arratisje, Servantesi, më 1580 u lirua në këmbim të parave, prej urdhrit të Trinitarierve.

Pjesën e parë teatrore të tij, “Los tratos de Argel”, ia kushtoi përjetimeve në robëri, vepër me pak rëndësi, që me kalimin e kohës u zhduk. Për shkak të dështimeve të vazhdueshme dhe mungesës së parave, sërish shkoi ushtar, më 1580 deri në vitin 1583.

Servantesi, asnjëherë nuk mundi të jetojë prej letërsisë.

Ai punoi përkohësisht, si zbulues dhe furnitor në flotën luftarake spanjolle dhe për shkak të bizneseve të dështuara, në vitet 1597/98 dhe 1602 përfundoi disa herë në burg. Pikërisht në qelinë burgut, Servantesi nisi të shkruajë kryeverpën e tij, “Don Kishoti i  Mançës” (origjinal: “El ingenioso Hidalgo Don Quijote de la Mancha”).

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


E dinit se më shumë lexohet në...

Kurani dhe Bibla librat më të lexuar