MENU
klinika

Marina Abramoviç

Jeta ime në Beogradin komunist…

20.06.2022 - 11:56

          Në kujtimet e saj, artistja e performancës radikale, Marina Abramoviç përshkruan vitet e hershme në Beogradin komunist dhe zbulimin sesi arti u bë çlirim.

Unë vij nga një vend i errët, siç ishte Jugosllavia e pasluftës, nga mesi i viteve 1940-të, deri në mesin e viteve 1970-të. Një diktaturë komuniste, në krye Marshallin Josif Broz Tito. Mungesa të vazhdueshme të gjithçkaje, mjerim kudo.

Beogradi i fëmijërisë sime, nuk kishte as monumentalizmin e “Sheshit të Kuq” në Moskë. Gjithçka ishte disi e dorës së dytë, sikur udhëheqësit të kishin parë përmes lenteve të komunizmit të dikujt tjetër dhe të kishin ndërtuar diçka, pak më të mirë, pak më funksionale.

Familjet jetonin në blloqe masive apartamentesh të shëmtuara. Të rinjtë, nuk mund të merrnin kurrë një apartament për veten e tyre, kështu që në çdo apartament, do të banonin disa breza, si gjyshja dhe gjyshi, çifti i porsamartuar dhe më vonë, fëmijët e tyre. Kjo krijoi komplikime të pashmangshme, të gjitha këto familje, jetonin në hapësira shumë të vogla.

Familja ime, nuk duhej të duronte gjithë këtë. Prindërit e mi ishin heronj lufte – ata luftuan kundër nazistëve, me partizanët jugosllavë, komunistët e udhëhequr nga Tito – dhe kështu, pas luftës, ata u bënë anëtarë të partisë dhe kryenin punë të rëndësishme. Babai im u emërua në gardën elitare të Marshallit Tito; nëna drejtoi një institut, që mbikëqyrte monumentet historike dhe merrte vepra arti, për ndërtesat publike. Ajo ishte gjithashtu drejtoreshë e Muzeut të Artit dhe Revolucionit. Për shkak të kësaj, ne kishim shumë privilegje. Ne jetonim në një apartament të madh, në qendër të Beogradit, një ndërtesë e madhe, e vjetër e viteve 1920, me punime elegante hekuri dhe xhami. Kishim një kat të tërë, tetë dhoma për katër persona, prindërit e mi, vëllai im më i vogël dhe unë, kjo gjë ishte e rrallë në ato vite.

Nëna ime, Danica dhe babai im, Vojin, i njohur si Vojo, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishin një romancë të madhe me njëri-tjetrin. Një histori e pabesueshme – ajo ishte e bukur, ai ishte i pashëm dhe secili i shpëtoi jetën tjetrit. Nëna ime ishte majore në ushtri dhe komandonte një skuadër në vijën e frontit, që ishte përgjegjëse për sjelljen e partizanëve të plagosur, në baza të sigurta. Por, një herë gjatë një avancimi gjerman, ajo u sëmur me tifo, me temperaturë të lartë dhe e mbuluar me një batanije, ishte shtrirë pa ndjenja, midis të plagosurve të tjerë rëndë.

Ajo mund të kishte vdekur lehtësisht atje, nëse babai im, nuk do të kishte qenë aty pranë saj. Ai kur pa flokët e saj të gjatë, që dilnin nga poshtë batanijes, thjesht duhej të ngrinte batanijen, për ta parë. Dhe kur e pa sa e bukur ishte, e çoi në një fshat të afërt, ku fshatarët u kujdesen për shëndetin e saj.

Gjashtë muaj më vonë, ajo u kthye në vijën e frontit, duke ndihmuar në sjelljen e ushtarëve të plagosur, në spital. Atje, ajo njohu menjëherë një nga të plagosurit rëndë, ai ishte njeriun që i kishte shpëtuar jetën. Babai im, ishte atje i shtrirë, i gjakosur deri në vdekje – nuk kishte gjak për transfuzion. Por, nëna ime zbuloi se kishte të njëjtin grup gjaku me të dhe i dha gjak, duke i shpëtuar jetën. Si përrallë. Kur mbaroi lufta, ata u martuan. Unë kam lindur në – 30 nëntor 1946.

Historia e mrekullueshme e dashurisë dhe pamja e bukur e prindërve të mi, i kishin bashkuar ata, por shumë gjëra të tjera nuk shkonte mes tyre. Nëna ime vinte nga një familje e pasur dhe ishte intelektuale; ka studiuar në Zvicër. Mbaj mend që gjyshja thoshte se, kur nëna ime doli nga shtëpia për t’u bashkuar me partizanët, la 60 palë këpucë. Për të, komunizmi ishte një ide abstrakte, diçka që ajo kishte mësuar në shkollë, kur studionte Marksin dhe Engelsin. Të bëhesh partizan ishte një zgjedhje idealiste, madje në modë.

Familja e babait tim ishte e varfër, por ata ishin luftëtarë të mëdhenj. Babai i tij kishte qenë major i dekoruar në ushtri. E kishin burgosur edhe para luftës, për ide komuniste. Ai ishte komunisti i vërtetë. Ai e shihte atë, si të vetmen mënyrë, për të ndryshuar sistemin.

Im atë ishte vazhdimisht jokorrekt dhe martesa e prindërve të mi, ishte si një luftë – kurrë nuk i pashë të përqafoheshin, të putheshin ose të shprehnin dashuri, për njëri-tjetrit. Ndoshta, ishte thjesht një zakon i vjetër i kohëve partizane, por të dy flinin me pistoleta të mbushura në komodina.

Nëna ime ishte e fiksuar pas rregullit dhe pastërtisë – pjesërisht kjo vinte, nga prejardhja e saj ushtarake; në një mënyrë tjetër, ndoshta ajo po reagonte kundër kaosit të martesës së saj. Ajo do të më zgjonte në mes të natës, nëse shihte se po flija në mënyrë të çrregullt, duke i shkatërruar çarçafët. Edhe sot e kësaj dite, për shkak të rregullit të imponuar nga mamaja ime, unë fle pa lëvizur, në njërën anë të shtratit. Kur fle në dhomat e hotelit, nuk mund të kuptohet se dikush ka fjetur në këtë shtrat.

Si fëmijë, më dënonin shpesh për shkeljen më të vogël dhe dënimet ishin pothuajse gjithmonë fizike – goditje dhe shuplaka. Nëna ime dhe motra e saj, Ksenija, e cila u transferua përkohësisht tek ne, kur babai im iku, më dhanë një ndëshkuan. Në banesën tonë kishte një dollap shumë të thellë dhe të madh. Isha i magjepsur nga ky dollap, por dhe u tmerrova prej tij. Ndonjëherë, kur nëna ime ose tezja ime, thoshin se kam bërë gabim, më mbyllnin në këtë dollap.

E dija që në moshën gjashtë, apo shtatëvjeçare, që doja të bëhesha artiste. Edhe pse nëna më ndëshkoi për shumë gjëra, ajo më inkurajoi për këtë pasion. Arti ishte i shenjtë, për të. Kështu, në apartamentin tonë të madh, nuk kisha vetëm dhomën time të gjumit, por edhe studion time të pikturës. Dhe ndërsa pjesa tjetër e banesës, ishte e mbushur me piktura, libra dhe mobilie, që në moshë të vogël unë i mbajta të dyja dhomat e mia, spartane. Sa më bosh. Në dhomën time të gjumit, kisha vetëm një krevat, një karrige dhe një tavolinë. Në studion time, vetëm kavaletin dhe bojërat.

Unë jetoja në luks, kjo tingëllon si një jetë privilegji dhe në një farë mënyre, ashtu ishte, në një botë me mjerim dhe privim komunist. Kurrë nuk i kam larë vetë rrobat. Nuk kam hekurosur kurrë. Nuk kam gatuar asnjëherë. Asnjëherë nuk më është dashur të pastroj dhomën time. Gjithçka e bënë të tjerët për mua. Gjithçka që më kërkohej, ishte të studioja dhe të isha më e mira.

Bëja mësime piano, mësime anglisht dhe frëngjisht. Nëna ime ishte plotësisht e lidhur me kulturën franceze, gjithçka franceze ishte e mirë për të. Isha me shumë fat, por në gjithë këtë rehati, isha shumë e vetmuar. E vetmja liri që kisha, ishte liria e shprehjes. Do të kisha para për pikturë, por nuk do të kisha para për për të blerë rrobat që doja. Nuk kisha para për asgjë që doja me të vërtetë, si një vajzë e re, që isha duke u rritur.

Vitet e mia të adoleshencës, ishin dëshpërimisht të vështira dhe të palumtura. Në mendjen time, unë isha fëmija më i shëmtuar në shkollë, jashtëzakonisht e shëmtuar. Isha e hollë dhe e gjatë dhe fëmijët më quanin, “gjirafë”. Më duhej të ulesha në bankën e fundit, sepse isha shumë e gjatë, por nuk mund ta shihja tabelën, kështu që mora nota të këqija. Më në fund, e kuptuan se kisha nevojë për syze. Nuk po flasim për syze normale, këto ishin ato që vinin nga një vend komunist, me lente të trasha dhe skelet të rëndë. Kështu që unë u përpoqa t’i thyeja, duke i vendosur në karrige dhe duke u ulur mbi to. Ose i fusja syzet në dritare dhe e mbyllja “rastësisht”.

Turp i thellë, vetëdije maksimale. Kur isha e re e kisha të pamundur të flisja me njerëzit. Tani mund të qëndroj para 3000 njerëzve pa asnjë problem, asnjë paragjykim për atë që do të them edhe pa material vizual, mund t’i shikoj të gjithë në sy dhe të flas lehtësisht për dy orë.

Çfarë ndodhi? Arti. Kur isha katërmbëdhjetë vjeçe, i kërkova babait një komplet bojërash vaji. Ai m’i bleu dhe organizoi gjithashtu një mësim pikture, nga një mik i tij i vjetër partizan, një artist i quajtur, Filo Filipoviç. Filipoviç, i cili ishte pjesë e një grupi të quajtur ‘Informal’, pikturoi ato që ai i quajti peizazhe abstrakte. Ai erdhi në studion time të vogël, duke më sjellë bojëra, kanavacë dhe disa materiale të tjera, duke më dhënë mësimin e parë të pikturës. Ai preu një copë kanavacë dhe e vuri në dysheme. Hapi një kanaçe me ngjitës dhe e hodhi lëngun ngjitës në telajo, shtoi pak rërë, pak pigment të verdhë, pak pigment të kuq dhe pak të zi. Pastaj, derdhi rreth gjysmë litër benzinë ​​mbi të, ndezi një shkrepëse dhe gjithçka shpërtheu. “Ky është një perëndim dielli”, më tha ai. Dhe pastaj u largua.

Kjo më bëri një përshtypje të madhe. Prita derisa rrëmuja e djegur, të ishte tharë dhe e ngjita me shumë kujdes, në mur. Më pas, unë dhe familja ime, u nisëm për pushime. Kur u ktheva, dielli i gushtit, kishte tharë gjithçka. Ngjyra ishte zhdukur dhe rëra kishte rënë. Nuk kishte mbetur gjë tjetër, veçse një grumbull hiri dhe rëre në dysheme.

Më vonë, kuptova pse kjo përvojë ishte kaq e rëndësishme. Më mësoi se procesi ishte më i rëndësishëm se rezultati, ashtu si performancë, do të thotë më shumë për mua sesa objekti. Vazhdova të pikturoja në shtëpi, në studion time. Por, një ditë isha e shtrirë në bar, vetëm duke parë qiellin pa re, kur pashë dymbëdhjetë avionë ushtarakë, që fluturonin sipër, duke lënë pas tyre, gjurmë të bardha. Shikoja me magjepsje teksa gjurmët e bardha u zhdukën ngadalë dhe qielli u bë përsëri, një blu e përsosur.


Menjëherë më ra në mendje, pse të mos pikturoj? Pse duhet të kufizohem në dy dimensione, kur mund të bëj art nga çdo gjë: zjarri, uji, trupi i njeriut? Çdo gjë! Kishte diçka si një klikim në mendjen time, kuptova se të ishe artist, do të thoshte të kishe liri të pamasë, për të bërë punë nga çdo gjë, ose asgjë. Nëse do të doja të krijoja diçka nga pluhuri ose mbeturinat, mund ta bëja. Ishte një ndjenjë e pabesueshme çliruese, veçanërisht për dikë, që vinte nga një shtëpi, ku nuk kishte pothuajse asnjë liri.

Hyra në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd, ku pikturova në një stil akademik: nudo dhe natyra të qeta, portrete dhe peizazhe. Por fillova të kisha edhe ide të reja. Në vitin 1965, kur isha nëntëmbëdhjetë vjeç, bëra një lloj pikture të re: Ishte një tablo e vogël e quajtur, ‘Tre sekretet’. Kjo kanavacë shumë e thjeshtë, tregon tre copa pëlhure – një e kuqe, një jeshile, një e bardhë – të mbështjellë mbi tre objekte. Fotoja ndihej e rëndësishme për mua, sepse e bënte shikuesin, pjesëmarrës në eksperiencën artistike. Kërkonte që imagjinata të zinte vend. Më hapi një derë, në plagën e pavetëdijes sime. Pastaj erdhi viti 1968.

Në Beograd atë vit, pati një zhgënjim të madh me Partinë Komuniste, befas ndjemë se e gjithë kjo, ishte për t’u treguar. Ne nuk kishim liri, apo demokraci. Studentët parakaluan nëpër qytet dhe pushtuan ndërtesat e universitetit. Postera u varën në të gjithë kampusin, me slogane si: “Poshtë borgjezisë së kuqe”, ndërkaq policia u vu në lëvizje dhe mbushi rrugët e më pas, mbylli kampusin. Unë isha pjesë e një grupi, që ishim ngujuar në Akademinë e Artit. Kemi fjetur atje, kemi bërë takime dhe diskutime plot pasion, gjatë gjithë natës. Unë u përgatita edhe të vdisja për kauzën.

Studentët përpiluan një peticion prej dhjetë pikash, ku ne donim që qeveria të pranonte, lirinë e shtypit, lirinë e shprehjes dhe një pagë minimale më të lartë. Pas kësaj, Marshalli Tito bëri me zgjuarsi disa lëshime.

Kishte mbaruar!
Pas demonstratave, unë dhe pesë kolegë studentë në akademi filluam të mblidheshim në mënyrë të fshehtë, rregullisht, për të folur për artin dhe për t’u ankuar për artin, që po mësonim. Të gjithë ata përveç meje, ishin djem. Takoheshim dhe pinim kafe, shumë kafe dhe të ushqyer nga kafeja, flisnim e bisedonim, shpesh deri natën, me gjithë pasionin dhe intensitetin e rinisë.

Ky ishte një nga rastet në jetën time, kur isha vërtet e lumtur. Zgjohesha në mëngjes, shkoja në studio dhe pikturoja, pastaj takohesha me djemtë dhe bisedoja, shkoja në shtëpi, pastaj ngrihesha të nesërmen dhe përsëri këtë ritual. Ajo për të cilën, ne të gjashtë po flisnim, me përkushtim, ishte një rrugëdalje nëpërmjet pikturës: një mënyrë, për ta vendosur vetë jetën në art.

Në vitin e fundit në akademi, u dashurova me një nga djemtë e grupit tim. Nesa, ishte 30 vjeç, me flokë të hollë, vetulla të trasha dhe tipare të çuditshme, të mprehta e dramatike, ai më kujtonte një personazh në një film, të Ingmar Bergmanit. Ishte shumë i talentuar; mendja e tij punonte në mënyra të çuditshme. Nesa, organizoi një festival arti, në kodrën e qytetit të Grožnjan, në Istria, ai vendosi një kanavacë të ngjyrë të kuqe, në sheshin e qytetit, në lindjen e diellit: dhe e quajti atë “Sheshi i kuq”. Për mua, idetë e tij, ishin gjëja më seksi. Filluam të kalonim kohë së bashku, por mua më duhej të isha në shtëpi çdo natë, në orën dhjetë, jo shumë bazë për një lidhje.

U diplomova në pranverën e vitit 1970 dhe menjëherë pas kësaj, shkova në Zagreb, në Kroaci, për të kryer studimet pasuniversitare, duke punuar me piktorin e madh, Krsto Hegedushiç. Ishte një nder i madh që u përzgjodha në klasën e tij; ai kurrë nuk kishte në të njëjtën kohë, më shumë se tetë studentë. Hegedushiç, ishte një plak, shumë i famshëm për pikturat me fshatarët e peizazhet e fushave të mbjella, një lloj jugosllavi Thomas Hart Benton. Jo mirëfilli, e një linje të natyrshme me mua!

Edhe pse kujtoja gjithashtu, se Jackson Pollock, kishte studiuar me Benton dhe kjo pati rezultate të mirë. Më pëlqeu shumë Hegedushiç. Ai theksonte dy gjëra, që i kam kujtuar gjithmonë. Së pari, nëse jeni aq të mirë në vizatimin me dorën e djathtë, saqë mund të bëni edhe një skicë të bukur, me sy mbyllur, duhet të kaloni menjëherë në dorën e majtë, për të shmangur përsëritjen. Dhe së dyti, mos i bëni lajka vetes, se keni ndonjë ide. Nëse je një artist i mirë, tha Hegedushiç, mund të kesh një ide të mirë; nëse je gjeni, mund të kesh dy pikë.

Dhe ai kishte të drejtë.
Për mua gjëja më e mirë e Zagrebit, ishte sepse largohesha për herë të parë larg familjes. Ishte shumë emocionuese, të isha jashtë gishtit të madh të nënës sime. Por isha larg edhe nga Nesa, i cili, filloi të më shkruante letra, duke pyetur nëse do të ishim akoma bashkë edhe pse jemi në dy vende të ndryshme. Më në fund, vendosa të bëja diçka, për pyetjet e tij të dhimbshme. “Pse nuk martohemi”? – i thashë.

Ishte si një pakt, mes meje dhe atij: Le të martohemi, që të jem i lirë. Kështu u martuam, në tetor 1971. Por, nëna ime nuk ndryshoi. Ajo jo vetëm që nuk erdhi në dasmë, por nuk e lejoi Nesën, të hynte në banesë tonë. Ne nuk kishim para për të marrë një shtëpi tonën, kështu që jetonim të ndarë, ai me prindërit e tij, unë me nënën, gjyshen, tezen dhe dajën. Ende duhet të isha në shtëpi, çdo natë në orën dhjetë. Isha gati 25 vjeçe, një grua  martuar, që jetoja veç burrit.

Unë isha në rebelim të vazhdueshëm kundër gjithçkaje dhe mbi të gjitha, ndaj nënës sime. Një ditë, për t’u mbrojtur prej saj, lyeva gjithë muret me 300 kanaçe bojë këpucësh ngjyrë kafe, dritaret dhe dyert e dhomës dhe studios sime. Era ishte e padurueshme. Plani im, funksionoi në mënyrë perfekte. Ajo kur erdhi, hapi derën, bërtiti dhe nuk hyri më.

Sa më shumë që nëna ime mbushte apartamentin me koleksionin e saj të çmendur të gjërave, aq më shumë i mbaja dhomat e mia si spartanët. Kishte një përjashtim, kontributi im në rrëmujën e përgjithshme të banesës: ishte kutia ime postare. Ndërtova një kuti postare të madhe prej druri, e lyeja me të zezë dhe i vendosa një shenjë (dizenjuar nga miku im, Zoran), mbi të. Qendra për artin e përforcuar, lexohet në të. Zoran dizenjoi gjithashtu, një kokë letre për mua dhe një logo të qendrës për ‘Art të Përforcuar’ për artikujt e shkrimit.

Nuk e di se ku e gjeta këtë emër, por do të thoshte diçka e thellë për mua. Në banesën e nënës sime, në mes të Beogradit, në Jugosllavinë komuniste, ndihej shumë e rëndësishme të vinte kontakt me botën e jashtme: botën e artit. U shkrova galerive kudo, në: Francë, Gjermani, Angli, Itali, Spanjë, Shtetet e Bashkuara, etj., duke kërkuar katalogë e libra arti dhe ata filluan të vinin, shumë prej tyre, duke u grumbulluar brenda kutisë time të madhe postare. I lexova secilën prej tyre, duke marrë me padurim të gjitha përparimet në botën e artit, duke ëndërruar për kohën kur do të isha pjesë e tyre. Nuk do të ishte e gjatë. /Memorie.al/