MENU
klinika

Sipas të dhënave nga BSH

Kriza e çmimeve ul fuqinë paguese të kredive nga klientët!

10.06.2022 - 12:29

Çmimet e larta kanë nisur të japin efektet e para në shlyerjen e kredive, pasi për herë të parë pas më shumë se një vit në rënie të vazhdueshme, në prill është regjistruar rritje e kredive me probleme. Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë kreditë me probleme në muajin prill regjistruan shifrën e 5.4%, nga 5.2% që ishin në muajin mars.

Në total sipas statistikave të Bankës qendrore në prill, totali i kredisë së dhënë për ekonominë ishte 689,9 miliardë lekë dhe nga këto me probleme rezultojnë 37.2 miliardë lekë. ndërsa në muajin mars kreditë e këqija ishin në vlerën e 35.5 miliardë lekë.

Frika se kriza e çmimeve do të rriste kreditë me probleme, pasi do të ulte fuqinë paguese të qytetarëve dhe të bizneseve u pranua edhe nga vetë bankat e jo-bankat, pasi menjëherë nisën të merrnin masa për të shtrënguar standardet e kredidhënies. Në raportin e kaluar të Bankës së Shqipërisë, për kreditimin në tremujorin e parë të vitit, thuhej se standardet e kreditimit në tremujorin e parë të këtij viti u shtrënguan për biznesin e vogël dhe të mesëm, për shkak se bankat ndjehen të rrezikuara nga situata ekonomike, dhe i druhen uljes së aftësisë paguese të këtyre bizneseve.

Shtrëngimi i kushteve të kredisë ka bërë që bankat të japin më pak kredi, pavarësisht se kërkesa për hua ka qenë e lartë.

“Shtimi i pasigurive, si pasojë e ecurisë së çmimeve në tregjet ndërkombëtare e ato vendase, ka nxitur bankat të jenë disi më konservatore ndaj këtij segmenti të biznesit. Kujdesi i shtuar i bankave në kreditimin e bizneseve, u reflektua edhe në një shkallë më të ulët miratimi kredish në tremujorin e parë. Shtimi i kërkesës për kredi nga bizneset në tremujorin e parë të vitit, sipas gjykimit të bankave, u ndikua kryesisht nga nevojat më të larta për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, për financimin e investimeve, si dhe për ristrukturimin e kompanive”, thuhej në raport.

Po ashtu bankat kanë ulur edhe tolerancën ndaj kredidhënies për këtë segment të biznesit, për shkak të pasigurisë në çmime e tregje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sejko: Niveli më i ulët në histori

BSH ul normën e interest nga 1% në 0,5%