“Haj medet për kit Shqipni,
Shtatë krajla n’ta janë hi:
Karadaki me Serbi…”
-Popullore
Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) është një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar. Rëndësia e madhe historike, shtrihet jo vetëm në të gjitha trojet shqiptare, por edhe në Ballkan, madje edhe në tërë Evropën.
Lidhja e zgjoi, e zhvilloi dhe e përparoi vetëdijen kombëtare shqiptare. Ajo me përpjekje të mëdha e ngriti këtë veprimtari në shkallën më të lartë, duke e organizuar edhe luftën për autonomi-pavarësi…
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ngriti për herë të parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Çështja e ruajtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë, u bë shumë e mprehtë dhe u vu në rend të ditës, si njëra nga problemet më të mëdha në procesin e zhvillimit historik të popullit shqiptar në vitet e Krizës Lindore (1875-1878). Rusia, më 24 prill të vitit 1877, duke e futur ushtrinë e vet në Besarabi, i shpalli luftë Perandorisë Osmane.
Ndërkohë, Mali i Zi pushtoi disa vise veriore shqiptare të Vilajetit të Shkodrës, kurse Serbia pushtoi disa vise verilindore shqiptare të Vilajetit të Kosovës. Mirëpo, edhe pse luftuan me heroizëm, forcat shqiptare, të organizuara në Këshilli lokal për shpëtim Kombëtar, për t’i mbrojtur trojet etnike, nuk patën sukses në disa krahina dhe qytete shqiptare, ngase ushtritë serbe dhe malazeze vazhdimisht ndihmohen edhe nga ushtria ruse. Me pushtimin e këtyre viseve, filloi edhe dëbimi me dhunë e masakrimi i shqiptarëve autoktonë.
Këto ngjarje dhe çështja e refugjatëve (muhaxhirëve), ndikuan që Këshillat lokale të Shpëtimit Kombëtar, të shkrihen në një trup koordinues. Nga pasojat që mund të kishte për shqiptarët ky spastrim etnik, nxiti shqiptarët në Stamboll, që me datën 12 dhjetor 1877, të themelojnë Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare.
Ndërkohë, ushtritë ruse, depërtuan me shpejtësi në drejtim të Stambollit, kurse flota angleze marshoi në detin Marmara. Në këto rrethana, më 3 mars të vitit 1878, u nënshkrua Traktati i Paqes së Shën Stefanit. Sipas këtij Traktati, gjysma e tokave shqiptare, ndahej nga trungu i tyre dhe i bashkangjitej Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi.[1] Që sapo u kuptua Traktati i Shën Stefanit si dhe mbledhja e Berlinit dhe doli në shesh rreziku i tokave shqiptare, edhe në Frashër, në atë kohë epiqendër e Shqipërisë së jugut, në Teqen e Baba Alushit kuvendohej, protestohej dhe u kërkuan gjëra të nevojshme për mëmëdhenë. [2] Këto veprimtari ndikuan që të mblidhej kuvendi i përgjithshëm Shqiptar në Prizren, në 10 qershor 1878. Fryt i këtij Kuvendi ishte themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si një organizatë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare, me organet e saj qendrore dhe me degë në të gjitha krahinat e Shqipërisë.[3] Lidhja Shqiptare e Prizrenit, veç qëllimit, për të mbrojtur tërësinë e Shqipërisë, kërkoi dhe autonominë e vendit, duke mbledhur katër vilajetet e Shqipërisë në një vilajet të vetëm dhe me gjuhën shqipe si gjuhë të qeverisë, përshpejtim drejt pavarësisë.[4] Kështu u hapën sytë e shqiptarëve dhe u mboll fara e një Shqipërie më vete dhe jashtë zgjedhës dhe ligësive të huaja. Me Lidhjen e Prizrenit, për herë të parë, në Shqipëri u mendua dhe u punua për tërë Shqipërinë; botës ju dha të kuptojë që Shqipëri s’është vetëm vendi në veri a në jugë të Shkumbinit, por në gjithë viset ku flitet shqip.[5] Në këtë kohë, dramatike për atdheun 1875-1878, kur atdheu kishte më tepër nevojë për mecenë, mendimtarë, politikanë, luftëtarë dhe poetë, pa humbur kohë për asnjë çast, vëllezërit Frashëri si ideologë u reshtuan jo vetëm në Komitetin e Stambollit, por ata, në Teqe të Frashërit në djepin e nacionalizmës Shqiptare, së bashku me Baba Alushin u shquan edhe si organizatorë të mirë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me përpjekjet e tyre Lidhja e Prizrenit merrë një fuqi të re. [6] Naimit të sëmurë edhe pse ishte shëruar në Vjenë (1877) dhe në banjat e Badenit (1876), i duhej qetësi, por vorbullat e fatit të atdheut gjatë Krizës Lindore e detyrojnë atë të mirrej edhe me punët e Lidhjes Shqiptare. Gjatë gjithë veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (prej vitit 1878) Naimi qëndroi në Berat, në Janinë e në Frashër. [7] Ky kthim në Shqipëri, pati rëndësi të madhe për jetën dhe krijimtarinë e poetit.
Në ditët e Lidhjes së Prizrenit, në këtë atmosferë ndjenja patriotike të papërcaktuara e akoma të pashprehura të poetit, u kristalizuan edhe më mirë, u bënë më të vetëdijëshme dhe morën formën konkrete të qëllimeve të përcaktuara për çlirimin dhe përparimin e Shqipërisë.[8] Në Shqipëri Naimi jetoi hovin e lëvizjes patriotike në drejtimin e Lidhjes së Prizrenit. Të dhëna për pjesëmarrjen e Naimit në mbledhjet që organizoheshin dhe në komitetet krahinore nuk kemi, po janë të gjitha gjasat të mendohet që ai ka bashkëpunuar për krijimin e Lidhjes, e cila pati njërin prej udhëheqësve kryesorë vëllanë e tij, Abdyl Frashërin. Sidoqoftë ai ka qenë plotësisht solidar me pikësynimet e Lidhjes, bile, veprat e tija provojnë se, sipas përvojës që grumbulloi lëvizja e çlirimit kombëtar, Naimi nuk u besonte përpjekjeve për të fituar autonomi nën Perandorinë Osmane, as shpresave se një gjë e tillë mund të arrihej me lutje e me marrëveshje. Për çlirimin kombëtar ai gjithnjë ka përkrahur rrugën e luftës së armatosur.[9] Andaj Naimi, si vëlla i ideologut të Lidhjes së Prizrenit nuk kishte qëndruar anash në kohën e veprimtarisë së Lidhjes, si dhe pas shkatërrimit të Lidhjes, me burgosjen e Abdylit dhe të tjerëve dhe me internimin e shumë veprimtarëve dhe familjarëve të tyre nëpër vise të ndryshme të Perandorisë Osmane. Në Shqipëri u përhap një valë e re ndjekjesh e persekutimesh. Edhe Naimi, që ndodhej në Janinë, u vu nën vërejtjen e policisë.[8] Familja e Naimit, e pagoi shumë rëndë pjesëmarrjen në organizimin dhe veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.[10] Qeveria e Sulltanit në vitin 1882 arriti ta sjellë në Stamboll me dhunë, ku u bashkuan ligësitë e grekëve me dhelpërinë e turqve, dhe ku me anë të tinzarëve mund ta mbante në syrvejim të përhershëm, me qëllim që të mos vepronte aktivisht në çështjet shqiptare. Ishin këto vite kur për çdo veprimtari që s’e pëlqente qeveria, dënohesh me burg! Për këto arsye tërë pjesën e jetës që kaloi në Stamboll nuk doli asnjëherë jashtë këtij qyteti.[11] Naimi, përkundër këtyre rreziqeve me tërë fuqinë e tij, përmes pendës së tij, armës së preferuar të luftës, e mbajti dhe ende e mban të gjallë te shqiptarët, kudo që janë, frymën dhe Programin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me plot të drejtë e gëzon epitetin “poeti kombëtar”. [12] Naimi, ashtu si njihet dhe çmohet nga të gjithë, si ka hyrë në historinë e popullit dhe të kulturës së tij, është bir i viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, produkt dhe zëdhënës i tyre. [9] Pranë qendrës tempullore bektashiane, nga varrezat “Mervenqoj” të pjesës aziatike të Stambollit, shteti shqiptar për nder të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i solli eshtrat e tij dhe të vëllaut Abdyl Toskës në atdhe.
Në procesin e ndërtimit të një Kosove shqiptare, ne udhëhiqemi nga porosia e mendimtarit tonë të madh të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit, i cili, qysh në vitin 1886, duke vjershëruar objektivat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në poemën “Dëshir e vërtet e shqiptarëvet” ka thënë: “Pra, ç’na duhet o vëllazër? Dashuri, bashkim, përpjekje, mençuri, barazi, punë, vëllazëri, një dëshirë….”. ne, këtë porosi të mendimtarit tonë të madh, “apostullit të shqiptarizmës” Naim Frashërit, duhet ta nderojmë dhe ta respektojmë. Kjo porosi e Naimit të madh duhet të bëhet motiv i jetës dhe i punës në ndërtimin e Kosovës së lirë e të pavarur. [13] Shpresojmë që në një të ardhme të afërt do ta kemi edhe në Prizren në Kryeqytetin e Shqipërisë etnike parkun e vëllezërve Frashëri.
_______________
Burimet:
1. Parim Kosova, Monumentet historiko-kulturore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Historical and Cultural Monuments of the Albanian League of Prizren, Prishtinë, 2004, f. 7.
2. Naim Frashëri, vepra I, Prishtinë, 2000, f. 12.
3. Parim Kosova, Monumentet historiko-kulturore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – Historical and Cultural Monuments of the Albanian League of Prizren, Prishtinë, 2004, f. 7.
4. Naim Frashëri, vepra I, Prishtinë, 2000, f. 12.
5. Naim Frashëri, vepra I, Prishtinë, 2000, f. 13.
6. Kristo Frashëri, Tre Vëllezër Pishtarë, Tiranë, 1978, f. 3.
7. Naim Frashëri, vepra I, Prishtinë, 2000, f. 10.
8. Naim Frashëri, vepra 4, Poezia Shqipe, Tiranë, f. 5.
9. Naim Frashëri, vepra I, Prishtinë, 2000, f. 12-14.
10. Zija Xholi, Naim Frashëri midis të kaluarës dhe të sotmes, Naim Frashëri Vepra, Beograd, 1963, f. 6.
11. Naim Frashërit! Vjershëtorit dh’ Edukatorit Kombëtar, Graz 1925, f. 9; Naim Frashëri, vepra I, Prishtinë, 2000, f. 12-14.
12. Kristo Frashëri, Tre Vëllezër Pishtarë, Tiranë, 1978, f. 3
13. Pajazit Nushi, Referat i mbajtur në Akademin Solemne kushtuar 122 vjetorit të LSHP-së më 09.06.2000, Prizren, f. 3.
(Marrë nga Wikipedia)