Brukseli është shndërruar përgjatë muajve të fundit në zonën më të nxehtë të përplasjeve mes bandave të trafikut të drogës, kryesisht ato shqiptare. Sipas raportit të policisë së Brukselit përgjatë këtij viti janë shënuar 22 përplasje me armë, ku ka pasur edhe fatalitete me vdekje.
Zonat më të nxehta janë vetë kryeqyteti dhe zonat e tjera afër tij. “Nuk janë në të njëjtin kontekst, nuk bëhet fjalë për një organizatë kriminale pas të gjitha incidenteve. Bëhet fjalë për grupe të ndryshme. Motivet dhe rrethanat janë të ndryshme”, tha Tim De Wolf, prokurori publik i Brukselit.
Megjithatë, sipas autoriteteve, shumica e përplasjeve me armë lidhen me trafikun e drogës. Pas operacionit SKY ECC, emri i dhënë një hetimi mbi krimin e organizuar që përfshinte depërtimin në një shërbim të koduar të mesazheve të përdorura nga kriminelët në vend, policia e Brukselit ka punuar në mënyrë aktive për të hetuar trafikun e drogës. Sipas autoriteteve belge përplasjet me armë lidhen edhe me mafian shqiptare siç ishte rasti i pranë Place de Brouckère, ku Kasandër Noga qëlloi me 6 plumba Erion Hasanbelliu. Konflikti mes dy shqiptarëve kishte një histori 20-vjeçare përplasjeje dhe tentativa për hakmarrje ndaj njëri-tjetrit.
Wolf vuri në dukje se personat e plagosur nga atentatet hezitojnë të bashkëpunojnë edhe pse i dinë detajet, dhe se mbledhja e dëshmive në qarqet e trafikut të drogës është një proces i ngadaltë, i cili e ndërlikon më tej hetimin.
“Në çdo rast, këto dosje konsiderohen si prioritet si nga prokuroria publike ashtu edhe nga zonat e policisë në fjalë”, ka theksuar ai.
Mungesa e stafit dhe burimeve
Një prani e shtuar e policisë tashmë po zbatohet në lagje të caktuara të ndjeshme për të siguruar qytetarët, tha De Wolf.
Megjithatë, në muajt e fundit, raportet theksuan se Policia Gjyqësore Federale po përballet me mungesë të stafit, veçanërisht detektivë, duke rezultuar që ato të kenë rregullisht në raft rastet e krimeve të rënda. Operacioni SKY ECC çoi në rritjen e rasteve, gjë që ka shtuar më tej ngarkesën e hetuesve. Kjo ngarkesë shtesë dhe burime të kufizuara mund të rezultojnë që atentatet të jenë më të vështira për t’u parandaluar. Muajin e kaluar, policia i kërkoi Komisionit të Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme të Parlamentit Federal për investime shtesë, si dhe 1000 anëtarë shtesë të stafit për të ndihmuar forcat të organizohen më mirë, veçanërisht në një botë dixhitale.