MENU
klinika

Gjirokastër

Mbetje spitalore mbushin lumin Drinos pranë Lazaratit

17.06.2022 - 11:40

Pamje të tilla si në këto video për banorët e Lazaratit janë të përditshme. Gazetari i Report Tv Piro Nase bën me dije se mbetje spitalore të rrezikshme për shëndetin hidhen sipas banorëve çdo ditë në lumin e Drinos.Mbetjet spitalore konstatohen direkt ne rrjedhën e tharë të lumit Drino. Mëngjesin e sotëm është konstatuar një grumbullim mbeturinash si gjilpëra një përdorimshe, ampula të ndryshme, dhe preparate të tjera të rrezikshme për ambientin, njeriun dhe gjënë e gjallë. Të parët që kanë ngritur këtë shqetësim kanë qenë banorët e Lazaratit kryesisht barinj të cilët janë përdorues të një ure që ndan lumin në krahun lindor të luginës.

Ata për Report Tv shprehen se mbeturinat spitalore i merr lumi kur ka rrjedhë ndërsa tani zbrazen në kushtet e thatësirës duke rrezikuar bagëtitë apo dhe ata vetë. Barinjtë shprehen se kjo situatë është e përhershme por nuk i vendosin gishtin askujt për hedhjen e tyre në lumë. Ata shumë herë kanë kërkuar nga autoritetet vendore ndërhyrje për këtë gjendje por deri tani asgjë.

Ndërkaq në Lazarat funksionon një qendër shëndetësore por ende nuk ka një koment. Administratori i Lazaratit Muharrem Basha nuk ka pasur dijeni për këtë rast e ndërkohë pas publikimit të lajmit ne Report Tv, ka lajmëruar autoritetet shëndetësore për ndërhyrje. Shqetësues është fakti se institucionet përgjegjëse, Inspektorati Shëndetësor dhe inspektorët e Agjencisë se Mjedisit në Gjirokastër nuk kanë ushtruar asnjë kontroll.