Pasi në mediat greke qarkulloi lajmi mbi propozimin e kryetari i Bashkisë së Korfuzit Verior, George Machimaris, për transferimin e ujit nga ‘Syri i Kaltër’ drejt ishullit grek, vjen reagimi nga Ministria e Turizmit.
Kjo e fundit theksoi se nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm sipas lajmit të përhapur nga mediat. Mes të tjerash Ministria thekson se pretendimet e ngritura janë të pavërteta.
REAGIMI I MINISTRISË SË TURIZMIT
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nisur nga disa lajme të përhapura në media të ndryshme mbi një propozim/memorandum teknik të supozuar të furnizimit me ujë me transferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit, sqaron:
Nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm sipas lajmit të përhapur nga mediat. Pretendimet e ngritura janë të pavërteta.
Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut
PROPOZIMI I KRYEBASHKIAKUT GREK
Kryetari i Bashkisë së Korfuzit Verior, George Machimaris, ngre sërish çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria, për të përballuar mungesën e pritshme të ujit në dekadat e ardhshme në ishullin e Korfuzit, raportoi media greke ERT.
Në 25 maj kryebashkiaku dhe nënkryetari i bashkisë Hariton Kuçuri kanë hartuar një projekt të plotë me shifra të detajuara për transportimin përmes tubacioneve të posaçme të ujit të kristaltë nga Saranda në Korfuz.
Draft propozimi i formuluar për miratim nga Këshilli Bashkiak është publikuar në site të pushtetit lokal të Korfuzit po aq edhe në median greke, ndërsa bëhet e ditur se këtë radhë kryebashkiaku grek ka marrë kontakte me sipërmarrës dhe institucione të ndryshme në Sarandë, pa ndarë detaje.
Historiku
Në vitin 2001 kryebashkiaku Jorgos Mahimaris këmbëngulte se zgjidhja e problemit të thatësirës që kërcënon së shpejti Korfuzin nuk është një digë e kufizuar në burimet brenda kufirit grek, por tubacione dhe furnizim nga “Syri Kaltër”, uji cilësor i kristaltë i Shqipërisë. Një vepër me kosto të ulët dhe siguri të lartë. Propozimi nuk u miratua nga 13 bashkitë e tjera të ishullit. Në vitin 2008 deputeti i SYRIZA të zonës, Nikos Gjeorgjiadis deklaronte se jo vetëm do e mbështeste projektin por se kishte arritur edhe nivel të lartë diskutimet me palën shqiptare dhe se pritej realizimi i një marrëveshje zyrtare së shpejti.
Ministre e Jashtme e atëhershme, Dora Bakojani, nuk i konfirmoi kurrë deklaratat. Çështjen e mori përsipër deputeti i Korfuzit atëherë, sot ministër i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias i cili ishte pro digës brenda territorit. Deri më sot asnjë vepër nuk është kryer në këtë drejtim në Korfuz, çështja mbetet pezull. Kështu, kryebashkiaku aktual i Korfuzit Verior dhe ideatori i furnizimit me ujë nga Shqipëria i rikthehet sërish çështjes në fillim të vitit 2022, në një drekë pune me deputetin e SYRIZA Alekos Avlonitis i cili gjithashtu ka theksuar se një projekt i tillë me Shqipërinë varet nga një sërë marrëveshjesh dypalëshe me afate të gjata dhe se ka shumë gjasa të mbetet peng e një sërë ngërçeve ligjore, kështu ka propozuar që kryebashkiaku Mahimaris të përqendrohet në projektin e digës në ishullin e Korfuzit, projekt brenda territorit të vendit.
Në 25 maj 2022 kryebashkiaku Jorgos Mahimaris publikon një draft të hartuar me detaje, bazuar në veprën e realizuar me sukses për ishujt e Argosaronikos, Egjina dhe Salamina, në 1991-1994. Kostoja totale e parashikuar e ndërtimit të tubacioneve dhe rezervuarëve është 39.5 milionë euro plus TVSH-së. Konkretisht, përveç shifrave të çdo hapi të realizimit të projektit, referon në lidhje me Shqipërinë se: “Projekti do të ketë kosto të ulëta operative, pasi nuk nevojiten: Njësia e pastrimit të ujit, për shkak të cilësisë së shkëlqyer të ujit të burimit në Syrin e Kaltër.
Paralelisht, propozimi realizohet brenda një afati të shkurtër kohor, pasi jemi në dijeni që pala shqiptare ka vullnet pozitiv e në plan ndërtimin e veprave të duhura në territorin e tyre, kështu që mbetet vetëm pjesa e projekteve që kanë të bëjnë me territoret tona (12-15 milionë).” Si një aset që duhet shfrytëzuar bashkiaku shton në paragrafin e fundit të projektit dhe nivelin e marrëdhënieve bilaterale duke theksuar se “Vlen të theksohet se takimet e fundit në nivel të lartë qeveritar të ministrave të Jashtëm Nikos Dendias, të Brendshëm Mavroudis Voridis me homologët e tyre në qeverinë shqiptare po zhvillohen në një atmosferë mjaft konstruktive, me simpati për forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes fqinjëve”.