MENU
klinika

Çfarë di "kolegu"?

Misteri në Fier, disa të shoqëruar për vrasjen e rojes

12.06.2022 - 11:21

Mbulohet me misteri vrasja e 68-vjeçarit Petraq Gjika, nga Grecallia e Fierit, i cili punonte si roje në një serrë në Mbrostar të Fierit.

Edhe pse kanë kaluar mbi 24 nga kjo ngjarje e rëndë, policia nuk ka nxjerrë ende asnjë informacion të ri mbi këtë ngjarje dhe nuk bën në dije për të ndaluar të dyshuar për këtë vrasje.

Sipas burimeve për ABC, mësohet se ditën e djeshme deri në mbrëmje vonë Policia e Fierit ka shoqëruar mjaftë banorë të zonës Mbrostar dhe Vajkan, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se në polici janë shoqëruar dy barinj nga Vajkani dhe pasi kanë dhënë dëshminë e tyre janë liruar.

Ndërkohë edhe banorë të tjerë të shumte janë pyetur lidhur me këtë ngjarje, që mund të kenë pasur kontakte gjatë mbrëmjes ose natës së ngjarjes.

Shumica e banorëve kanë dhënë dëshmitë dhe janë larguar. Por ka mbetur ende në polici, një roje e një prej lokaleve të zonës, që ndodhet buzë rrugës së vjetër Vajkan – Ardenicë, pranë serave ku bënte rojen Petraq Gjika, i cili dyshohet se mbrëmjen e ngjarjes së djeshme, ka qenë me të ndjerin dhe dyshohet se mund të kenë konsumuar pije alkoolike së bashku.

Mësohet gjithashtu se thika me të cilën është kryer vrasja nuk është gjetur ende. Autori pasi ka kryer krimin ka ndërruar rrobat dhe është larë në çezmën pranë rrugës.

Sakaq, dyshohet se viktimën e ka tërhequr zvarrë dhe më pas e ka mbuluar me plastmas. Dyshimet janë që autori ka fshehur jo vetëm thikën, por edhe rrobat që kishte veshur, pasi mendohet që kanë qenë me shenja gjaku.

Ndërkohë në fshatin Grecalli, ku banonte Petraq Gjika, duket gjithçka heshtje totale.