MENU
klinika

Analiza e New York Times

NATO po zgjerohet. Komplimente Putin!

30.06.2022 - 08:30

Një nga qëllimet e Presidentit Vladimir Putin për pushtimin e tij në Ukrainë ishte të përmbyste ekuilibrin e fuqisë ushtarake në Evropë. Putin e ka arritur këtë qëllim, por sigurisht jo në mënyrën që ai synonte.

Në vend që të forconte Rusinë dhe ta dobësonte NATO-n, Putin tani përballet me një aleancë më të bashkuar se në çdo kohë tjetër që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, më i vendosur për të frenuar revanshizmin rus dhe – me dy fuqi të mëdha të Evropës Veriore, Suedinë dhe Finlandën, që kërkojnë anëtarësim.

Por në nxitimin për t’iu kundërvënë Putin dhe për të penguar Rusinë nga një agresion i tillë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk duhet të neglizhojnë zgjedhjet fatale që do të bëjnë.

Ata duhet të qartësojnë se çfarë duan realisht të jetë aleanca e tyre dhe çfarë përfshin anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës.

Zemra e aleancës, neni 5, premton se çdo anëtar do të dalë në mbrojtje të çdo anëtari, në rast sulmi.

Përgjigjja e disa prej pyetjeve ekzistenciale të aleancës do të thotë gjithashtu të bindësh amerikanët se zgjerimi i NATO ia vlen, pavarësisht kostove të mundshme.

Disa zgjerime të NATO-s kanë ardhur pas një debati serioz në Senatin e SHBA, me ligjvënësit që kanë ngritur shqetësime për aleancën.

Shqetësimet përfshijnë koston e dislokimeve ushtarake të SHBA-së, megjithëse, ndryshe nga pranimi i vendeve më të vogla me ushtri të vogla, Suedia dhe Finlanda do të rrisnin ndjeshëm fuqinë e NATO-s.

Kritikë të tjerë kanë pyetur veten nëse neni 5 i traktatit të NATO-s, i cili shpall një akt agresioni kundër një anëtari një akt kundër të gjithë aleancës, e privon Kongresin nga roli i tij i ligjshëm në shpalljen e luftës.

Pa luftën në Ukrainë, zgjerimi i NATO-s në vendet nordike nuk ishte në mendjen e askujt. Suedia nuk kishte bërë një luftë për 200 vjet dhe Finlanda kishte prej kohësh një politikë të mosangazhimit ushtarak, megjithëse të dy vendet janë anëtarë të Bashkimit Evropian.

Por pushtimi rus ndryshoi qëndrimet e publikut me shpejtësi dhe në mënyrë dramatike.

Të dy vendet dërguan menjëherë furnizime dhe armë në Ukrainë. Sondazhet e opinionit publik në Finlandë dhe Suedi me fillimin e luftës gjetën mbështetje për anëtarësimin në NATO në 65 për qind në Finlandë dhe 57 për qind në Suedi.

Të dy kombet kanë ushtri të forta që mund të integrohen lehtësisht në operacionet e NATO-s, dhe të dy vendet janë demokraci të forta, një parakusht për anëtarësim.

Procesi i anëtarësimit në NATO nuk është automatik. Shtetet e reja anëtare kërkojnë pëlqimin unanim të të 30 vendeve anëtare ekzistuese të NATO-s. Në Shtetet e Bashkuara, zgjerimi do të kërkojë mbështetjen e të paktën 67 senatorëve. Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ai pret që të dy vendet të kenë një proces të shpejtë. Si Suedia ashtu edhe Finlanda janë pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s, një lloj statusi anëtar i asociuar.

Ndryshimet në NATO do të ndihmojnë vendet anëtare evropiane të përqendrojnë vëmendjen e tyre në sfidat e sigurisë me të cilat përballet kontinenti dhe gjithashtu duhet të theksojë se të gjithë anëtarët duhet të paguajnë pjesën e tyre të drejtë.

Prej vitesh, presidentët amerikanë janë mbështetur te Evropa për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen e saj.

Vendet e NATO-s kanë një objektiv të shpenzojnë 2 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen. Megjithatë, pak vende e përmbushin, gjë që çon në ndjenjën e përhapur se amerikanët kanë subvencionuar mbrojtjen evropiane. Donald Trump nuk gaboi kur qortoi partnerët e NATO-s se nuk mbajtën pjesën e tyre të barrës së mbrojtjes.

Kjo ka nisur të ndryshojë. Vetëm disa ditë pas luftës, Gjermania njoftoi se do të rriste buxhetin e saj ushtarak me 105 miliardë dollarë. “Për një kohë të gjatë, ne besuam se fuqia ekonomike ishte e mjaftueshme. Por ngjarjet e javëve të fundit kanë treguar se ne gjithashtu kemi nevojë për një ushtri të fortë”, tha një oficer gjerman në pension për The Times.

Qeveria ruse paralajmëroi për pasoja të rënda nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen aleancës, duke përfshirë vendosjen e trupave shtesë në rajonin e Balltikut. Finlanda dhe Rusia ndajnë një kufi prej 810 miljesh dhe Gadishulli Kola është shtëpia e Flotës Veriore të Rusisë. Shën Petersburgu, metropoli i dytë më i madh i Rusisë, është vetëm 100 milje larg nga kufiri finlandez.

Suedia dhe Finlanda do të sjellin me vete ushtri të rëndësishme moderne, shumë profesionale në aleancën e NATO-s, veçanërisht nëndetëset dhe avionët luftarakë. Forcat finlandeze dhe suedeze tashmë kryejnë stërvitje me trupat e NATO-s dhe shumë pajisja është e ndërveprueshme.

Dhe të dy kombet janë në krye të përpjekjeve evropiane për të luftuar dezinformimin nga Rusia.

Askush nuk duhet të injorojë Putinin ose veprimet e tij. Megjithatë, lista e provokimeve ruse (ndërhyrja në zgjedhje në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe Spanjë; pushtimet e Krimesë dhe Gjeorgjisë; dhe një fushatë vrasjesh duke përdorur armë kimike, për të përmendur vetëm disa) është tani kaq e gjatë dhe kërcënimi legjitim që paraqet për Evropa aq akute saqë dëshira e finlandezëve dhe suedezëve për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e NATO-s është plotësisht e kuptueshme.

Lufta e Putin në Ukrainë po ndryshon ekuilibrin e sigurisë në Evropë, ndonëse jo ashtu siç e imagjinonte ai.

Në këtë moment fatal, NATO duhet të ketë një strategji serioze jo vetëm për të frenuar Rusinë, por edhe për veten, qëllimin dhe gatishmërinë e saj për të ndarë realisht atë barrë.

Burimi: New York Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza e Joschka Fischer/ Project Syndicate

BE duhet të përballojë jo një, por tre fqinj problematikë!