MENU
klinika

Analiza

BE izolon Rusinë, Serbia forcon lidhjet me “aleaten e vjetër”

03.06.2022 - 13:58

Teksa Bashkimi Evropian përpiqet të izolojë Rusinë dhe të reduktojë importet e naftës, kandidatja e BE-së Serbia po forcon lidhjen e saj me Moskën përmes një marrëveshjeje të re për furnizimin me gaz.

Beogradi e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës në Kombet e Bashkuara, por ka refuzuar të marrë pjesë në sanksionet kundër aleatit të tij të vjetër, edhe pse Serbia synon të anëtarësohet në BE.

Një ditë përpara se evropianët të binin dakord të ndalonin shumicën e importeve të naftës ruse këtë javë, Beogradi njoftoi një kontratë trevjeçare të gazit natyror me Moskën, duke sjellë kritika nga Brukseli.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç zbuloi marrëveshjen “shumë të favorshme” të gazit — me “kushtet më të mira në Evropë” — pas një telefonate me Vladimir Putinin e Rusisë të dielën.

“Ne do të kemi një dimër të sigurt”, u mburr lideri populist, duke shtuar se në dimër, Serbia do të paguajë “një të dhjetën” e çmimit të paguar nga vendet e tjera evropiane.

Duke marrë parasysh lidhjet miqësore të Beogradit me Moskën, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të vizitojë kryeqytetin e vendit ballkanik në fillim të javës së ardhshme, tha të premten ministria e jashtme në Moskë.

Lavrov do të takohet me Vuçiqin, homologun e tij serb Nikola Selakoviç dhe patriarkun serb Porfirije.

Zëdhënësi i BE Peter Stano tha se blloku pret që Serbia “të mos forcojë më tej lidhjet e saj me Rusinë”.

“Vendet kandidate, duke përfshirë Serbinë, pritet që në mënyrë progresive të përafrojnë politikat e tyre ndaj vendeve të treta me politikat dhe qëndrimet e miratuara nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë edhe masat kufizuese”, tha Stano në një deklaratë.

Beogradi zyrtarisht shpall se anëtarësimi në BE është një prioritet, por ai vazhdimisht i është shmangur politikave evropiane që janë kundër interesave ruse, ndërsa mediat pro-qeveritare i bëjnë jehonë mesazheve të ashpra që vijnë nga Kremlini.

Zyrtarët serbë kanë akuzuar vendet perëndimore për presion ndaj Beogradit për të vendosur sanksione kundër Rusisë.

“Është sikur ata kaluan dekadën e fundit duke përgatitur shoqërinë serbe jo për pranimin në BE, por për një aleancë me Moskën,” i tha AFP Srdjan Cvijic, anëtar i grupit të mendimit të Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG).

Sipas një sondazhi të fundit të opinionit, 40 përqind e serbëve thanë se do të ishin “të lumtur” nëse vendi i tyre hiqte dorë nga përpjekjet për t’u bashkuar me BE dhe në vend të kësaj të krijonte një aleancë me Rusinë.

Beogradi hodhi poshtë nocionin se gazi i lirë ishte “shpërblimi” i Kremlinit për mosdëgjimin e thirrjeve për sanksione.

“Të gjithë ata që na akuzojnë se nuk kemi vendosur sanksione kundër Rusisë për shkak të një marrëveshjeje gazi duhet të kenë turp për veten e tyre”, tha kryeministrja serbe Ana Brnabiq për mediat lokale.

Lavrov u tha mediave serbe se Moska ishte “e sigurt se ata (serbët) do të vazhdojnë të bëjnë zgjedhjen e duhur në këtë situatë”.

Presidenti i Serbisë ka theksuar rëndësinë diplomatike të refuzimit të Rusisë për të lejuar njohjen ndërkombëtare të provincës së shkëputur të Serbisë të Kosovës dhe lidhjet historike, politike dhe kulturore midis Beogradit dhe Moskës.

Por realiteti është se kishte pak hapësirë ​​për manovrim nga Beogradi.

Marrëveshja e mëparshme e gazit me Rusinë — e cila ishte gjithashtu shumë nën çmimin e tregut — ishte gati të skadonte pa asnjë alternativë të mundshme në të ardhmen e afërt.

Në dekadat e fundit, Serbia gradualisht i lejoi Moskës monopol pothuajse të plotë mbi sektorin e saj energjetik duke ndërtuar tubacione vetëm për gazin rus dhe duke shitur pjesën më të madhe të aksioneve të kompanisë së saj të naftës dhe gazit (NIS) gjigantit rus të energjisë Gazprom.

Marrëveshja e vitit 2008, e nënshkruar vetëm disa muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë, u pa gjerësisht si një ‘lëshim’ politik — duke lejuar Moskën të lidhë një tubacion të madh evropian të gazit përmes Serbisë në këmbim të vetos nga Kremlini për njohjen e Kosovës në OKB.

“Është e qartë se gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur një grup lobist të mirëorganizuar që ka mbrojtur monopolin dhe ende vazhdon ta bëjë këtë,” tha Vasiç.

Burimi: France 24

Përktheu dhe përshtati: Konica.al