MENU
klinika

Intervistë e Presidentit slloven

“Nga ‘Ballkani i hapur’ do të përfitonin të gjithë!”

05.06.2022 - 13:22

Prejse Sllovenia ka shpallur pavarësinë në vitin 1991 e deri më tani, Borut Pahor, ka pasur funksionet kryesore në politikën sllovene. Nuk ka pozicion të rëndësishëm institucional që Pahor nuk e ka udhëhequr. Sot president, ai më parë ishte kryeministër, kryeparlamentar, euro-deputet, deputet dhe një nga figurat më të rëndësishme në politikën ballkanike.

Prandaj, presidenti slloven di çfarë flet, kur thotë se iniciativat për bashkëpunim ballkanik janë tejet të rëndësishme.

Në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, në fund të mandatit të tij si kryetari i shtetit slloven, Pahor ka deklaruar se njëjtë, si disa nisma të tjera për Ballkanin, ai mbështet edhe atë që filloi si Mini-schengen dhe përfundoi në Open Balkan.

“Unë mbështes fuqishëm të gjitha iniciativat që i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon. Mbështes Procesin e Berlinit, Procesin e Bashkëpunimit të Shteteve të Evropës Juglindore (SEECP), Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), por gjithashtu mbështes Ballkanin e Hapur”, deklaron Pahor për Albanian Post.

Për më tepër, thotë ai, “iniciativa e Ballkanit të Hapur ka potencialin për të rritur bashkëpunimin ekonomik në mes shteteve në një nivel krejt të ri, ku do të përfitonin të gjithë”.

Presidenti slloven është i bindur se Ballkani i Hapur, iniciativa ku Kosova vazhdon ta refuzojë pjesëmarrjen, “do të kontribuonte te secili shtet individualisht që të përgatitet më mirë për Bashkimin Evropian”.

“Gjithsesi, dhe për këtë dua të jem shumë i qartë, iniciativa e Ballkanit të Hapur nuk është alternativë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Asnjë bashkëpunim rajonal nuk është alternativë për anëtarësim në BE”.

Pahor është në mandatin e tij të dytë si president i Sllovenisë. Mandati i dytë 5 vjeçar i përfundon në dhjetor të këtij viti. Edhe po të donte, Pahor më nuk mundet të garojë më për këtë pozitë, meqë me Kushtetutë nuk lejohen më shumë se dy mandate në këtë post.

Ai ka shumë vjet në politik, por është vetëm 58 vjeçar, prandaj, pas përfundimit të detyrës si president slloven, është përfolur për disa pozita të tjera të rëndësishme, që e tejkalojnë politiken nacionale sllovene. Ka pasur lajme se ka mundësi që të jetë pasuesi i Miroslav Lajcakaut, në pozitën e ndërmjetësuesit të angazhuar nga Bashkimi Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi.

Në përgjigjen e tij për Albanian Post, Pahor e ka mohuar, por jo përjashtuar krejtësisht këtë opsion.

“Unë jam presidenti i Republikës së Sllovenisë. Po fokusohem në detyrat e mia aktuale dhe do të mentojë për cfarë të bëjë në të ardhmen, vetëm pasi të përfundojë termin tim në zyrën e presidentit”, deklaroi ai.

Sa për punën e sllovakut Lajcak, Pahor thotë se jo vetëm ai, por kushdo tjetër në vend të tij, s’do mund të bënte më shumë, meqë s’u takon ndërmjetësuesve të gjejnë zgjidhje kur atë nuk e bëjnë vetë shtetet e angazhuara në dialog.

“Asnjë fasilitues, asnjë ndërmjetësues apo përfaqësues i lartë nuk mund të bëjë shumë, nëse vetë shtetet nuk janë krejtësisht të përkushtuara për të zgjidhur çështjet e tyre të hapura”.

Këshilla e Pahor është që “u takon autoriteteve në Prishtinë që të definojnë qëllimet e tyre, dhe të zgjedhin një taktikë që si t’i arrijnë ato qëllime”.

“Unë nuk jam këtu për të gjykuar, por për këtë nuk është as zotëri Lajcak”, pohon Pahor, duke shtuar se “Lajcak është aty në emër të komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar”.

“Thjesht kaq, për të ndihmuar, jo për të bërë punën që duhet ta bëjnë Prishtina dhe Beogradi”.

Dhe në sytë e Pahor, këtë punë nuk po e bëjnë në nivelin e duhur as njëra palë.

“Përshtypjet e mia janë se pozicionet fillestare të të dyja palëve, edhe Beogradit edhe Prishtinës, janë shumë të ndara. Ndoshta edhe më shumë se në qeveritë e kaluara në Kosovë. Duket se ka mungesë besimi në mes të dy palëve”, deklaron Pahor.

Si një politikan i angazhuar për raporte të shëndosha në Ballkan, Pahor thotë se ai vetë, do të dëshironte të shihte “më shumë bashkëpunim në rajon, fqinjësi të mirë, reforma më të shpejta dhe më shumë përpjekje për pajtim”.

“12 vjet më parë, kam iniciuar Procesin e Brdo-Brijuni-it, një platformë për liderët e rajonit që të diskutojnë hapur çështje të ndryshme që i preokupojnë. Do të doja t’ua kujtoja se Procesi i Brdo-Brijuni-it ishte forumi i parë ndërkombëtar ku Prishtina dhe Beogradi përfaqësoheshin në nivelin më të lartë, dhe uleshin në të njëjtën tavolinë. Procesi i Berlinit u zhvillua mbi bazën e asaj eksperience”.

Kosova në NATO? Mbase s’është momenti më i mirë tani, thotë Pahor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fund të muajit të kaluar, në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, pohoi se Kosova po përgatitet që të aplikojë për anëtarësim në NATO, ashtu siç aplikoi në Këshillin e Evropës.

Por Pahor, që si president i Sllovenisë, është edhe komandat suprem i forcave të armatosura, derisa ka deklaruar se “shpresojmë që një ditë Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës”, sa i përket NATO-s, ka folur me skepticizëm për momentin kur po synohet ky aplikim.

“Jam i shqetësuar me impkatin e luftës në Ukrainë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, dhe u bëj thirrje liderëve që të përmbahen nga çfarëdo akti që do ta përkeqësonte situatën në rajon”, thotë Pahor.

“Kosova ka vendosur bashkëpunim me NATO-n, ashtu si edhe Serbia, edhe pse në forma të ndryshme. Jam i sigurt që bashkëpunimi mes Kosovës dhe NATO-s mund të forcohet tutje, por në të njëjtën kohë, nuk jam i sigurt se tani është koha e duhur që të aplikohet për anëtarësim në NATO”.

Opsioni i ndryshimit të kufijve dhe pozicioni i Pahor në këtë çështje

Vitin e kaluar ishte publikuar një dokument nga mediat sllovene ku thuhej se kryeministri i atëhershëm i Sllovenisë, Janez Jansha, i ka propozuar komunitet ndërkombëtar një zgjidhje që parasheh lëvizje të kufijve në Ballkan.

Pahor e pati kundërshtuar prej kohësh një ide të tillë. Arsyet për të janë të qarta. Mendon se diçka e tillë, në Ballkan, në mënyrë paqësore, s’mund të bëhet dot.

“Në parim, u takon gjithmonë shteteve që të pajtohen në kufijtë e përbashkët. Vendet mbajnë përgjegjësi për raportet e tyre fqinjësore dhe zhvillimet paqësore. Por, në rastin e Ballkanit Perëndimor, jam më së i sigurt se ndryshimi eventual i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të çonte në ndryshim të kufijve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe kjo do të çonte në luftë”, deklaron Pahor.

Sa i përket non-paper-it të famshëm, Pahor thotë se nuk e ka parë, dhe se ishe befasuar nga deklarimet e Milorad Dodik, i cili deklaronte “që unë kam përdorur fjalor që mund të interpretohet si avokim për ndryshim kufijsh”.

“Mund ta përsëris që jam kundër një ideje të tullë, sic besoj fuqishëm se është pothuajse e pamundur që ndryshimi i kufijve do ndodhte në mënyrë paqësore”.

Më shumë BE në Ballkan, nënkupton më pak Federatë Ruse

Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë që ka refuzuar t’i vendos sanksione Rusisë, pas luftës që nxiti në Ukrainë.

Borut Pahor ka refuzuar të jap një përgjigje për këtë pozicion të Serbisë në mënyrë direkte, porse ka pohuar se përgjigja kundër influencës ruse në Ballkan, është integrimi sa më i shpejtë i këtij rajoni në strukturat e Bashkimit Evropian.

“Ka një shqetësim se lufta në Ukrainë mund të rrëshqas në Ballkanin Perëndimor. Rajoni ka përjetuar luftën jo shumë kohë më parë, dhe situata e sigurisë në shumë vende të Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë fragjile. Prandaj unë argumentoj për një zgjerim më të shpejtë të BE-së. Sa më shumë që BE do jetë prezentë në Ballkanin Perëndimor, aq më pak hapësirë për Federatën Ruse. Siç e them shpesh, BE-ja është përgjigja për të gjitha pyetjet në Ballkanin Perëndimor”.

"Kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe"

Bajram Begaj i jep shtetësinë shqiptare Dua Lipës

“Dy emra të mëdhenj mungojnë në këtë sallë”

Rama kujton Rugovën dhe Thaçin: Misioni vazhdon…

Berisha: Do të jetë protesta më e jashtëzakonshme...

A do tërhiqet nga tubimi i 6 dhjetorit pas refuzimit të lejes nga policia?

"Ai është armiku i Shqipërisë dhe Kosovës"

Berisha flet jashtë parlamentit në një kohë me Ramën

Albin Kurti flet nga Kuvendi i Shqipërisë

“Të pranojmë kritikat dhe të punojmë së bashku”