MENU
klinika

"Rama, rol kyç..."

Pakti detar me Greqinë, Dendias: Nxisim procesin në Hagë!

20.06.2022 - 09:45

Greqia insiston për nxitje të dërgimit në Hagë të dosjes së çështjen e detit. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, iu rikthye serish marrëdhënieve me Shqipërinë dhe çështjes së zgjidhjes së detit, në një intervistë të dhënë së fundmi për gazetën “Naftemporiki”. Dendias zbardhi të pathënat e vizitës në Tiranë, sipas të cilit me palën shqiptare u diskutuan mundësitë për ta nxitur procesin në Hagë.

I pyetur nëse pas zgjedhjes së Presidentit të ri shqiptar, do të mund të ketë zhvillime të shpejta sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes së përbashkët për përcaktimin e ZEE-së me Shqipërinë në Gjykatën e Hagës, ai është përgjigjur:

“Siç dihet, tashmë ka një marrëveshje politike midis Greqisë dhe Shqipërisë për referimin e çështjes së kufirit të ZEE-së mes dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila u arrit gjatë vizitës sime në Tiranë, në tetor 2020. Rol kyç në arritjen e kësaj marrëveshje ka luajtur edhe Kryeministri, z.Rama. Hartimi i saj u është besuar shërbimeve kompetente të dy vendeve që janë në komunikim të drejtpërdrejtë”.

Dendias ka folur edhe për vizitën e fundit në Tiranë, duke nënvizuar se me palën shqiptare është rënë dakord që për mundësitë dhe mënyrat për të nxitur këtë proces.

“Synimi është që të jemi në gjendje të paraqesim këtë marrëveshje të përbashkët në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mbyllet një çështje që mbahet pezull për kaq vite, por edhe për të dhënë një shembull të qartë për të gjitha vendet e rajonit në tërësi se si zgjidhen mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve në bazë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe në veçanti të së Drejtës së Detit”, tha ndër të tjera ministri i Jashtëm grek.

Kujtojmë se në një intervistë të mëparshme, të dhënë para 3 javësh, menjëherë pas vizitës në Tiranës, Dendias deklaroi se për të çuar çështjen e ndarjes së detit, Greqia dhe Shqipëria do të presin ikjen e Presidentit Ilir Meta. Dendias ka folur për Radion “SKAI 100.3 FM”. Ai përmendi se Meta ende nuk ka dhënë autorizim për këtë çështje. Kjo solli edhe reagimin e Metës, i cili shprehu keqardhjen duke thënë se nuk ka pasur asnjë autorizim lidhur me këtë çështje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çështja e detit, zgjidhet me Presidentin Begaj?

Dendias: Marrëveshja shqiptaro-greke, sa më shpejt në Hagë