MENU
klinika

Analiza

Pas luftës në Ukrainë, zgjerimi i BE-së në plan të parë

23.06.2022 - 17:54

Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e rajonit në Bashkimin Evropian u përsëritën qartë dhe pa mëdyshje gjatë Samitit të BE-së me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zyrtarët e BE-së konfirmuan se lufta në Ukrainë e ka vënë sërish në plan të parë zgjerimin e BE-së, që nënkupton përparim në negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe përmirësimin e marrëveshjes politike në mes të liderëve të Bosnjes e Hercegovinës.

Konferenca për shtyp pas pjesës hyrëse të samitit, ku pritej të flisnin liderët e vendeve të BE-së dhe që ishte planifikuar të mbahej rreth mesditës, u anulua.

Mësohet se shumë liderë janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe presin që kjo çështje të ngrihet në të ardhmen. Ky takim nuk ishte një mbledhje vendimmarrëse.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të Samitit tha se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.

“Kemi dëgjuar deklarata mbështetëse për Kosovën, së pari për prespektivën e qartë në BE dhe liberalizimin e vizave. Por, tani na duhet të shkojmë nga fjalët në vepra”, tha ajo.

Sipas Osmanit, kësaj radhe ka pasur edhe më shumë deklarata mbështetëse për liberalizimin e vizave sa më herët.

“Duhet të them se këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”, tha Osmani.

Rriten gjasat për liberalizimin e vizave, por s’ka garanci

Në një deklaratë për media, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se gjatë samitit shumë pjesëmarrës kanë folur për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Në plan të parë ishte çështja e fillimit të procesit negociator me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe bashkë me të edhe çështja e sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Përveç kësaj, ata folën për dhënien e statusit kandidat jo vetëm për Ukrainën dhe Moldavinë, por gjatë bisedimeve u fol shumë për marrjen e statusit kandidat për Bosnjen e Hercegovinën. Pra, le të shpresojmë që tonet nga ky takim të jenë mjaft frymëzuese për punën e pasdites së sotme të Këshillit Evropian.”

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të garës do të jetë mundësia e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

Nga Kosova në këtë takim mori pjesë presidentja Vjosa Osmani.

Gjatë fjalimit në samit, presidentja Osmani kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.

“Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, shtoi Osmani.

Presidentja Osmani, po ashtu, tha se vlerat e BE-së rrezikojnë të zhvleftësohen pa një perspektivë të qartë me rajonin. Sipas saj, mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj aktorëve dhe kërcënimeve malinje.

“Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë”.

Osmani deklaroi se lufta në Ukrainë ka shënuar një pikë kthese për kontinentin evropian dhe se ka ripërcaktuar të ardhmen e tij.

“Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu”.

“Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit”.

Pritjet e opinionit kosovar nga samiti kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Vërehet se ka rritje të mbështetjes që liberalizimi të bëhet sa më shpejt, por nuk ka pasur indikacione konkrete se kjo do të mund të përfshihej edhe në dokumentet e samitit.

Edhe sa shkallë deri te liberalizimi i vizave?

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, i kërkoi presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që të mbështesë statusin e kandidatit për BeH në seancën e Këshillit Evropian.

Nëse Këshilli Evropian do të japë statusin e kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, atëherë Bosnja duhet të marrë gjithashtu statusin e kandidatit, tha Xhaferoviq gjatë një takimi me Michelin, përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Kovaçevski: Zgjerimi i ngadalshëm, thyerje e kredibilitetit të BE-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, janë shprehur të zhgënjyer me Bashkimin Evropian pas përfundimit të samitit që u mbajt në Bruksel të enjten.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, nuk i kanë nisur ende negociatat për pranim si kandidatë në BE, për shkak të vetos bullgare. Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.

Kovaçevski të enjten tha se e ka refuzuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

“Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë i pranueshëm, duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski në një konferencë të përbashkët me Ramën dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Franca, e cila kryeson me Presidencën e BE-në deri më 1 korrik, ka disa javë që mbështet kërkimin e një zgjidhjeje të mosmarrëveshjes midis dy vendeve.

Propozimi francez përmban disa pika, ndër to: Maqedonia e Veriut duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, se do ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, do t’i rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, do të harmonizojë tekstet shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, do t’i heqë të gjitha tabelat që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndërsa dy vendet do të dërgojnë qëndrime të njëanshme lidhur me pozicionet e tyre për gjuhën maqedonase.

Në konferencën pas samitit të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, Kovaçevski tha se ka shprehur pakënaqësinë me dinamikën e negociatave të pranimit.

“Çfarë ka ndodhur tani është një goditje ndaj kredibilitetit të BE-së”, tha ai.

Pakënaqësinë me mospërparimin në rrugën për anëtarësim në BE e shprehu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeminisitri i Shqipërisë, Edi Rama, ai maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë konferencës së përbashkët me gazetarë pas Samitit në Bruksel.

Kryeminisitri i Shqipërisë, Edi Rama, ai maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë konferencës së përbashkët me gazetarë pas Samitit në Bruksel.

“Më lejoni të shpreh keqardhjen time për BE-në, më vjen keq për ta, shpresoj që mund të ndihmojmë”, tha ai.

Ai tha se nuk ka shpresuar në shumë progres në këtë çështje para ardhjes në samit.

“Ne kemi shumë për të bërë. Derisa ne vazhdojmë në rrugën tonë evropiane, shpresojmë se në shekullin e ardhshëm do të jemi anëtarë”, tha Rama.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, foli lidhur me këtë çështje në konferencë të përbashkët me liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Që të tre liderët, Kovaçeviq, Rama dhe Vuçiç, janë edhe iniciatorët e Ballkanit të Hapur, që synon bashkëpunim ekonomik në mes të tri vendeve.

Presidenti Vuçiç tha se në samit ka shprehur mbështetjen e tij për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Çka u tha para fillimit të Samitit?

Më herët, kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi se në BE ka një atmosferë gatishmërie për të ripërtërirë procesin me Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Foto: 14 qershor 2022, Podgoricë.

Michel konfirmoi se prioriteti kryesor i BE-së tani për tani është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe vazhdimi i kontakteve intensive me Bullgarinë, për të dhënë dritën jeshile për fillimin e procesit.

Mirëpo, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se është i zhgënjyer me mungesën e progresit në negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për pranim në BE.

“Nuk jemi ku do të duhej të ishim me Ballkanin Perëndimor. Sot ne do duhej të lansonim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim. Ende ka shpresa, nuk e di çfarë mund të bëjë Parlamenti bullgar në orët në vazhdim”, tha Borell.

Ai, gjithashtu, përmendi arritjen e marrëveshjes për energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dy ditë më parë. Ai paralajmëroi se “ndoshta deri në fund të muajit mund të kemi një mbledhje tjetër të nivelit të lartë në kuadër të dialogut”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të konfirmuar perspektivën e anëtarësimit të rajonit në familjen evropiane.

“Këto vende kanë punuar shumë në këtë drejtim dhe ne do të mundësojmë që kjo (anëtarësimi në BE) të ndodhë”, theksoi kancelari gjerman.

Rama: Bullgaria ka kidnapuar dy vende të NATO-s

Para samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli lidhur me veton bullgare që ende po e pengon avancimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.

“Është turp që një vend i NATO-s, Bullgaria, kidnapon dy vende tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mes të një lufte të nxehtë në Evropë me 26 vende të tjera që rrinë pa lëvizur duke treguar një pafuqi të frikshme”, tha ai.

Rama foli edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur të inicuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, duke e quajtur shumë të nevojshme.

“Ballkani i Hapur është përgjigja e vërtetë në këtë situatë derisa rruga e integrimit (për në BE) do të vazhdojë sepse nuk ka alternativë tjetër, por shpirti evropian duhet të ndërtohet në rajonin tonë, sepse nuk duhet ta lëmë rajonin të mbetet prapa. Ballkani i Hapur është i hapur për të gjithë”, tha Rama.

Shtetet anëtare të BE-së dhe udhëheqësit e partnerëve të Ballkanit Perëndimor gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Qendrën e Kongresit Brdo, afër Lubjanës, më 6 tetor 2021.

Vuçiç: Nuk pres asgjë

Para gazetarëve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se pret që t’i nënshtrohet sërish presionit për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe deklaroi se ata që e ngrenë këtë çështje do të “marrin përgjigjen e tij”.

“Ne tashmë kemi votuar kundër agresionit në Ukrainë në OKB dhe mbështesim Ukrainën territoriale, ashtu siç mbështesim integritetin territorial të Serbisë, gjë që nuk është rasti me shumë anëtarë të BE-së”, tha Vuçiç në fillim të samitit. I pyetur se çfarë pret nga samiti i sotëm, Vuçiç është përgjigjur shkurt: “Asgjë”.

Përpara takimit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se ai pret që BE-ja të përsërisë angazhimin e saj për të vazhduar procesin e Bashkimit Evropian dhe të krijojë parakushte për integrimin e parashikueshëm të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Është mirë që dialogu në nivelin më të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të vazhdojë. Unë, veçanërisht, mendoj se agresioni kundër Ukrainës theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Gjukanoviç.

Ai vlerësoi se është me rëndësi që Ballkani Perëndimor t’i kthehet dinamikës së mëparshme të mirë të zbatimit të reformave, para së gjithash në fushën e sundimit të ligjit dhe në këtë mënyrë të krijohen kushte që BE-ja të ketë argumente për vazhdimin e politikës së zgjerimit.

Në fund të samitit, sonte vonë, liderët do të miratojnë konkluzionet në të cilat, për herë të parë pas një kohe të gjatë, do të konfirmojnë “angazhimin e qartë për perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE” dhe do të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit i anëtarësimit.

Flamuj të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë dhe të padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draftin e përgatitur për miratim në këtë samit.

Në këtë dokument, një paragraf i veçantë i është kushtuar edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe zgjidhjes së mospajtimeve bilaterale mes vendeve të rajonit.

“Këshilli Evropian rikonfirmon urgjencën për arritjen e progresit të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale dhe rajonale, në veçanti në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në këtë draft. /REL/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Presidenca sllovene e BE-së ‘presion’ Brukselit

“Ballkani Perëndimor të anëtarësohet brenda vitit 2030”

Rutte: Vendet e tjera të rajonit të bashkohen me “Open Ballkan”

‘Nën udhëheqjen e Ramës janë ndërmarrë shumë hapa’