MENU
klinika

Çfarë thuhet në nenin që përcakton detyrat e deputetit

PD, në garë brenda vetes për t’i hequr mandatin Olta Xhaçkës!

21.06.2022 - 09:38

Deputetët e maxhorancës në Konferencën e Kryetarëve rrëzuan për të tretën herë kërkesën e 35 deputetëve të Partisë Demokratike për të ngritur komision hetimor për hetimin e licencave të dhëna për investimet strategjike.

Në një konferencë për mediat, kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, akuzoi maxhorancën se kërkon të zvarrisë një sferë të rëndë korruptive, duke mos lejuar ngritjen e komisionit hetimor.

“Maxhoranca ka vendosur eliminimin e një instrumenti të rëndësishëm, që është komisioni hetimor parlamentar. Ju e dini se sa ecejake ka bërë kjo opozitë në Gjykatën Kushtetuese. Dhe gjykata na ka dhënë të drejtë. Edhe këtë herë është ndjekur e njëjta strategji e dalë boje. Është zvarritje për të penguar hetimin për një sferë të rëndë korruptive që qeveria ka ekzekutuar deri më tani. Kjo çështje do të diskutohet në seancë plenare, ndërsa në ditët në vijim do t’ju bëjmë me dije se përse vendosi kufizimin e komisioneve hetimore. Ne do të ndjekim rrugët ligjore deri në fund”, tha Aliebaj, teksa i cilësoi si antikushtetuese dhe antiligjore justifikimet maxhorancës për të rrëzuar kërkesën e tyre.

“Më 24 maj kemi depozituar kërkesën e parë me 36 nënshkrime. E para ra se gjoja kishte tërhequr firmën njëri nga deputetët. Unë u vetofrova, por kjo u refuzua nga maxhoranca. Më datë 27 maj e paraqitem sërish. U diskutua justifikimi i radhës që sa herë që paraqitet një kërkesë, merren firmat e deputetëve nga e para. Justifikim banal. E përsëritëm sërish kërkesën me të njëjtin objekt dhe u rrëzua sërish me justifikime antikushtetuese dhe antiligjore. Kërkuam që të gjitha praktikat të hetohen me idenë për të parë nëse është zbatuar mirë apo jo ligji nga ana e qeverisë. Pa treguar mirë individët. Justifikimi tjetër ishte se një komision i tillë shndërrohet në makth për investitorët strategjikë. Komisioni që kërkon të shohë se sa korrekt është zbatuar ligji, nuk mund të shndërrohet në makth. Mund të shndërrohet për qeverinë, sepse ata duhet ta zbatojnë ligjin jashtë konfliktit të interesit”, tha Alibeaj.

KUNDËRSHTIMI

Alibeaj nuk pati kundërshtime vetëm nga deputetët e maxhorancës. Teksa Alibeaj ndodhej në Konferencën e Kryetarëve, në selinë blu deputeti i PD-së, Agron Shehaj, nxori dokumentin, në të cilin faktohej se burri i ministres Xhaçka ishte shpallur investitor strategjik për një projekt në Jug të vendit dhe që, sipas tij, Xhaçka ndodhej në kushtet e heqjes së mandatit të deputetit, për shkak se ndodhej në konflikt interesi. Më tej, Shehaj tha se i disponon të gjitha faktet dhe provat që mbështesin akuzën e tij dhe se nisma për komision hetimor vetëm se mund të sfumojë skandalin.

“Ata kanë zgjedhur një komision hetimor. Unë mendoj se për rastin e Xhaçkës nuk është nevoja. Ky nuk është i vetmi rast ku qeveria shpërblen me favore politikanë të tjerë. Anëtarja e qeverisë që përfiton një pronë publike nga vetë qeveria, është një rast unik dhe duhet trajtuar më vete. Kolegët e mi kanë zgjedhur një rrugë tjetër. Por komisioni hetimor në thelb mblidhet për të grumbulluar fakte dhe prova. Ne nuk kemi nevojë për prova të tjera, sepse i kemi të gjitha. Ndaj të kërkosh një gjë të tillë në një kohë që i kemi të gjitha faktet, është e panevojshme. Ne nuk kemi nevojë të bëjmë një hap pas, por duhet të ecim përpara. Ne jemi gati të mbledhim firmat dhe të kërkojmë heqjen e mandatit, kurse ata duan një komision hetimor. S’ka nevojë për të bërë politik me këtë apo për të zbehur aferën. Të gjitha faktet janë publike”, tha Shehaj.

Teksa Shehaj deklaroi se po mblidheshin firmat, grupi i Alibeajt brenda 30 minutave njoftoi se kishte depozituar mocion për të diskutuar vlefshmërinë e mandatit të ministres Xhaçka.

PAVLEFSHMERIA E MANDATIT

Neni 70
1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.
2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.
3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.
Neni 71
1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës zgjedhjeve.
2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Xhaçka, bashkëpronare në kompaninë fituese me bashkëshortin

Kompania “AG. TÇ” SH.P.K, në pronësi të bashkëshortit të ministres Xhaçka, u shpall investitor strategjik për ndërtimin e resortit në Dhërmi, i cili parashikon marrjen e tokës në bregdet në përdorim për 30 vite, më 29 mars të vitit 2021, gjatë kohës që Xhaçka rezultonte e martuar me burrin e saj. Ndërkohë që ligji parashikon që për çdo pasuri që vendoset pas martesës, burrë e grua janë bashkëpronarë të pasurisë me vlerë të përbashkët. Në këto kushte, në momentin që kompania që drejtohet nga bashkëshorti i ministres është shpallur investitor strategjik, atëherë përfitues ka qenë edhe deputetja e PS-së, njëkohësisht ministrja e Jashtme. Kjo e bën Xhaçkën në kushtet e konfliktit të interesit dhe i rrezikon mandatin. Duket se edhe ministrja ka qenë e vetëdijshme për një gjë të tillë, ndaj më 25 qershor 2021 krijuan kompaninë e kunatës së ministres. Për të shmangur formalisht shkeljen e ligjit, krijohet kompania “AGTÇ HOTEL MANAGEMENT”, në pronësi të kunatës së ministres Xhaçka, shtetases amerikane znj. Sutton, e cila prej vitesh jeton në Tiranë dhe bashkëjeton me vëllain e ministres Xhaçka. Kryeministri Rama ndryshon vendimin e datës 22.02.2021 dhe shton kompaninë e kunatës si investitore strategjike. Ndërkohë, më 2 mars të këtij viti, kunata e ministres merr pronën publike në përdorim.