MENU
klinika

Revolucionari i letrave

Profeti i vetëshpallur: Çe!

15.06.2022 - 16:49

        Shkencëtar, adhurues udhëtimesh, revolucionar. Ky është portreti i Ernesto “Çe” Gevarës, që shfaqet në koleksionin e letrave të tij, me materiale të ruajtura prej kohësh në arkivat kubane./Konica.al

“Të përqafoj me gjithë entuziazmin tim revolucionar: Letra 1947-1967” fillon me Gevarën, si 19-vjeçar në vendlindje, Argjentinë, përfshin nismat e ndërmarra në Amerikën Latine dhe Kongo dhe përfundon muaj para vdekjes së tij në Bolivi. Gevara është një letërshkrues i shkëlqyer, për më tepër koleksioni nxjerr në pah pjekurinë e intelektit të tij rinor. Një hulumtues mjekësor dhe një kritik social i rreptë, ai është vetë zgjuarsia që e përshkruan veten si “profet i vogël endacak, i cili, me zë të lartë, shkon vërdallë duke shpallur ardhjen e ditës së gjykimit të fundit”.

Angazhimi komunist i profetit endacak u ngjiz që herët, teksa vërejti nga afër pabarazitë e mëdha të Amerikës Latine gjatë udhëtimeve me motor nëpër Amerikën e Jugut në vitin 1952 dhe udhëtimeve nëpër Amerikën Qendrore, nga viti 1953 deri në 1956. Në Kosta Rika, dëshmitar okular i trajtimit të punëtorëve vendas nga kompania shumëkombëshe amerikane “United Fruit”, Gevara i shkruan tezes: “U betova para fotografisë së shokut të vjetër të vajtuar së fundmi, Stalinit, të mos ndalem derisa t’i shoh këta kapitalistë oktapodë, të asgjësuar”.

Njëherazi me fuqinë e ideologjisë, letrat theksojnë përkushtimin që ai kishte karshi shkencës. Duket se Gevara ishte drejt përfundimit të mjekësisë në Amerikën Latine. “Unë jam i sigurt, –  shkruan në 1954, – se nëse arrij fazën time të vërtetë krijuese rreth të 35-ve, shqetësimi im i veçantë ose të paktën kryesor, do të jetë fizika bërthamore ose gjenetika, apo ndonjë fushë tjetër që bashkon më së shumti aspekte interesante të njohurive”.

Pavarësisht se shpesh e krahason veten me Don Kishotin, kalorësi endacak ëndërrimtar dhe kalorësiak i Servantesit, letrat e Gevarës tregojnë një mungesë sentimentalizmi. Nga Guatemala, ai u shkruan prindërve: “Nuk e di nëse jeni në dijeni për martesën time dhe presim së shpejti një trashëgimtar… nëse është kështu, unë po u bëj njoftimin zyrtar, që ju të mund t’ua tregoni të tjerëve: Jam martuar me [Hilda] Gadean dhe po presim një fëmijë”.

Hera-herës shohim një anë të ndjeshme.

Nga fushata shkatërrimtare në Bolivi, njeriu që rrëfeu se nuk dinte sesi ta përçonte dashurinë e tij, i shkroi gruas së dytë: “Ka ditë kur ndihem kaq i përmalluar për shtëpinë, saqë ma rrëmben gjithë kontrollin. Sidomos për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, nuk mund ta imagjinoni se sa shumë më mungojnë lotët e tu ritualë, nën qiellin e stërpikur me yje që më kujton se, sa pak i kam marrë jetës sa u përket ndjesive vetjake”.

Jepen shembuj të shumtë të shkrimit të zhdërvjellët epistolar, megjithëse ndonjëherë fjalët e Gevarës i zhgënjejnë korrespondentët e tij.

Në vitin 1963, Gevara, ministër tashmë në qeverinë kubane të udhëhequr nga Fidel Kastro, i thotë një historiani: “Gjëja e parë që një revolucionar duhet të bëjë në shkrimin e historisë, është t’i përmbahet aq fort të vërtetës sa gishti në dorezë. E bëre këtë, por ishte një dorezë boksi”. Koleksion do jetë pikë referimi për studiuesit, por, ngaqë shumë prej letrave janë botuar me kontekste të pamjaftueshme, përshtatja për lexuesin e përgjithshëm është më e kufizuar./Konica.al

Redaktorët e Gevarës, historianë në arkivin “Che Guevara” në Havanë, ofrojnë shënime ndihmuese, por koleksioni bie ndesh me shpjegimet e deklaratave kontradiktore të Gevarës. Për shembull, Gevara i thotë një shoku se ai nuk “beson në eksportimin e revolucioneve”. Kjo i tingëllon çuditshëm lexuesit, veçanërisht duke pasur parasysh se në pjesën e fundit të koleksionit, redaktorët vërejnë: “Siç kishte qenë qëllimi i tij që nga momenti kur ai nënshkroi për t’u bashkuar me… luftën kundër diktatorit Batista, Çe e drejtoi shikimin në zgjatjen e Lëvizjes revolucionare në Amerikën Latine kontinentale, duke nisur nga Bolivia”.

 

Në dy letra nga periudha e tij kubane, Gevara, i cili, siç dihet, prej kohësh besonte në marksizëm, mohon se është komunist. Do të ishte e arsyeshme, që redaktorët të shpjegonin se Kastro u përpoq të ndalonte ndikimet komuniste në lëvizjen e tij dhe se revolucioni mori orientim majtas, vetëm pasi mori pushtetin. Pa këtë kontekst, lexuesi mund të pyesë veten pse Gevara, zakonisht i sinqertë ndaj gabimeve, po tregohet kaq i pasinqertë.

Gevara ishte i ndërlikuar. Siç u shkruante prindërve në një nga mesazhet e fundit: “Unë jam jashtëzakonisht i ashpër në veprimet e mia dhe mendoj se ndonjëherë, nuk më kuptoni”. Ata që dëshirojnë ta kuptojnë më mirë, do t’u duhet t’i thellojnë më tepër hulumtimet për revolucionarin./Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN