MENU
klinika

Banorët kërkojnë largimin e depozitave të gazit

Frikë nga një ‘Gërdec i dytë’, protestë në Porto Romano

29.06.2022 - 12:41

Për të dytën herë në harkun kohor të 10 ditëve, banorët e Porto Romanos kanë protestuar kundër depozitave gjigante të gazit, të cilat ndodhen shumë pranë banesave të tyre.

Me pankarta në duar, qytetarët, së bashku me fëmijët ngritën zërin për sigurinë e jetës së tyre, që rrezikohet për shkak të ndonjë shpërthimi të mundshëm.

Banorët protestuan së bashku, të majtë e të djathtë, pasi shqetësimi është i të gjithëve.

Ata i tremben përsëritjes së një tjetër Gërdeci të dytë dhe i bënë apel institucioneve për largimin një orë e më parë të këtyre depozitave, të vendosura në qendër të një zone të banuar.

Nëse institucionet vazhdojnë të mos ndërmarrin asnjë masë për largimin e kompanisë, banorët kërcënojnë me bllokimin e rrugës.

Protesta mbështetej këtë herë edhe nga një grup të rinjsh të Forumit Rinor të Partisë Demokratike Durrës.

Kreu i këtij grupimi, Artion Barjamaj tregoi rrugët ligjore që do të ndjekin deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi jetik për banorët.

Protesta e banorëve u zhvillua paqësore dhe u monitorua nga afër nga efektivët e policisë.

Të shtunën e dy javëve më parë, në fabrikën e gazit u regjistrua një shpërthim dhe u desh ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse për të neutralizuar flakët.