MENU
klinika

Nga Mero Baze

Pse Berisha po ‘poshtëron’ idealet e ‘Foltores’?

20.06.2022 - 19:50

Nga Mero Baze

Përpjekja e Berishës për të ngritur një dallgë antiamerikane në PD, nën arsyet e betejës kundër Lulzim Bashës, si “besëprerë” u bazuan së paku në tre tipologji të armiqve imagjinarë që kishte përballë Sali Berisha.

I pari Xhorxh Sorosi, i cili u shpik si ideator i shkatërrimit të Shqipërisë, përmes krijimit të agjenturës së tij në këtë vend, në interes të armiqve të Shqipërisë, duke përdorur për këtë qëllim dhe pushtetin që ka në SHBA.

Tipologjia e dytë e armikut ishte çdo kush që kishte një prapavijë të lidhjes me SHBA dhe gëzonte besimin e ambasadës në Tiranë.

Tipologjia e tret e armikut ishte dikush që kishte lidhje me mediat afër Lulzim Bashës apo grupet e interesit të tij. Më i godituri në atë fushatë ishte lobisti Henri Çili i cili akuzohej si prodhues kuadrosh për Bashën dhe mbështetës në shtyp.

Sot Sali Berisha prezantoi si drejtor të komunikimit me gazetarë, Alfred Lelën, i cili i mishëron të tre këto cilësi. Vjen nga Fondacioni “Soros”, vjen nga SHBA dhe raporte të mira me ambasadën amerikane në Tiranë dhe natyrisht është pjesë e enturazhit të Henri Çilit aq shumë të mallkuar nga Sali Berisha.

Nuk e ka zgjedhur keq për të bërë punën . Madje dhe dokturaturën tek Univeristi Evropian e ka kryer me përsiatje rreth jetës politike të Sali Berishës.

Problemi është pse Berisha po detyrohet të poshtëroj vet publikisht synimet e shpallura të “Foltores” dhe akoma më keq të tallet me armiqtë e shpikur të saj?

Shpjegimi është i thjesht për të gjithë ata që njohin Sali Berishën. Në çdo betejë të tij ka dy faza. Faza e parë janë gënjeshtrat që mobilizojnë militantët dhe trushpëlarët që i garantojnë atij pushtetin me çdo çmim në krye të partisë. Për të kapur zyrën e kryetarit ai është gati të shpall gjithë botën armike, dhe të mbetet me një grusht njerëzish. Dhe për të kapur dhe një herë kreun e Foltores, ai pranoi të mbetet vetëm me Flamur Nokën dhe ti zboj të gjithë, duke mos i besuar më askujt.

Pasi ky proces përfundoi tani Berisha ka fazën e tij të dytë, atë që e quan fasadë të hapjes. Tani nuk mërzitet nëse merr dhe Aleks Sorosin si kompani lobimi, apo nëse lëpin gjithçka çfarë ka pështyrë. Tani që e ka siguruar pushtetin brenda partisë, broçkullat e konservatorizmit, antisoroizmit etj., mbeten vetëm detaje që i duhen për të mbuluar antiamerikanizmin.

E tillë është dhe përzgjedhja e Alfed Lelës si drejtor komunikimi me shtypin. Shpresojmë së paku mos të na mungoj buzëqeshja e zonjës Garo, e cila është e sinqertë në padijen e saj rreth këtyre trukeve të Doktorit. Mbi të gjitha shpresoj që Berisha këtë herë t’ia dijë për nder këtë sakrificë Alfred Lelës, e cila është e ngjashme me sakrificën që ka pas bërë Fari Balliu më 1991, kur kërkonte të anëtarësohej në PPSH, kur të gjithë po dorëzonin teserat.