MENU
klinika

Konkretizohet operacioni

Real Madrid zyrtarizon blerjen 100 mln euroshe

11.06.2022 - 14:14

Humbi betejën për të marrë shërbimet e Kylian Mbappe, por Real Madrid kundërpërgjigjet duke marrë një tjetër talent francez. Aurélien Djani Tchouaméni është një lojtar i ri i Real Madridit, pas marrëveshjes së arritur nga klubi i bardhë dhe Monaco për transferimin e tij.

Një operacion merkatoje që kap shifrën e rreth 100 milionë eurove ndërmjet shifrave fikse dhe bonuseve. Futbollisti, ndërkombëtar me Francën, firmos për pesë sezone dhe bëhet përforcimi i dytë i të bardhëve për sezonin e ardhshëm, pas Rüdiger, i cili mbërriti si transferim i lirë nga Chelsea.

Real Madridi, i cili e kishte Tchouaméni në radarin e vet nga viti i kaluar, riaktivizoi operacionin pas refuzimit të Kylian Mbappe për të nënshkruar me kampionët e Europës në fuqi. Shpenzimet e rëndësishme ekonomike që Florentino Perez do të bënte për yllin e PSG-së, detyroi shtyrjen e ardhjes së mesfushorit, i cili tashmë po shikonte propozimet e Liverpool-it dhe parizienëve.

Thirrja nga Madridi në fund të majit e ndryshoi të gjithë skenarin dhe në një kohë rekord u arrit një marrëveshje, fillimisht me lojtarin dhe më pas me Monaco, e cila i kishte dhënë leje futbollistit për të negociuar.

Tchouaméni e kishte të qartë se donte të luante për Real Madridin dhe për këtë arsye, menjëherë i përjashtoi dy propozimet e tjera që kishte në tryezë. As tentativat joshëse të Mbappe dhe Klopp nuk mundën të sfidonin emblemën e Real Madridit, klubit më të mirë në botë, me 14 Champions të fituar në histori.

Me Tchouaméni, Camavinga dhe Fede Valverde, Real Madridi beson se garanton zëvendësimin e CMK (Casemiro-Modrid-Kroos), trident i cili do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm në skuadër.