Shqipëria do të përballet me Izraelin të premten në orën 20:45 në “Air Albania”, me synimin për të marrë fitoren e parë në Ligën e Kombeve, që do t’i ngjiste kuqezinjtë direkt në vendin e parë me 4 pikë.
Pas startit me barazim në Islandë të hënën, trajneri Reja ka bërë provat finale për formacionin pasditen e sotme, teksa ndryshe nga Reikjaviku, pritet të bëjë plot 5 zëvendësime, ose gjysmën e formacionit.
Kështu në mbrojtje pritet të ulet në stol Marash Kumbulla, për t’i lënë vendin Frederik Veselit, i cili do të plotësojë treshen me Ismajlin e Gjimshitin, të cilët do të vendosen para portës së mbrojtur nga Etrit Berisha.
Në mesfushë konfirmohen Balliu nga e djathta dhe Hysaj nga e majta, ndërsa në qendër Abrashi do të ketë në krah dyshen e Empolit Asllani-Bajrami, të cilët marrin vendet e Gjasulës dhe Çekiçit.
Ai që ndryshon tërësisht është reparti i sulmit, pasi Cikalleshi vuan nga një gjendje gripale, ndërsa Seferi do të ulet në stol, për t’u lënë vendin dyshes Broja-Uzuni, të cilët nuk ishin në dispozicion për sfidën në Islandë.