MENU
klinika

Analiza e Financial Times

Rusia është para një ndryshimi të madh, por e pengon Putini…

23.06.2022 - 09:30

Ndryshimet po vijnë në Rusi. Për të qenë të saktë, “Ndryshimi i Madh” po vjen.

Ky është emri i një lëvizjeje për fëmijë dhe të rinj që Kremlini po krijon nën kontrollin personal të Presidentit Vladimir Putin.

Në më shumë se një mënyrë, nisma të kujton lëvizjen e Pionierëve të Rinj ideologjikisht, anëtarësimi në të cilën ishte thuajse “i detyruar” për të rinjtë sovjetikë. Një projektligj që përcakton ndryshimin e madh u shfaq më 19 maj, në 100 vjetorin e Pionierëve. Ai e ndalon lëvizjen e re të bashkëpunojë me “agjentë të huaj” dhe organizata “të padëshirueshme” – domethënë perëndimorët dhe kritikët rusë të autoritarizmit.

Jehona e së kaluarës traumatike të Rusisë po jehon sërish, në mënyra të tjera teksa lufta e Putinit kundër Ukrainës hyn në muajin e saj të pestë. Alexandra Skochilenko, një artiste e Shën Peterburgut që kundërshton luftën, është dërguar në një klinikë psikiatrike – një masë për disidentët në komunizëm.

Në dekadën e tij të tretë, Putinizmi përkufizohet nga shtypja e brendshme dhe manipulimi i mendjeve po aq sa nga agresioni i huaj.

Ky kombinim është një tipar konsistent i historisë moderne ruse. Anasjelltas, kur Rusia përjeton një moment liberal në vend – si nën udhëheqjen e Mikhail Gorbachev, lideri i fundit sovjetik – politika e saj e jashtme tenton të qetësojë tensionet ndërkombëtare.

Asnjë kthesë liberale nuk mund të imagjinohet nën udhëheqjen e Putinit.

Megjithatë, historia e Rusisë ka kaluar në disa cikle: diktaturë nën udhëheqjen e Joseph Stalin, reforma nën udhëheqjen Nikita Hrushovin, rreptësi  nën udhëheqjen e Leonid Brezhnev, liberalizim nën udhëheqjen e Gorbaçov dhe Boris Jelcin, represion nën udhëhqjen Putin.

Edhe pse nuk e dimë se kur, cikli me siguri do të kthehet përsëri.

Lufta mund të luajë rolin e saj tek ndryshimi. Dy luftëra të mëparshme që shkuan keq – lufta e Krimesë 1853-1856 dhe pushtimi i Afganistanit i vitit 1979 – stimuluan reformat, duke çuar përkatësisht në emancipimin e serfëve dhe perestrojkës së Gorbaçovit.

Nga ana tjetër, fitorja e Rusisë në Ukrainë mund të zgjasë ciklin e represionit, siç bëri triumfi i Stalinit ndaj Gjermanisë naziste.

Shumë opinionistë perëndimoreë dëshirojnë të besojnë në diçka më të mirë që po shfaqet në Rusi, por shpesh mashtron veten. Kur ish-shefi i KGB-së, Yuri Andropov, pasoi Brezhnevin në 1982, fjalët u filtruan nga Moska se liderit të ri i pëlqente muzika xhaz. Një shenjë, ndoshta, se një marrëdhënie e përmirësuar me perëndimin ishte në horizont? Asnje shans.

Në vitin 2008, kur Putin zgjodhi Dmitry Medvedevin për ta zëvendësuar atë për katër vjet si president rus, perëndimorët folën për pasionin e tij për Deep Purple, një grup rock britanik. Tani ka një rus postkomunist me të cilin mund të përballemi, shkoi historia. Ishte një shpresë e rremë. Medvedev tani denoncon armiqtë e Rusisë si “bastardë dhe të degjeneruar”.

Natyra e parregullt e strukturave të pushtetit të Putinit e bën të vështirë identifikimin se kush mund të mishërojë kthesën e ardhshme të ciklit.

Shumë pushtet kanë njerëzit ushtarakë dhe të sigurisë, por disa figura me ndikim – si Yevgeny Prigozhin, një biznesmen i quajtur “kuzhinieri i Putinit” – nuk kanë asnjë pozicion zyrtar në qeveri. Shumë të ndryshme ishin hierarkitë e ngurta të Partisë Komuniste Sovjetike, ministritë qeveritare dhe institutet kërkimore.

Gjatë 22 viteve të Putinit në pushtet, ndoshta udhëheqësi reformist më i besueshëm ishte Boris Nemtsov, dikur zëvendëskryeministër. Por ai u vra pranë mureve të Kremlinit në vitin 2015. Një tjetër mundësi është Alexei Navalny. Ai u helmua në vitin 2020 dhe u fut në burg.

Një tjetër ndryshim me të kaluarën lidhet me ndryshimin e brezave.

Në vitet 1980, impulsi për reformë u përqendrua te shestidesyatniki – “fëmijët e viteve 1960”, të cilët ishin rritur në epokën më të lirë të Hrushovit. Për shumë rusë sot, liberalizmi është njollosur nga përvoja e tyre rinore e rënies së Bashkimit Sovjetik dhe demokracisë së çrregullt të Jelcinit.

Reformatorët mund të duhet të vijnë nga një brez akoma më i ri, një brez i rritur dhe i turpëruar nga Putinizmi.

Çfarëdo që ka përpara, perëndimi do të bënte mirë të kuptonte se ndikimi i tij mbi drejtimin e brendshëm politik të Rusisë është i kufizuar. Një vend i lirë nga instinktet perandorake dhe i fokusuar në përmirësimin e gjendjes së popullit të tij do të ishte natyrshëm në interesat e perëndimit.

Por Rusia, e formuar nga traditat e vjetra të sundimit, si dhe nga e kaluara e saj më e afërt, në fund do të bëjë zgjedhjet e veta.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al