MENU
klinika

Analiza

Si mund të shmanget kriza ushqimore në botë?

11.06.2022 - 09:43

Nga Andriy Ryzhenko & Daria Kaleniuk “Foreign Policy

Për shkak të bllokadës ruse ndaj porteve të Ukrainës, tregu global i ushqimit është në prag të kolapsit, dhe bota një hap larg një urie me përmasa katastrofike. Këto ditë, ka shumë diskutime rreth asaj se si mund të transportohet gruri ukrainas në vendet e tjera.

Megjithatë, për taksapaguesit amerikanë është më e lirë dhe më efektive që t’i ofrojnë Ukrainës armët e nevojshme, për të zhbllokuar me shpejtësi portet e Ukrainës në Detin e Zi, në vend se të përballen me një nivel të lartë inflacioni në Shtetet e Bashkuara, dhe me trazirat që mund të shkaktojë uria në vende të ndryshme në Azi dhe Afrikë, të cilat mund të shkaktohen nga ndërprerjet në zinxhirin global të furnizimit ushqimor.

Për më tepër, Kongresi Amerikan ka ndarë tashmë fonde të konsiderueshme për furnizimin me armë të Ukrainës. Çështja është nëse këto fonde do të përdoren për armët që realisht i duhen Ukrainës, dhe nëse Ukraina do t’i marrë ato në kohë.

Ukraina, e njohur prej kohësh si “shporta globale e bukës”, është në gjendje të ushqejë 400 milionë njerëz të tjerë përveç popullsisë së saj. Përpara pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt, afro 1 në 3 bukë në Afrikë dhe Lindjen e Mesme prodhohej nga gruri ukrainas.

Por Ukraina është edhe një eksportuese kryesore e misrit, elbit dhe vajit të lulediellit. Në rast se ajo shkëputet nga zinxhiri global i furnizimit me ushqime, nuk ekziston asnjë mënyrë e qëndrueshme për të mbyllur hendekun që do të krijohej.

Prodhuesit amerikanë të qumështit pluhur për fëmijë, po përjetojnë që tani efektet e mungesës së vajit të lulediellit ukrainas. Ukraina zotëron thuajse 50 për qind të eksporteve botërore të vajit të lulediellit. Kjo gjë ka një efekt të drejtpërdrejtë në familjet amerikane, pasi mungesa e tij po e rrit koston dhe kompleksitetin e prodhimit të qumështit pluhur aq shumë të nevojshëm për të ushqyer foshnjat e tyre.

Pavarësisht luftës, fermerët ukrainas arritën të mbjellin sërish gati 70 për qind të kulturave pranverore. Megjithatë, ata nuk do të jenë në gjendje ta ruajnë dhe transportojnë të gjithë të korrat e tyre në vjeshtë.  Ndërsa bota do të vazhdojë të paguajë më shumë për ushqimin dhe miliona njerëz nga vendet e varfra do të vuajnë nga kequshqyerja deri në shtator, Ukraina ka të ngjarë të ketë dhjetëra miliona tonë drithë të bllokuar brenda vendit.

Arsyeja e këtij bllokimi janë 20 luftanijet ruse e pajisura me raketa ndodhen në Detin e Zi, dhe sistemet e tyre kundër anijeve bregdetare, të cilat janë të stacionuara në Krimenë e pushtuar, por edhe rreziku i minave detare. Minat detare u vendosën nga Ukraina për të mbrojtur bregdetin e vet nga operacionet ruse të zbarkimit amfib në ujërat territoriale kombëtare nga Odesa në Ochakiv.

Po ashtu, vetë Rusia ka vendosur fshehurazi mina në ujërat territoriale të Ukrainës. Këto

tre kërcënime po bllokojnë të gjitha portet detare të pa pushtuara të Ukrainës:Odesa, Chornomorsk, Pivdennyi dhe Ochakiv. Para luftës, Ukraina eksportonte 5-6 milionë tonë drithë në muaj përmes porteve të saj detare, ose 95 për qind të eksporteve ushqimore.

Që nga fillimi i pushtimit, qeveria ukrainase, me mbështetjen e vendeve partnere, arriti të krijojë rrugë alternative hekurudhore dhe nëpërmjet kamionëve për eksportimin e drithërave. Megjithatë, kapaciteti i tyre transportues është vetëm deri në 1.5 milion ton në muaj.

Këto rrugë janë gjithashtu shumë më të shtrenjta, ndaj kostoja e drithit ukrainas është rritur të paktën 5 herë, duke ndikuar direkt tek çmimet botërore të ushqimit. Rezervat aktuale të drithërave të depozituara për eksport nga Ukraina janë rreth 20 milionë tonë. Do të duhen 14 muaj deri në 2 vite për të eksportuar atë nëpërmjet rrugëve tokësore. Në Ukrainë nuk do të ketë më ruajtje për të korrat e këtij muaji, ndaj i gjithë ky ushqim mund të shkojë dëm.

Nëse gjërat nuk ndryshojnë shpejt, fermerët ka të ngjarë të mos mbjellin më në vjeshtën e këtij viti dhe pranverën e vitit 2023, pasi bllokimi i porteve të Detit të Zi nga Rusia e bën të pamundur shitjen e produkteve të tyre. Mungesa e rrugëve të eksportit, nënkupton mungesë të të ardhurave për fermerët, ndaj nuk mund të financohet prodhimi i ri.

Kësisoj, nuk ka asnjë motivim ekonomik për të vazhduar me mbjelljet. Afati maksimal për fermerët ukrainas është muaji gusht, koha kur duhet të fillojë cikli i të mbjellave për të korrat e vitit 2023. Nëse ata nuk do të mbjellin, kjo do të shkaktojë një thellim të krizës botërore të ushqimit, për të mos folur për pasojat shkatërruese ekonomike për Ukrainën.

Duke parashikuar çmime më të larta globale të ushqimit, gjithnjë e më shumë vende po vendosin kufizime në eksportet e tyre ushqimore. Kufizimet po vendosen për të garantuar vetë-mjaftueshmërinë, si dhe për të mbrojtur tregun e brendshëm nga çmimet e larta.

Por shumë vende nuk mund ta bëjnë dot këtë për shkak të mungesës së burimeve apo kapaciteteve për të rritur prodhimin. Prandaj po vendosen edhe kontrollet mbi eksportet për

të garantuar rezervat minimale të ushqimit bazë. Pas një viti, mund të ndërpritet plotësisht tregtia globale e ushqimit. E vetmja zgjidhje e qëndrueshme për t’u përballur më këtë krizë, është zhbllokimi i porteve detare të Ukrainës.

Udhëheqësit perëndimorë kanë mundësi të kufizuara:Ata mund të tentojnë ta bindin Rusinë të zhbllokojë portet përmes negociatave diplomatike. Mund të dërgojnë një kolonë humanitare, apo të krijojnë një Zonë të pjesshme të Ndalim-Fluturimit mbi territore të caktuara rreth Detit të Zi dhe bregdetit ukrainas për të mbrojtur anijet nga raketat ruse.

Ose mund ta armatosin Ukrainën me armatim të rëndë të avancuar të NATO-s, për t’i dhënë mundësi forcave të armatosura ukrainase të shmangin kërcënimin nga luftanijet ruse.Opsioni i parë ka pak shanse për të pasur sukses. Rusia ka ofruar tashmë zhbllokimin e porteve në këmbim të heqjes së sanksioneve nga Perëndimi.

Kjo e fundit nuk mund të ndodhë, pasi Moska do të furnizohej me para dhe lëndët e para për të cilat ka dëshpërimisht nevojë, për të rimbushur rezervat e saj ushtarake, për të ndërtuar më shumë raketa dhe për të vazhduar shkatërrimin e Ukrainës dhe bllokimin në të ardhmen të porteve të Ukrainës.

Heqja e sanksioneve ndaj Rusisë, duhet të merret në konsideratë vetëm pasi ajo të heqë dorë nga i gjithë territori që ka pushtuar në Ukrainë, dhe të paguajë për dëmet dhe mizoritë e kryera në Ukrainë. Presioni diplomatik ndaj Rusisë, nuk arriti ta parandalojë një pushtim të plotë të Ukrainës, dhe ne besojmë se do dështojë ta bindë Rusinë të zhbllokojë portet ukrainase të Detit të Zi.

Është thjesht naive të merret në konsideratë një zgjidhje diplomatike e krizës, pa përfshirë një komponent të fortë ushtarak për ta zbatuar atë. Dërgimi i një kolone humanitare me anije ushtarake në Ukrainë nga një koalicion shtetesh të gatshme, për të çliruar eksportet e bllokuara, është një opsion që u sugjerua nga Lituania dhe u mbështet publikisht nga Britania.

Këto anije do të shoqëronin anijet tregtare nga portet e Odesës, dhe do të mbronin bregdetin ukrainas nga kërcënimet me raketa që vijnë nga anijet luftarake ruse dhe bregdeti i Krimesë. Por deri më tani, asnjë nga blerësit e grurit ukrainas nuk ka treguar interes për të. Shumica e këtyre vendeve nuk kanë një flotë të aftë për operacione të tilla. Egjipti është i vetmi vend mesdhetar me anijet e nevojshme. Por lidhjet e tij të ngushta ekonomike dhe ushtarake me Rusinë, e bëjnë gati të pamundur pjesëmarrjen e Egjiptit në një mision të tillë.

Krijimi i një Zone të pjesshme të Ndalim-Fluturimit të NATO-s, ose i ashtuquajturi korridor humanitar i NATO-s mbi portet e Detit të Zi të Ukrainës dhe rrugët detare për anijet tregtare, duhet të jetë pjesë e çdo zgjidhjeje. Kjo kërkon gjithashtu një marrëveshje me Rusisë për t’iu përmbajtur kushteve të një kolone humanitare. Nëse Rusia shkel kushtet, duhet të ketë pasoja të menjëhershme.

Së fundi, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj mund të përshpejtojnë ofrimin e armëve të avancuara të rënda të standardeve të NATO-s për Ukrainën, përfshirë raketat kundër anijeve dhe sistemet e mbrojtjes ajrore. Po ashtu, avionët luftarakë F-16 duhet të jenë një element i rëndësishëm i sigurisë së Detit të Zi, pasi janë në gjendje të lëshojnë raketa kundër anijeve dhe të shmangin sulmet ajrore ruse ndaj anijeve tregtare.