MENU
klinika

Analiza e The Washington Post

Si të përfundojë lufta? Evropianët të ndarë…

16.06.2022 - 08:30

Teksa  lufta në Ukrainë vazhdon në muajin e saj të katërt, evropianët mbeten kryesisht të bashkuar në mbështetjen e Kievit, por ata janë të ndarë për sa kohë janë të gatshëm të durojnë pasojat ekonomike të konfliktit, tregon një sondazh i publikuar të mërkurën.

Sondazhi në 10 vende evropiane tregon se vëmendja e publikut tek lufta mund të kthehet në frikë për ndikimin e saj, veçanërisht koston në rritje të jetesës në kontinent.

Analistët thonë se qeveritë evropiane do të duhet të përballen me këto shqetësime, ndërsa kërkojnë të vazhdojnë presionin kundër Moskës.

Pak më shumë se një e treta e të anketuarve duan që lufta të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, madje edhe në kurriz të lëshimeve territoriale të Ukrainës, ndërsa 22 për qind thonë se ajo duhet të zgjasë aq sa duhet për të ndëshkuar Rusinë dhe për të rimarrë të gjithë tokën e Ukrainës.

Megjithatë, pjesëmarrësit nuk ishin të ndarë në lidhje me mbështetjen për Ukrainën – ose se kush është përgjegjës për luftën. Një shumicë e madhe, 73 për qind, fajësojnë kryesisht Moskën, dhe 64 për qind besojnë se Rusia, jo Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian apo Ukraina, është pengesa më e madhe për paqen.

Sondazhi, i publikuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe i kryer në internet nga YouGov dhe firma kërkimore Datapraxis, anketoi 8,172 të rritur në 10 vende evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, Rumaninë dhe Suedinë, nga fundi i prillit deri në mes të majit.

Të anketuarit u ndanë në ata që thanë se favorizojnë “paqen”, edhe nëse kjo përfshin lëshime nga Ukraina, dhe ata që e shohin “drejtësinë” si prioritet, edhe nëse kjo nënkupton një konflikt të zgjatur. Një e pesta e votuesve “luhaten” mes të dyjave dhe ende duan një përgjigje të fortë evropiane, ndërsa pjesa tjetër thanë se nuk e dinin.

Ndjenjat do të ndikojnë në politikën evropiane për Ukrainën, sipas autorëve të raportit, Ivan Krastev dhe Mark Leonard nga ECFR.

“Gjetjet e sondazhit tregojnë se opinioni publik europian po ndryshon dhe se ditë më të vështira mund të vijnë”, shkruan ata.

Evropianët janë gjithashtu të shqetësuar për kërcënimin e përshkallëzimit bërthamor dhe nëse rritet ndjenja se sanksionet ndaj Rusisë “po dështojnë të sjellin rezultate”, ndarja midis atyre që duan t’i japin fund luftës shpejt dhe atyre që duan ta shohin Rusinë të mposhtur do të rritet, thuhet në raport.

Teksa  ekonomitë janë ende duke u rikuperuar nga pandemia e koronavirusit, lufta e Rusisë në Ukrainë nxiti inflacionin tashmë në rritje në vendet që përdorin euron në një nivel rekord në maj, me energjinë që parashikohet të ketë normën më të lartë vjetore. Dhe kjo ishte përpara një marrëveshje të BE-së për të hequr gradualisht shumicën e importeve të naftës ruse, të nxitura nga provat në rritje të krimeve të luftës ruse në periferi të Kievit.

Perspektiva e një konflikti të zgjatur, me betejën për Ukrainën lindore të ndezur, ka ngritur pikëpyetje nëse lodhja e luftës, e shoqëruar me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe faturave të energjisë, mund të testojë vullnetin politik të vendeve për të vazhduar presionin ndaj Moskës me kalimin e kohës.

Të dielën, presidenti Biden fajësoi pushtimin rus të Ukrainës për rritjen e çmimeve të gazit të SHBA-së.

Sanksionet perëndimore që goditën ekonominë ruse “do të ndikojnë gjithashtu në jetën e qytetarëve evropianë, me një ndikim të drejtpërdrejtë në shtëpitë e tyre, punët e tyre, kuletat e tyre”, u tha ligjvënësja Sara Matthieu kolegëve të saj. Ajo i kërkoi bllokut 27-vendesh që të ndihmojë në zbutjen e rritjes së çmimeve dhe “të mbrojë qytetarët tanë, veçanërisht ata që rrezikojnë të përfundojnë në varfëri, njerëz që kanë frikë se nuk mund të ngrohin shtëpitë e tyre dimrin e ardhshëm”.

Putin mendon se Perëndimi do të mbyllë syrin i pari në luft, thonë elitat ruse

Ndikimi në familjet evropiane ka nxitur një sërë lëvizjesh politikash. Gjermania, për shembull, po ofron ulje të përkohshme të taksave të energjisë dhe ka nxjerrë një biletë mujore 9 euro për transportin publik.

Tyler Kustra, një asistent profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Nottingham në Angli, tha: “Unë mendoj se ka një shqetësim të jashtëzakonshëm në të gjithë Evropën lidhur me koston e jetesës. Këto gjëra janë gjëra që nuk mund të mos i blini. Keni nevojë për ushqim; keni nevojë për ngrohje”, tha ai.

“Unë mendoj se duhet të kujtojmë se sa shumë nuk duam një luftë në Evropë dhe sa duhet të mbajmë vijën kundër Vladimir Putinit”, shtoi Kustra.

“Nuk ka asnjë opsion që të jetë fitues; është një seri shkëmbimesh fatkeqe. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë që kjo luftë të përfundojë.”

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al