MENU
klinika

Formula

Si llogaritet çmimi i naftës nga Bordi?

24.06.2022 - 09:45

Në bursë çmimi i naftës vijon të pësojë rënie, por kjo nuk është reflektuar në çmimet e tregtimit që aplikohen në vendin tonë.

Prej javësh, çmimi për litër vijon të jetë mbi 250 lekë, ndërsa për ekspertët tarifat janë abuzive, sa kohë edhe nuk bëhet transparente mënyra e llogaritjes së tyre.

ÇMIMET

Pas mbledhjes së djeshme, një litër naftë do të kushtojë 3 lekë më pak, nga 261 lekë që ishte në 258 lekë, ndërsa çmimi i benzinës ka shkuar 248 lekë, duke njohur një rritje të lehtë. Për herë të parë, Ministria e Financave ka bërë të ditur edhe formulën e llogaritjes së çmimit, duke përfshirë taksat që aplikohen.

“Çmimet e miratuara nga Bordi, reflektojnë: Çmimet e tregjeve ndërkombëtare të publikuara nga agjencia ndërkombëtare ‘S&P Global Platts’ në USD, datë 22.06.2022, përkatësisht benzina 1324 dollarë për ton dhe gazoilin 1325 dollarë për ton; vlerën ‘premio’ sipas faturës së importimit të deklaruar në Doganë nga shoqëritë e tregtimit me shumicë për gazoilin e standardit SSHEN 5902018 dhe benzinën e standardit SSHEN 2282018, dhe mbi bazën e së cilës kryhet transaksioni i pagesës. Totali i vlerës së përftuar (FOB Med + Premio), konvertohet në lekë sipas kursit fiks të shpallur zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë një ditë më parë. Marzhin bruto 3 lekë/litri (përfshirë TVSH) për shoqëritë e tregtimit me shumicë. Me këtë marzh bruto, mbulohen kostot e depozitimit, mirëmbajtjes, transportit, amortizimi, paga, kontribute, shpenzime interesi, tarifa e taksa te tjera pas zhdoganimit, furnitura e shërbime. Mbi vlerën që rezulton sa më sipër, shtohen detyrimet e pagueshme në import: akcizë; taksë qarkullimi; taksë karboni; TVSH në import; tarifë markimi dhe skanimi”, thuhet në njoftim.

Vlera e dalë përbën çmimin e shitjes me shumicë. Mbi çmimin e shitjes me shumicë që rezulton, shtohet marzhi bruto i tregtimit me pakicë 12 lekë/ litri (përfshirë TVSH-në). Me këtë marzh bruto, mbulohen kostot e qerase apo amortizimit, mirëmbajtjes, paga, kontribute, shpenzime interesi, tarifa licencimi e rilicencimi, taksa të tjera lokale, furnitura e shërbime. Vlera që rezulton (f+g) përbën çmimin e shitjes me pakice me TVSH, i cili duhet të shpallet në tabelën e shitjes në stacionet e tregtimit të karburanteve.

ÇMIMET

Financat kanë paralajmëruar se “çmimet e miratuara janë çmime tavan/ maksimal dhe asnjë operator ekonomik nuk mund t’i tregtojë këto nënprodukte mbi çmimet tavan të Vendimit të Bordit. Çdo operator ekonomik me shumicë dhe pakicë është i lirë t’i tregtojë këto nënprodukte me çmime më të ulëta se çmimet tavan/maksimale të miratuara në Bord. Efektet e këtij vendimi fillojnë në datë 23 qershor deri në një njoftim të dytë të marrë në mbledhjen e radhës. Këto çmime janë në fuqi deri në mbledhjen e radhës së Bordit dhe ndryshojnë bazuar në efektet e ndryshimit të çmimeve të Bursës për nënproduktet benzinë dhe gazoil dhe ndryshimeve të kursit të këmbimit të Dollarit Amerikan”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.