MENU
klinika

"Shqipja është gjuha e zogjve"

Si u njohëm me Dhimitrin, në Stërstan

22.06.2022 - 11:27

          Shkova të takoj gjyshen. Mynever Shuteriqin – shkruan Ben Blushi 

Nuk dole sot, e pyeta

Jo, tha po të prisja

Del çdo ditë?

Pothuajse cdo ditë,

Ku shkon?

Këtu afër te Toptani, pi kafe

Me kë pi kafe?

Herë vetëm, herë me njërëz

Po shoqet nuk vijnë për kafe?

Nuk kam më shoqe,tha Myneveri, ose janë sëmurë ose kanë vdekur

Të ka marrë malli për Gjirokastrën?

Jo nuk më merr malli për Gjrokastren. Ika dy vjec që aty nuk kam kujtime

Pse ikët nga Gjirokastra?

Babai ishte nënpunës i pyjeve dhe e qarkullonin në qytete të ndryshme

Ku keni jetuar tjetër?

Kudo. Lushnjë, Elbasan, Delvinë. Aty mësova pak greqisht

Nuk e dija që di greqisht, i thashë

Gjithë Delvina fliste greqisht dhe unë e mësova nga shoqet e fillores

Po tjetër, çfarë gjuhe flet?

Italisht, tha Myneveri

Ku e mësove italishten?

Në shkollën “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë

Ishte shkollë e mirë?

Shkolla më e mirë për vajza, babai paguante 12 napolona në vit

Çfarë mësuesish kishit në shkollë?

Kryesisht, italianë

Dinin shqip?

Shumë pak. Mësuesja ime e italishtes, quhej sinjora Dotmasse. Ajo thoshte që, italishtja është gjuha e Zotit, frëngjishtja është gjuha e dashurisë ndërsa shqipja është gjuha e zogjve. Po ti, di italisht?

Kuptoj, thashë unë

Do të të recitoj Dante Aligerin, më pyeti Myneveri

Dua, i thashë

Tanto gentile e tanto honesta pare
La donna mia
quando ella altrui salute
che va dicendo al anima
Sospira

Ma përkthe, i thashë

Shumë e ëmbël dhe shumë e bukur duket
e dashura ime
cdo njeri që e sheh
i thotë vetes
psherëti

Shumë e bukur, thashë unë

Është Soneti i Beatrices, tha Myneveri, Dante ia kushtoi se e kishte të dashur
Vërtet s’të merr malli të shkosh në Itali, e pyeta

Kam qenë në Itali, vetëm në Francë skam qenë. Dhimitri, gjyshi yt, më thoshte gjithmonë, si s’të çova një herë në Francë
Ai e donte shumë Francën, thashë unë

Aty studioi 6 vjet, tha Myneveri kishte dhe një të dashur
Ti tregonte ty të dashurat, e pyeta
Këtë historinë e Blanshes, po
Ca thoshte Dhimitri, për Blanshën?
I mbante fotografitë e saj në shtëpi. Një herë, kur fëmijët luanin dhe nxorën fotografitë, më pyetën kush është kjo vajza që ka dalë me babin. Dhimitri u bë keq sepse mendoi se unë do bëhesha xheloze
Po ti, ishe xheloze?

Jo, tha Myneveri. Kur ndodhi kjo puna e fotografive me fëmijët, Dhimitrit i thashë që unë nuk kam punë me jetën tënde të mëparshme dhe ai u lehtësua

Ku u njohe me Dhimitrin?
Në Elbasan gjatë luftës. Unë shkova të dilja partizane. Por, komandanti i brigadës 17, më tha ti nuk do vish në mal. Gjithë shoqet dhe shokët e mi ikën në luftë

Po ty pse nuk të morën, e pyeta
Mua më thanë që të merresha me shtypin e luftës, dmth të shkruaja komunikata dhe t’i shpërndaja. Unë nuk di ta bëj këtë punë, i thashë.

Do të ndihmojë Dhimitri, më thanë, ai është shkrimtar, do punoni bashkë
Sa vjec ishe?

18 në atë kohë. Më futën dhe dy herë në burg
Po në burg, pse?

Për këto komunikatat që shkruanim. Më mbanin një javë, pastaj më lironin për mungesë provash
Edhe kështu u njohe me Dhimitrin?

Na cuan në një bazë ilegale të shtypit, që duhet të ishte sa më thellë që gjermanët mos e gjenin dot.
Ku ishte ky vend?

Në Shpat të Elbasanit, në fshatin Stërstan
Kam qenë në Shpat, thashë unë

E di ç’dmth Stërstan, më pyeti Myneveri
Jo, i thashë
Stërstan do të thotë përtej staneve, kaq larg ishte
Mendon se ke jetuar mirë, e pyeta

Mendoj se i kam marrë jetës më shumë nga ç’mundet, tha Myneveri
Kur te pyesin sa vjec je, si i përgjigjesh?
Që jam aq vjec sa dukem

Kur e ke ditlindjen?
Sot në 21 qershor, me solsticin e verës
Po sa vjeç je?
Jam 100 pa 2, tha Myneveri
Duhet të bëhesh patjetër 100, i thashë
Do përpiqem, tha Myneveri
Tani do të bëj një fotografi, i thashë
Shpejt, tha, duhet të dal
Ku do shkosh?
Do shkoj për drekë, tha, më ka ftuar vëllai yt

 

(Një bisedë me gjyshen time dhe njohja me Dhimitër Shuteriqin – shkruar më 21, 06, 2022)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dokumenti më i vjeter biblik

Anonimi i Elbasanit është Gregori

Dorëshkrimi i Ungjillit të Elbasanit

Alfabeti më i vjetër origjinal