Rigels Raku, ose siç njihet në publik si Noizy, ka preferuar të mos e drejtojë gishtin tek askush në lidhje me vendosjen e lëndës plasëse në bizneset e tij në Durrës.
Ai ka dhënë vetëm një dëshmi të shkurtër për grupin e hetimit duke theksuar se konflikt ka vetëm me Cllevion, por që nuk mund ta konsiderojë atë si autor të vendosjes së dinamitit në lokal. “Unë isha në gjumë. Më vonë më lajmëruan për atë që kishte ndodhur.
Nuk mund të fajësoj asnjë pa pasur prova. Konflikt kam vetëm me Cllevion, por nuk mund t’ia vë dot gishtin nëse e ka bërë ai. S’kam prova të mjaftueshme. Nuk di çfarë të them më shumë”, është shprehur reperi njohur, i cili u përfshi në një konflikt të ashpër me reperin tjetër Cllevion. Ngjarja u regjistrua mëngjesin e së mërkurës në lagjen 13 të qytetit bregdetar, në zonën e njohur si zona e Plazhit.
Shpërthimi shkaktoi dëme të shumta materiale jo vetëm tek butiku dhe lokali i reperit, por edhe te bizneset që ndodheshin aty pranë. Por fatmirësisht, shpërthimi nuk shkaktoi dëme në njerëz kjo falë edhe orarit pasi vendi i ngjarjes është shumë i frekuentuar sidomos në këtë periudhë.
Grupi i Cllevios nuk e ka marrë përsipër shpërthimin dhe nga hetimi i deritanishëm nuk ka ende asnjë të ndaluar. Grupi hetimor po heton kryesisht në konfliktin e fundit që pati me Noizy-n, i cili së bashku me grupin e tij dhunuan reperin Cllevio pranë një tjetër lokali në pronësi të tij në Durrës në zonën e Curilave.
Për këtë ngjarje është angazhuar Komisariati i Policisë së Durrësit, e më konkretisht sektori i krimeve të rënda. Burime nga ky komisariat bëjnë me dije se gjatë ditës së djeshme është vijuar me ekspertizën e vendit të ngjarjes nga ku është konstatuar se ndaj lokalit të këngëtarit është përdorur lëndë plasëse tritol e shpërthyer me kapsollë me fitil zjarrpërcjellës, pra me ndezje.
Më pas lënda plasëse është hedhur mbi qepenin e lokalit butik “Illyrian”, duke shkatërruar qepenin e thyer xhamat e lokalit “Rigels Shisha Lounge”, si dhe xhamat e disa apartamenteve. Hetuesit kanë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë aty pranë, por deri tani nuk ka pasur asnjë provë konkrete për shpërthimin me lëndë plasëse.