MENU
klinika

Petkov mes dy zjarresh

Si varet fati i qeverisë së Bullgarisë nga vetoja?

18.06.2022 - 10:13

Pas vetëm shtatë muajsh në detyrë, kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, nuk i ka më numrat e duhur për të “mbajtur në këmbë” qeverinë.
Petkov e gjen veten tashmë mes dy zjarresh, situatën e brendshme dhe atë të jashtme, referuar mosmarrëveshjeve me Maqedoninë e Veriut për shkak të vetos që ndaloi çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Pushtimi i Rusisë e nxiti BE- në të përshpejtojë përpjekjet e saj të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, ku Moska ende ka ndikim të konsiderueshëm. Por Bullgaria anëtare e BE-së dhe NATO-s po bllokon një pjesë të procesit në rastin e Maqedonisë së Veriut fqinje, një nga gjashtë vendet shpresëdhënëse të BE-së në rajon, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi historinë dhe identitetin kulturor.

Kryeministri Petkov, 42 vjeç, është zotuar të kërkojë një zgjidhje për bllokimin dhjetëvjeçar, çka në mënyrë indirekte, do të “çlironte” edhe hapjen e negociatave për Tiranën.

Por Bullgaria thotë se fqinji i saj nuk ka bërë mjaftueshëm lëshime dhe shanset për një përparim duken të pakta.

Presidenti bullgar Rumen Radev duke folur me gazetarët në Sofje, i bëri thirrje Petkovit të mbrojë interesin kombëtar në Këshillin Evropian të javës së ardhshme. Ai paralajmëroi Petkovin, i cili tashmë është nën kritika për gjendjen ekonomike në vend dhe do të përballet madje edhe me një votë mosbesimi të martën, se çdo mashtrim apo përpjekje për një ndryshim të vetos bullgare o të sjellë pasoja të rënda.

BE ka ftuar krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, në takimin e liderëve të BE-së në Bruksel më 23 qershor.

Në përgatitje për këtë samit, gjashtë liderët u mblodhën të premten në Ohër duke argumentuar se lufta në Ukrainë kishte rritur edhe më tej urgjencën që procesi integrues të përshpejtohej.

“Pasi të përfundojë lufta në Ukrainë, Rusia do të kthehet në mënyrat e saj të vjetra, duke luftuar demokracitë në Perëndim me lajme të rreme dhe propagandë, dhe duke na bërë presion që të mos kërkojmë anëtarësim në BE dhe NATO. Ne kemi qenë kandidat për anëtarësim në BE për 17 vjet. Ky projekt i papërfunduar na ka shkaktuar dëm”, tha presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Duke kërkuar gjithashtu anëtarësimin në BE për vendin e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u kërkoi kandidatëve të BE-së të ndalonin tregtinë me Rusinë.

“Nuk duhet t’u jepni para atyre që kërkojnë shkatërrimin tuaj,” tha Zelensky.

Ndërkohë, kryeministri bullgar Petkov, ka sqaruar se qeveria e tij kishte vendosur të paraqesë në Parlament të gjitha çështjet që lidhen me anëtarësimin në BE të Shkupit.

“Tema e Maqedonisë së Veriut përdoret si mashtrim. Që këtu e tutje, asnjë politikan nuk mund të thotë se qeveria është e aftë të ndërmarrë veprime të njëanshme. Vendimi është i Parlamentit”, tha Petkov.

Sofja këmbëngul se nëse dëshiron të zbusë qëndrimin e saj, BE-ja duhet të garantojë që Maqedonia e Veriut të zbatojë tre kërkesat kryesore bullgare: të ndryshojë kushtetutën e saj për të njohur ekzistencën e një pakice etnike bullgare, të heqë “gjuhën e urrejtjes” kundër Bullgarisë dhe të kalojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi historia e dy vendeve.

Bullgaria ka parë një rritje të propagandës pro-ruse dhe anti-perëndimore dhe analistët thonë se një masë e Petkov për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut mund të sjellë në pushtet partitë pro-Moskës dhe të ndryshojë orientimin e vendit. Nga ana tjetër, ruajtja e vetos mund të forcojë gjithashtu kontrollin e Rusisë në Ballkan duke e mbajtur Maqedoninë e Veriut larg BE-së.

Javën e kaluar, një nga katër partitë në koalicionin qeverisës të Petkov u largua, duke përmendur mosmarrëveshjet mbi politikën fiskale dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo e la Petkovin në krye të një qeverie të pakicës, e cila javën e ardhshme përballet me një votë mosbesimi në parlament për ekonominë, të sjellë nga partia kryesore opozitare e vendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Fati i saj në përpjekjet për integrim është i lidhur me…"

‘Ngecja’ e anëtarësimit në BE/ ‘VOA’: Shqipëria është tani viktimë e rastit

Negociatat vinë bashkë me projektin ekonomik

“Do t’i përshpejtojmë proceset integruese për Ballkanin”