MENU
klinika

Pas barazimit me Estoninë

Sulmuesit kuqezinj: Nuk na do edhe fati

13.06.2022 - 20:36

Sulmi vijon të jetë problematik për Shqipërinë  dhe kjo u pa edhe sot në barazimin pa gola me Estoninë në miqësore. Sulmuesit kuqezinj folën për mediat pas takimit, teksa thanë se në fazën ofensive duhet të ndihmojnë të gjithë. Gjithashtu, theksuan edhe mungesën e fatit.

ARMANDO BROJA – “Them se kur stërvitemi më shumë bashkë është më rehat, por kur stërvitemi 1 herë në muaj është e vështirë. Stërvitja shkoi mirë, por në ndeshje nuk del rezultati mirë. Kemi raste të shënojmë, por dhe nuk kemi fat.

Sulmi fillon nga portieri, është i gjithë ekipi. Duhet të gjithë lojtarët për sulmin, jo vetëm 2 apo 3 që të shënohet goli. Them të vazhdojmë me stërvitjet mirë si grup, të komunikojmë me njëri-tjetrin dhe me stafin që të arrijmë gjëra të mëdha, dhe të jemi të përqëndruar.

Nuk di për skemën është stili i trajnerit dhe nuk mundesh të ndryshosh, ne vetëm mundohemi të japim maksimumin në fushë dhe të fitojmë ndeshjen”.

ENDRI ÇEKIÇI – “E kemi parë që ka ndodhur e njëjta gjë edhe në dy ndeshjet e shkuara. Shpresoj që me fillimin e sezoneve të kalojmë këtë ngërç psikologjik dhe të shënojmë. Estonia ishte pasive sot, 8-9 lojtarë ishin pas dhe nuk ka të bëjë me skemën.”

GIACOMO VRIONI – “Kërkuam të fitonim këtë ndeshje, patëm shumë raste pjesën e parë. Duhet të marrim forcat dhe të bëhemi gati për ndeshjet e shtatorit. Besoj shumë të grupi. Në shtator do kërkojmë të marrim maksimumin e pikëve.

Stërvitja kërkon të punojmë të gjithë së bashku të kërkojmë golin në ndeshje, do kërkojmë në shtator tre pikët në ndeshjet që kemi. Mesfushorët na kërkojnë, ne duhet të jemi më agresivë kur jemi në sulm, duhet të japim maksimumin dhe të kërkojmë të japim gola”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN