Greqia i është drejtuar me shqetësim Organizatës së Kombeve të Bashkuara pas deklaratave të bëra nga zyrtarë të lartë turq që vënë në dyshim sovranitetin territorial të Greqisë mbi ishujt në Egje.
Sipas mediave greke, pretendimet e bëra nga Turqia kanë vënë në provë durimin e Athinës, duke e detyruar Greqinë t’i dërgojë dy letra Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Greqia i hedh poshtë pretendimet e Turqisë për statusin e ishujve grekë në Egje, thanë të martën burime qeveritare greke, shkruan “greekcitytimes”.
Turqia ka deklaruar se si pasardhëse e Perandorisë Osmane, ka sovranitet ndaj të gjithë ishujve të Egjeut që nuk përmenden me emër në traktatet ndërkombëtare dhe se zyrtarët grekë duhet të kërkojnë leje për të udhëtuar në ishujt në Mesdheun Lindor, raporton gazeta BHMA.
“Pas deklaratave nga zyrtarë të lartë të qeverisë turke se sovraniteti i Greqisë mbi një numër ishujsh të saj në Mesdheun lindor është i kushtëzuar nga çmilitarizimi i tyre nga Athina, ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar thuhet se ka vendosur që të ndalojë zëvendësministrin e Mbrojtjes Nikos Hardalias për të vizituar ishujt e përmendur pa lejen e Ankarasë.’
Në nivelin me te larte ne qeverine greke po komentohen edhe deklaratat e mëparshme të ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, pas takimit me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në të cilat ai tha se “sovraniteti i ishujve të Egjeut do të vihet në pikëpyetje nëse Greqia nuk ndalet së shkeluri traktatet ndërkombëtare”, citohet nga agjencia e lajmeve Anadolu.
Cavusoglu i referohej kërkesës së vazhdueshme të Turqisë që Greqia të çmilitarizonte ishujt.
Në dy letrat drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, përfaqësuesi i Greqisë në OKB hedh poshtë argumentet e Turqisë si të paqëndrueshme ligjërisht, me motive të qarta revizioniste dhe duke nxitur më tej destabilitetin që Turqia krijon me veprimet e saj.
Prej vitesh Turqia kërkon demilitarizimin e ishujve grekë përballë tokës turke, referuar Traktatit të Luzanës, i cili parashikonte se asnjë ushtar apo teknikë ushtarake nuk duhej të gjendej në këto ishuj.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përshkallëzuar së fundmi ku ka pasur akuza për shkelje të hapësirës ajrore greke nga Turqia dhe retorikë agresive në nivel politik.