MENU
klinika

Nga The Washington Post

Ukrainasit nuk do të votonin kurrë kundër Boris Johnson

08.06.2022 - 15:35

Kryeministri britanik Boris Johnson i ka mbijetuar votimit të mosbesimit të Partisë Konservatore.

Kritikët e tij të shumtë ndoshta nuk ishin të lumtur që ai arriti të kalonte këtë sfidë të fundit.

Por një grup njerëzish ishte i emocionuar: ukrainasit.

Dhe është e vështirë t’i fajësosh ata. Ukraina, e përfshirë në një luftë ekzistenciale për mbijetesën e saj si një komb i pavarur, me të drejtë e sheh Johnson si një nga miqtë e saj më të besueshëm në Perëndim. Teksa presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz kanë shpenzuar orë të panumërta duke u përpjekur të flasin me Vladimir Putinin, Johnson ishte lideri i parë i një fuqie të madhe perëndimore që vizitoi Kievin. Vetë Zelensky,  kur dëgjoi lajmin për fitoren e Johnson të hënën tha: “Më vjen mirë që nuk kemi humbur një aleat të rëndësishëm, ky është një lajm i madh.”

Kjo aleancë shkon përtej imagjinatës.

Sipas standardeve evropiane, bie në sy ndihma ushtarake britanike; në maj, Johnson premtoi një ndihmë shtesë prej 1.6 miliardë dollarësh për ukrainasit, pothuajse duke dyfishuar angazhimet e mëparshme të Britanisë.

Së fundmi, qeveria britanike njoftoi se do t’i sigurojë Ukrainës raketahedhës të drejtuar me saktësi M270, të cilat mund të godasin objektiva deri në 50 milje larg.

Britania ka vendosur gjithashtu sanksione të rëndësishme mbi tregtinë me Rusinë, ka përjashtuar bankat kryesore ruse nga tregjet financiare britanike dhe ka ngrirë asetet e tyre dhe ka vendosur kufizime në aksesin e firmave dhe individëve rusë në shërbimet financiare në Britani. Pas dekadash në të cilat britanikët akomoduan kleptokratë rusë, qeveria e Johnson-it tani ka sanksionuar më shumë se 1000 persona dhe biznese me lidhje me qeverinë ruse, duke përfshirë oligarkë.

Merita nuk ka vetëm për Johnson. Në një kohë kur shumë liderë anembanë botës preferonin të injoronin tendencat agresive të Rusisë, si Sekretarja e Jashtme Liz Truss dhe Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace po i binin ziles së alarmit – dhe që atëherë kanë mbetur mbështetës të palëkundur të Ukrainës.

Edhe lideri i opozitës, Keir Starmer, e ka quajtur Putinin një “kriminel lufte”, ndërsa sekretari i jashtëm në hije i laburistëve, David Lammy, ka thënë se diktatori rus “e meritonte humbjen absolute”.

Rezultati poshtërues i votimit të së hënës, në të cilin 4 nga 10 parlamentarë konservatorë votuan kundër liderit të tyre, hap derën për sfida të mëtejshme lidershipi ose ndoshta për një zgjedhje të parakohshme.

Në Dhjetor 2018, Theresa May përballoi një votëbesimi me 117 nga 317 deputetë konservatorë që votuan kundër saj. Megjithatë, rezultati u pa si një goditje dramatike për autoritetin e saj, duke çuar në dorëheqjen e saj brenda disa muajsh.

Britain’s Prime Minister Boris Johnson and his wife Carrie Johnson arrive to attend the annual Conservative Party Conference, in Manchester, Britain, October 6, 2021. REUTERS/Toby Melville

A mund të ruhet uniteti aktual në Ukrainë nëse konservatorët kalojnë përsëri të njëjtin cikël?

Problemi nuk janë thjesht zërat ekstremistë në të dyja palët. Teksa çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten dhe teksa lufta po bëhet luftë statike e stilit të Luftës së Parë Botërore në llogoret e Ukrainës lindore, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ruhet momenti aktual politik në favor të Kievit.

Lufta e brendshme midis konservatorëve mund të çojë në një luftë tregtare të plotë me BE-në, e cila mund të pengojë përpjekjet e Britanisë dhe partnerëve të saj evropianë për të ruajtur vendosmërinë e tyre të përbashkët kundër Rusisë.

E ardhmja politike e Johnson është e pasigurt – dhe në një masë të madhe e meriton.

Megjithatë, mbështetja e tij për Ukrainën dhe përkushtimi i qeverisë së tij për sigurinë e Evropës Lindore janë dy nga trashëgimitë e tij që ia vlen të ruhen.

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al