Giacomo Vrioni ishte autor i një sezoni të shkëlqyer me fanellën e Tirol në elitën e futbollit austriak. Sulmuesi i kombëtares falë 19 golave të shënuar fitoi edhe Këpucën e Artë. Kjo arritje e 23-vjeçarit nuk mund të kalonte pa u vënë re nga klube të cilat bëjnë pjesë në kampionatet elitarë të Europës.
Së fundmi, sipas “SuperSport”, lojtari i cili është në pronësi të Juventus, ka fituar interesin e Sampdorias. Ekipi dorian është në kërkim të një sulmuesi për sezonin e ardhshëm dhe Vrioni mesa duket është profili i duhur.
Kujtojmë se Vrioni ka debutuar në elitën italiane me Juventusin, ndërsa edhe Sampdoria i njeh mirë cilësitë e shqiptarit duke qenë se pikërisht me këtë skuadër, Vrioni ka pasur fillimet e tija në Itali.
Vrioni është aktivizuar me të rinjtë e Sampdorias në vitin 2015 ndërsa ishte pjesë e dorianëve deri në vitin 2020, por pa ia dalë të aktivizohej me ekipin e parë.
Gjithsesi, nëse tratativa mes sulmuesit dhe Sampdorias dhe Vrionit mbyllet me sukses, atëherë sulmuesi do të ketë mundësinë të rikthehet si protagonist në klubin e vjetër.