Çiklisti Ylber Sefa, që përfaqësonte ekipin kombëtar, është shpallur sot fitues i Turit të 79-të Çiklistik të Shqipërisë. Ai triumfoi në etapën e 5-të dhe të fundit, Gjirokastër-Vlorë-Fier (160.6km e gjatë), sukses që i dha triumfin e merituar në këtë aktivitet.
Për Sefën ky është suksesi i dytë në këtë edicion të Turit Çiklistik, pasi ka fituar edhe etapën e parë. Ai e mbajti fanellën e verdhë të liderit për katër etapa, e humbi atë një ditë më parë, për ta rimarrë sërish sot, pas finishit në qytetin e Fierit.
Në këtë etapë, Sefa arriti të rikuperojë disavantazhin që kishte ndaj rumunit Rauileanu, duke treguar një formë të mirë sportive. Ai preu i pari vijën e finishit sot në Fier pas 2h24’10”, duke festuar më pas këtë triumf në Turin Çiklistik.
Në fund të këtij turneu, Mikel Demiri ruan fanellën e kuqe dhe vendin e parë në renditjen e moshës deri në 23 vjeç, duke konfirmuar se talentet në këtë sport nuk mungojnë. Në këtë edicion të Turit Çiklistik morën pjesë 12 skuadra: 3 shqiptare e 9 të huaja.