MENU
klinika

Ylli Pata

Zgjimi i vonë i Ilir Metës për ‘luftën e re’ ndaj Greqisë

01.06.2022 - 20:27

Ka disa ditë që deputetë të LSI-së, por edhe media pranë saj, i kanë dhënë zë një deklarate të Ilir Metës, i cili, ka replikuar me ministrin e jashtëm grek Nikos Dendias, në lidhje me çështjen e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Siç dhe pritej, këto deklarata u amplifikuan në mediat turke në gjuhën shqipe: Anadolu Ajansi dhe TRT.

Niko Dendias, ministri i Jashtëm i Greqisë, paz vizitës që zhvilloi në Tiranë një javë më parë, deklaroi për mediat greke, se nisja proceduriale e betejës mes Tiranës dhe Athinës në gjykatën e Hagës për çështjen e detit, pritet që të nisë pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, i cili duhet t’i japë plotfuqinë delegacionit shqiptar që do të përgatisë dokumentet për gjyq.

Kaq ka mjaftuar që Meta të marrë rolin e një të mënjanuari në çështje, e LSI ta bëjë çështje të fortë.

Petrit Vasili, deklaroi sot se “nuk ka asnjë dyshim që Rama është tradhtar, e që po zgjedh një president të tijin që t’i japë detin Greqisë”. Sipas Vasilit, në Hagë është e favorizuar Athina, e sulmoi përveç Ramës, edhe shoqërinë ligjore të gruas së Tony Blair, që është pajtuar nga qeveria shqiptare për të mbrojtur çështjen.

Sulmi ndaj ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe familjes së tij, është bërë një refren prej kur Edi Rama është zgjedhur kryeministër, e ka zgjedhur që të këshillohet prej një prej njerëzve më influentë në politikën botërore.

Këtyre sulmeve, Blair nuk i është përgjigjur asnjëherë, duke i injoruar totalisht, megjithatë logjika akuzuese është krejt pa krye. Një politikan që ka bërë shumë kur ishte në pushtet për të çliruar shqiptarët nga zgjedha e Millosheviçit, pra të çliruar Kosovën, e natyrisht që ka shtyrë para relacionet e Britanisë së Madhe me Shqipërinë, përse do të duhet të mbajë anën e Athinës, kur tashmë është fakt publik që ai është jo vetëm një këshilltar i qeverisë shqiptare, por edhe avokat publik i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?

“Për para”, është akuza! E në fakt këtu e tjerrin të gjithë mllefin politik ndaj të gjithë politikanëve të njohur europianë që kanë qenë të angazhuar me Shqipërinë. “Janë blerë”. Po si mund të blihen figura të tilla, që kanë një reputacion dhe aktivitet të pacënueshëm, jo në vendet e tyre, por edhe në arenën ndërkombëtare. Si mund të blihen njerëz të tillë që në profesionin e tyre janë autoritete, edhe pse nuk janë më në qeveri.

Cherie Blair, konsiderohet jo vetëm një nga avokatet më të mira në Britaninë e Madhe, por edhe në të gjithë botën. Grupi i ekspertëve ligjorë që janë partner në shoqërinë e tyre, punojnë me qeveri, kompani, subjekte, individë, e që në të shumtën e herës janë fitues.

Opozita shqiptare në këtë rast, me logjikë në kokë, duhet ta përshendeste faktin që për një çështje të rëndësishme, është pajtuar një grup juristësh që kanë edhe përvojë pozitive me çështjen shqiptare.

Përse nga inati i Ramës duhet të sulmohet familja Blair, siç ndodhi me familjen Clinton gjatë fushatës me Donald Trump, thjesht për të marrë simpatinë e miliarderit nga Nju Jorku që të rrësonin Edi Ramën?

E gjithë kjo fushatë rezultoi e kotë, pasi Donald Trump u bë më shumë mik me Edi Ramën seç kanë qenë Clinton-ët. Ku shkoi gjithë ai mllef e fushatë balte, që në fund të fundit turpëroi shqiptarët, duke i nxjerrë mosmirënjohës për atë që ajo familje bëri për shqiptarët?

Ndërkaq, në lidhje me problemin me Greqinë, është e vërtetë që deklarata e ministrit Dendias pas vizitës në Tiranë ishte mjaft serioze. Ai deklaroi hapur që “Shqipëria nuk duhet të hapë çështje që nuk ekzistojnë”, duke nënkuptuar çështjen çame, e duke e shkëmbyer këtë me “gatishmërinë” për të hequr ligjin e luftës.

Është natyrisht një çështje e rëndësishme, që politika shqiptare nuk u mor fare gjatë vizitës së Dendiasit. Si mazhoranca, por edhe opozita. Tashmë është vërtetuar se përplasja dhe akuzat e sulmet apo përçarja për një çështje të caktuar, vetëm e dobëson faktorin shqiptar.

A nëse realisht ka fakte se qeveria aktuale, vërtetë po i jep koncensione Athinës në lidhje me detin, natyrisht që duhet të diskutohen madje shumë.

Në vitin 2009, kur i firmos marrëveshja ndërmjet qeverisë së Sali Berishës dhe asaj të Kostas Karamanlis për çështjen e detit, ishin pikërisht intelektualët që dhanë alarmin për cënim të integritetit territorial të Shqipërisë e jo politika.

Opozita shqiptare, përkatësisht Partia Socialiste, hyri në lojë kur çështja ishte bërë publike në media dhe disa takime të ekspertëve, historianëve dhe itnelektualëve. Që nga koloneli Myslym Pashaj, profesor Pëllumb Xhufi e mjaft intelektualë të tjerë që ngritën çështjen në forume publike, madje duke paguar edhe salla hotelesh e shpenzime për të sensibilizuar çështjen. E çështja u ngrit me argumente, aspak me akuza se kush është tradhëtari. Në fund, opozita, bëri realisht detyrën, duke e kontestuar marrëveshjen Tiranë-Athinë në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi.

Ne sot jemi në një kohë kur as qeveria shqiptare e as ajo greke nuk janë dakord për të arritur një marrëveshje për kufirin detar. Nuk janë dakord, pasi çështja që palët përplasën është pikërisht ajo kleçka e “ishullit barketa” përballë Ksamilit, ku dhe nisi sherri. E ku thuhet se ka rezerva të konsiderueshme gazi natyror.

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, e ka bërë të qartë këtë çështje, disa erë, e ndaj u vendos që kontesti mund të shkojë në Hagë. E cila si logjikë, mund të vendosë një vijë të mesme të barazlarguar, pasi bëhet fjalë me fakte dhe argumente. Sipas procedurës, delegacioni shqiptar do të mbrojë çështjen pikërisht duke ju referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, i cili është precedent juridik i patjetërsueshëm që nuk mund të anashkalohet nga Gjykata Ndërkombëtare. Madje do t’i referohet, pasi vendimi në fjalë ka të shteruara argumentet juridike dhe hartografike. Këtu nuk ka dilemë. Por në fund, materiali që do shkojë në Hagë, do të marrë plotfuqinë e Presidentit dhe do të miratohet në Parlament. Pasi përndryshe nuk është ligjore.

Po përse e bën Ilir Meta, gjithë këtë zhurmë antigreke? Për të pasur një kauzë politike pas lagimit nga presidenca, që sipas gjasave nuk do të jetë aq shumë i lavdishëm.

Ilir Meta, në vitin 2016, kur në në Athinë qeveriste Alexis Tsipras, i cili në fillim pati marrëdhënie të kontraktuara me Edi Ramën, shkoi në Athinë si kryetar Parlamenti dhe mbajti anën e shkrirjes së akujve me Greqinë. Madje për këtë zell, Meta edhe u dekorua nga homologu i tij grek, Nikolaos Voutsis me “Medaljen e Artë të Parlamentit të Greqisë”.

Ndërkaq si President, ka dekoruar ambasadoren e Greqisë në Tiranë, e cila është kritikuar shpesh nga publiku shqiptar për qëndrimet e saj pro qarqeve ekstremiste progreke në Shqipëri.

Por gjithsesi ka një zhvillim krejt të ri në të gjithë këtë panoramë, ku kemi një relacion më të afërt të një qeverie të majtë të Tiranës me një qeverie të djathtë të Athinës, marrëdhënie që shikohet nga relacionet e afërta të Edi Ramës me homologun Qirjakos Micotaqis.

Kryeministri grek, para dy javësh u prit në një protokoll super në Uashington, jo vetëm nga Presidenti Biden, por edhe mbajti një fjalim në Kongresin Amerikan. Ngjarje shumë e rëndësishme për politikën europiane dhe atë të Ballkanit. E cila nuk ndodhi kot së koti, por pasi qeveria aktuale greke preu të gjithë lidhjet e hershme me Moskën dhe Pekinin, që kishin mbetur që nga koha e krizës së 2008-s.

Pra, si në Athinë, ashtu edhe në Tiranë janë dy aleatë tepër të ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky fakt është risia që duhet të diskutohet, por që ka irrituar Ilir Metën…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN