MENU
klinika

Tiranë, 1920...

4 Korriku i botës së lirë

04.07.2022 - 12:43

         Festa kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është përshëndetur gjithmonë nga populli shqiptar, në shenjë mirënjohjeje dhe shprese… 

100 vjet më parë, nisin marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA – më 28 korrik 1922, – pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Wilson doli në krah të vendit tonë.

Ambasadori i parë amerikan në Tiranë, ishte Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 dhjetor 1922.

Ambasadori i parë shqiptar në Uashington ishte Faik Konica, i cili u emërua në këtë detyrë në vitin 1929, nga Ahmet Zogu.

Marrëdhëniet diplomatike vijuan normalisht, deri më 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia.

Ambasada amerikane në Tiranë, u mbyll më 16 shtator 1939.

Ngrirja e marrëdhënieve zgjati edhe gjatë kohës kur, në pushtet erdhi Enver Hoxha.

Marrëdhëniet u rilidhën më 15 mars 1991, pas rrëzimit të sistemit totalitar.

William Rajerson u bë ambasadori i parë amerikan, pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve.

3 muaj më pas, më 21 qershor 1991, Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë që vizitonte Shqipërinë, pas periudhës së gjatë të izolimit

Më 10 qershor 2007, Presidenti George W. Bush vizitoi vendin tonë si i pari president që vjen në Shqipëri.

4 Korriku 1776 është një ditë e shënuar për amerikanët. Delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan Deklaratën e Pavarësisë, hartuar nga Thomas Jefferson e duke njoftuar shkëputjen nga Britania.

Deklarata e Pavarësisë është një nga simbolet e lirisë, dhe më të dashura e të nderuara të Shteteve të Bashkuara, u ratifikua nga Kongresi Kontinental më 4 korrik 1776.

Rebelimi i Shteteve të Bashkuara kundër britanikëve kishte filluar një vit më parë, më 1775 dhe vazhdoi derisa Shtetet e Bashkuara dhe Britania nënshkruan Traktatin e Parisit në vitin 1783, që zyrtarisht, njohu pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e pavarësisë, fjalët më të fuqishme në historinë amerikane

U formua një shtet të ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. John Adams ishte një udhëheqës në shtyrjen për pavarësi, që u miratua më 2 korrik, me asnjë votë kundër. Një komitet prej pesë personash kishte hartuar deklaratën formale, që do të ishte gati, kur Kongresi të votonte për pavarësinë. Termi “Deklarata e Pavarësisë”, nuk është përdorur në dokument.

John Adams bindi komisionin të zgjidhte Thomas Jeffersonin, për të hartuar draftin origjinal të dokumentit, dokument që Kongresi, do ta redaktonte për të arritur në versionin përfundimtar. Në fund të fundit, deklarata ishte një shpjegim formal, pse Kongresi kishte votuar më 2 korrik, të shpallë pavarësinë nga Britania e Madhe, më tepër se një vit pas shpërthimit të Luftës Revolucionare Amerikane. Ditën tjetër, më 3 korrik, John Adams i shkroi gruas së tij Abigail: “Dita e dytë e korrikut 1776, do të jetë epoka më e paharrueshme në historinë e Amerikës” Por, festa kombëtare, Dita e Pavarësisë, festohet më 4 korrik, data kur u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë.

Pas ratifikimit të tekstit më 4 korrik, Kongresi nxori Deklaratën e Pavarësisë në disa forma. Ajo u botua fillimisht, si fletushkë që u shpërnda dhe u lexua gjerësisht për publikun. Kopja e përdorur për këtë fletushkë, ka humbur dhe mund të ketë qenë kopja, në duart e Thomas Jeffersonit. Drafti fillestar i Jeffersonit, me ndryshimet nga John Adams dhe Benjamin Franklin, si dhe shënimet nga Jefferson, me ndryshimet nga Kongresi, ruhen në Bibliotekën e Kongresit.

Versioni më i njohur i Deklaratës, një kopje e nënshkruar që është konsideruar gjerësisht, si dokument zyrtar, ndodhet në Arkivat Kombëtare në Uashington DC. Kjo kopje u urdhërua nga Kongresi më 19 korrik, ndërsa u nënshkrua më 2 gusht.

Burimet dhe interpretimi i Deklaratës, kanë qenë subjekt i shumë hetimeve shkencore. Deklarata justifikoi pavarësinë e Shteteve të Bashkuara, duke renditur ankesat koloniale ndaj mbretit George III dhe duke pohuar disa të drejta natyrore dhe juridike, duke përfshirë edhe të drejtën e revolucionit. Abraham Linkolni e bëri Deklaratën, epiqendrën e retorikës së tij (si për shembull, në fjalimin e Getisburgut më 1863) dhe politikave të tij. Që atëherë, është bërë i mirënjohur pohimi për të drejtat e njeriut, në veçanti fjalia e dytë:

Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre, me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë.

Kjo është quajtur “një nga fjalitë më të njohura, në gjuhën angleze”, që përmbajnë “mesazhin më të fuqishëm në historinë amerikane”.

Pasazhi përfaqësonte një moral standard për të cilin duhej të përpiqeshin Shtetet e Bashkuara. Kjo pikëpamje u promovua sidomos nga Linkolni, i cili e konsideroi Deklaratën, si themelin e filozofisë së tij politike, duke argumentuar si deklaratën e parimeve mbi të cilatn duhet të interpretohet Kushtetuta Shtetet e Bashkuara.

Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara frymëzoi shumë dokumente të tjera të ngjashme, në vende të tjera në shekujt e 18-të dhe 19-të, duke u përhapur në Vendet e Ulëta, më pas në Karaibe, Amerikën Spanjolle, Ballkan, Afrikën Perëndimore dhe Evropën Qendrore, deri më 1848.

Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan më pas, bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Dita e Pavarësisë në SHBA, kudo festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e tonelatave të fishekzjarrëve në qiellin e Eldorados, ku qytetet kryesore: Nju Jorku, Filadelfia, Uashingtoni, Los Angelos, Çikago, Dallas, Feniks, Detroiti, Bostoni, e presin mbrëmjen magjike me fishkezjarre spektakolare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

Shqipëria në testamentin e Konicës

“Ti Imzot Noli dhe ti Lamja i vogël”

Konica ky mësues i rreptë

“E deshi Shqipërinë aq sa e urreu”