Lufta në Ukrainë nisi me 2 keqkuptime të mëdha në mendjen e presidentit rus Vladimir Putin. Sipas tij, paqja do të vijë vetëm kur sundimtari rus të marrë atë çka i ishte mohuar. Duke menduar se mund të pushtonte Kievin brenda dy ditësh, Putin nisi pushtimin e Ukrainën më 24 shkurt.
Ai besonte se Ukraina është në thelb një Bjellorusi pak më e madhe, ku nacionalizmi vendas ishte i vakët dhe i çorganizuar, dhe ku inkursioni i armatosur i Putinit, për të vendosur në krye një “kukull” të Kremlinit, do të ishte shumë më i shkurtër sesa shumica e pushimeve evropiane përgjatë historisë.
Ai priste që forcat e tij të përballeshin me një rezistencë simbolike në Ukrainë, dhe që komanda e tij të harxhonte shumë pak kohë për t’u vendosur në Kiev. Nëse rezistenca e Ukrainës ishte e ashpër, ai priste një përsëritje të aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
Një luftë të përgjakshme por të shkurtër, ku Perëndimi do ta fshikullonte Moskës vetëm me deklarata të forta diplomatike, në vend se të dërgonte në Ukrainë qindra mijëra raketa dhe predha artilerie. Po ashtu, Putini do të ketë imagjinuar se shfaqja e tij e fortë e forcës ushtarake, do ta frikësonte dhe përçante Bashkimin Evropian, dhe për rrjedhojë edhe NATO-n.
Ai e dinte se eksportet e gaz rus, ishin jetike për disa vende anëtare të BE-së, dhe veçanërisht për Gjermaninë, ekonominë më të madhe të Evropës kontinentale, dhe që ka numrin më të madh të eurodeputetëve në Parlamentin Evropian.
Putin vuri bast se evropianët nuk do ta ktheheshin asnjëherë pas në vendimin e tyre për mbylljen e centraleve të tyre me qymyr dhe ato bërthamore, dhe as të shtonin importet e gazit natyror nga Shtetet e Bashkuara dhe Katari, apo të planifikonin ndërtimin e linjave të reja të transportit të naftës dhe gazit nga Afrika e Veriut apo Lindja e Mesme.
Ai mendonte se ndjenjat pro ambjentaliste të Evropës, i bënin të pa mendueshme këto ndryshime. Edhe më tronditëse për ato çka mendonte Putin para luftës, duhet të ketë qenë ndryshimi i papritur i më shumë se 70 viteve të politikës gjermane dhe asaj japoneze në lidhje me shpenzimet ushtarake.
Pasi kanë qenë në ankth për një kohë të gjatë, për t’i treguar botës se nuk do të ishin kurrë fuqi ushtarake të stilit të Luftës së Dytë Botërore, të dyja këto vende shpallën papritmas buxhete më të mëdha për forcat e tyre të armatosura. Atëherë, si mund të ndikojë bota që Putini të tërhiqet nga Ukraina dhe të mos përshkallëzohet më tej konflikti atje?
Së pari, ajo duhet të bashkohet për ta mbështetur Ukrainën si një vend të pavarur, sovran dhe demokratik. Njoftimi i kohëve të fundit i Gjermanisë, se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, “përfshirë Krimenë”, duhet t’i japë fund të gjitha diskutimeve për lëshimin e një pjese të territorit të Ukrainës në këmbim të paqes me Rusinë.
Më pas, duhet të nxitet dhe ushqehet rritja ushtarake dhe ekonomike. Një Ukrainë e dobët dhe e pambrojtur, vetëm sa do të nxisë një agresion të ri rus në të ardhmen. Rindërtimi i Ukrainës do të kërkojë investime të mëdha nga sektori privat. Por investimet e sektorit privat, varen nga një mjedis përgjithësisht i sigurt.
Shtetet e Bashkuara kanë përpara një shans historik për të ndërtuar bashkë me aleatët e saj pengesën më të mirë kundër agresionit të ardhshëm rus, dhe për të ndihmuar në adresimin e kulturës endemike të korrupsionit në Ukrainë, nëpërmes një Plani Marshall në miniaturë dhe të mirë-konceptuar.
Ajo që është zbehur prej disa vitesh, është angazhimi i udhëheqësve amerikanë për të mbrojtur, ruajtur dhe avancuar një rend ndërkombëtar, në të cilin kombet respektojnë rregullat dhe standardet e përbashkëta; përqafojnë sistemet ekonomike liberale; heqin dorë nga pushtimet territoriale; respektojnë sovranitetin kombëtar; dhe përdorin sisteme qeverisjeje pjesëmarrëse dhe demokratike.
Në mjedisin aktual global gjithnjë e më kompleks, Shtetet e Bashkuara mund ta arrijnë këtë synim vetëm duke e përdorur forcën e tyre përmes një politike të jashtme kohezive, e cila i përgjigjet sfidave të paraqitura nga Rusia dhe Kina. Dhe që ta bëjë këtë, Uashingtoni duhet të forcojë dhe kultivojë qëllimisht marrëdhënie produktive me aleatët, partnerët dhe kombet e tjera me interesa të përbashkëta.
Shtetet e Bashkuara duhet të ofrojnë alternativa tërheqëse politike, ekonomike dhe të sigurisë ndaj ndikimit të Kinës në Indo-Paqësor, Afrikë dhe më gjerë. Njëherazi, Amerika duhet të ketë një dialog strategjik produktiv me Kinën, duke ia bërë të qartë Pekinit shqetësimet jetike të SHBA-së, në një kohë që udhëheqësit amerikanë duhet të kuptojnë si duhet interesat dhe objektivat kineze.
Parimet universale, mund të kombinohen me njohjen e realitetit të historive, kulturave dhe perspektivave të rajoneve të tjera për sigurinë e tyre. Në vitin 2014, Henry Kissinger shkroi: “Vlerësimi i parimeve universale, duhet të ndodhë paralelisht me njohjen e realitetit të historive, kulturave dhe pikëpamjeve të rajoneve të tjera për sigurinë e tyre”. Ne duhet të mësojmë nga këto fjalë të mençura, dhe të shmangim keqkuptimet tona të mëdha.
Burimi: National Interest