Për Dhomën Amerikane të Tregtisë, nisma e qeverisë për Amnisti Fiskale dhe Penale nuk ofron garancitë e mjaftueshme, se përmes saj nuk do të përfitojnë persona të inkriminuar.
Presidenti i AmCham, Enio Jaço, ndërsa renditi risqet që nisma paraqet, u kujdes që të bëjë të qartë se ky nuk është qëndrimi i një individi të vetëm, por e institucionit me strukturat përkatëse.
RISQET
Veç mungesës së sigurisë për të mos i hapur rrugë legalizimit të parave që vijnë nga bota e krimit dhe trafikut, shqetësim për Dhomën Amerikane të Tregtisë është edhe fakti që Shqipëria është në listën e vendeve gri, pra, me risk të lartë për pastrimin e parave. Në këto kushte, tha Jaço, më mirë të presim të dalim së pari nga kjo listë.
Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e organizuar nga “Open Data Albania”, me temë “Pastrimi i Parave në kontekstin e Amnistisë Fiskale”, Jaço renditi si rrezik edhe thellimin e konkurrencës së pandershme. Niveli i taksimit, vuri në dukje ai, është më i ulët për personat që përfitojnë nga amnistia fiskale në krahasim me atë që bizneset e rregullta paguajnë.
“Unë dua të shpjegoj shumë shkurt se ku qëndrojmë ne, sepse mund të ketë pasur edhe ndonjë keqkuptim. Ne kemi pasur tri çështje kryesore. E kuptojmë që ligji mund të ketë një intencion pozitiv, por nga ana tjetër, kemi identifikuar disa risqe. Në opinionin tonë, garancitë e ofruara që persona të inkriminuar nuk do përfshihen në amnistinë fiskale nuk kanë qenë të mjaftueshme. E dyta, e cila është një nga shqetësimet kryesore të anëtarëve, është rreziku që kjo amnisti mund të thellojë konkurrencën e pandershme dhe mendoj se të gjithë e kuptojnë këtë pjesë. E lidhur me këtë është niveli i taksave, i cili është më i ulët për personat që përfitojnë nga amnistia fiskale në krahasim me atë që bizneset e rregullta paguajnë.
Nëse do ishte një normë tatimi më të lartë, në njëfarë mënyre edhe për t’i penalizuar këto subjekte edhe fiskalisht, atëherë do të ishte një situatë tjetër. E treta dhe shumë e rëndësishme është pozicionimi i Shqipërisë në lidhje me programet e monitorimit ndërkombëtar. Shqipëria është në procesin e “Moneyval”, ku tashme është në zonën gri të pastrimit të parave. Mendoj që është e rëndësishme të dalim një herë nga kjo listë. Ky ka qenë një shqetësim edhe nga FMN dhe Bashkimi Europian”, tha Jaço duke shtuar më tej se “nëse drafti i ri i adreson këto dhe garanci të mjaftueshme ofrohen nga partnerët ndërkombëtarë, atëherë dua të qartësoj që qëndrimi i AmCham është gjithashtu i adaptueshëm.
Ky pozicionim është i rëndësishëm për ne sepse është i lidhur drejtpërdrejtë me aftësinë për tërheqjen e investimeve të huaja. Por dua të theksoj se AmCham është një nga grupet e interesit, ne vetëm rekomandojmë me interesin për të përmirësuar ligjin. Ne nuk jemi vendimmarrës. Por mendoj se adresimi i këtyre çështjeve do ishte i shëndetshëm dhe nëse gjendet një zgjidhje do ishte pozitive për të gjithë”, shtoi më tej presidenti i AmCham.
QËNDRIMET KUNDËR
Shoqatat e biznesit kanë kundërshtuar miratimin e kësaj nisme me argumentet se krijon hapësirë për abuzim, nxit evazionin fiskal dhe dëmton konkurrencën në treg. Në deklaratën për mediat të pak ditëve me parë, Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkoi nga Qeveria të tërheqë nismën, pasi dëmet që mund të sjellë janë më të mëdha në raport me përfitimet. Kundër draftit të qeverisë ka dalë edhe Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë. Përmes një deklarate për mediat, vihet në dukje se nisma do të sillte pasoja në aspektin afatgjatë, pasi do të nxiste bizneset formale për të kaluar në informalitet me shpresën e një amnistie të dytë fiskale. Më herët, Komisioni Evropian ka shprehur po ashtu shqetësime serioze për draftin e prezantuar për amnistinë fiskale duke e konsideruar atë një rrezik thelbësor për reputacionin e Shqipërisë.
“Mekanizmat e kontrollit të pasurisë nuk janë efikasë”
Në gjykimin e ekspertëve, amnistimi i të ardhurave deri në 2 milionë euro pa penalitete dhe përkundrejt një detyrimi tatimor modest që varion nga 5-10 për qind, nuk jep garanci se përmes saj nuk do të vërshojnë para krimi për t’u legalizuar. Kjo, pasi rrethi i të përjashtuarve është i kufizuar, çka do të thotë se në radhët e kategorive që nuk mund të përfitojnë nga kjo amnisti, preken vetëm anëtarët e familjes. Nga ana tjetër, mekanizmat e kontrollit apo verifikimit të burimit të parave konsiderohen nga ekspertët si aspak efikase. Do të jetë vetëm një njësi pranë Tatimeve që do të përmbyllë procesin në harkun e 5 ditëve.
Me shqetësim dhe tejet problematike është parë edhe legalizimi i pasurive jashtë territorit të vendit, pra mënyra sesi do të bëhet riatdhesimi i kapitaleve, ndërsa ka jo pak hije dyshimi edhe mbi faktin që pjesë e kësaj amnistie mund të jenë edhe shtetasit e huaj, mjafton të kenë aktivitet biznesi në vendin tonë. Sa u takon kufizimeve, në draftin e Amnistisë Fiskale është përcaktuar se mbi pasurinë e deklaruar, që mund të jetë në para ose prona s’mund të bëhet asnjë veprim, pra s’mund të tërhiqet pa përfunduar afati 9-mujor i amnistisë. Ndërsa për transferimet jashtë vendit qytetarët duhet të presin 5 vite. “Në rastet kur subjektet që kanë deklaruar shuma në të holla, dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit, përpara afatit 5-vjeçar nga data e depozitimit të tyre, u mbahet si penalitet në masën 30% të shumës së transferuar”, thuhet në draft.
REAGIMET
Ambasadori i Holandës: Me rëndësi si do të bëhet amnistia
Ambasadori i Holandës, Reinout Vos, e ka konsideruar të tepërt kombinimin e amnistisë fiskale me atë penale. Në aktivitetin me temë “Pastrimi i Parave në kontekstin e Amnistisë Fiskale”, organizuar të martën nga “Open Data Albania”, ambasadori komentoi edhe takimin konsultativ të organizuar disa ditë më parë nga Kryeministri mbi projektin e amnistimit të të ardhurave deri në 2 milionë dollarë, duke vënë në dukje se rëndësi ka si do të bëhet kjo amnisti, mënyra e organizimit, përjashtimet, kushtet që do të kërkohen për tu përmbushur etj.
“Ne morëm pjesë të premten e kaluar në takimin e organizuar nga Kryeministri dhe ajo çfarë kuptuam ishte pak a shumë kjo: ‘amnistia nuk është një gjë e veçantë, e kanë bërë vendet e BE-së, e kanë bërë vende të tjera të botës’. Është e vërtetë, ndaj edhe nuk ka lidhje aq shumë me faktin nëse ju lejohet apo jo ta bëni amnistinë, por si do ta bëni. Cilat janë modalitetet, mënyra e organizimit, cilat janë përjashtimet, cilat janë kushtet, çfarë do lihet, çfarë do hiqet”.
Ndërsa konsideroi thelbësore vijimin e procesit të konsultimit, ambasadori i Reinout Vos përcolli mesazhet e Bashkimit Evropian, duke kërkuar nga qeveria që të jetë në sinkron me grupin e ekspertëve të Këshillit të Evropës për pastrimin e parave.
“Flisni me Moneyval, grupin e ekspertëve të Këshillit të Evropës për pastrimin e parave, sepse është e rëndësishme që të jeni në të njëjtën faqe me ta. Mesazhi i dytë, Sigurohuni që Autoritetet Tatimore, Ministria e Financave dhe BE-ja të jenë të kënaqura me ligjin. Kombinimi i amnistisë fiskale dhe i amnistisë penale është ca si tepër. Ai tha se është gjë e mirë që procesi i konsultimit është në vazhdim. “BE-ja do të ndërhyjë me ekspertët e saj për të biseduar me qeverinë dhe shoqërinë civile, kështu që këto seri nëse diskutimet do të vazhdojnë. BE-ja do të ndërhyjë me ekspertët e saj për të komunikuar me qeverinë dhe shoqërinë civile, kështu që presim që këto seri diskutimesh të vazhdojnë”, tha ambasadori.