MENU
klinika

Analiza

Tani Britania duhet të rregullojë marrëdhëniet me Evropën

08.07.2022 - 16:30

Marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së kanë shumë nevojë për një “ndryshim”.

Lufta në Ukrainë ka krijuar një kontekst gjeopolitik në të cilin një ndryshim i tillë është më i nevojshëm se kurrë për Evropën, ndërkohë që dorëheqja e kryeministrit britanik Boris Johnson ofron një mundësi politike të brendshme.

Meqenëse qeveria e Johnson shkeli ligjin ndërkombëtar mbi protokollin e Irlandës së Veriut, ishte pothuajse e pamundur të imagjinohej rivendosja e besimit midis BE-së dhe Downing Street.

Ashtu si shumica e britanikëve, shumica e evropianëve e kishin ndarë mendjen.

Fatkeqësisht, fjalimi i udhëheqësit laburist Sir Keir Starmer në Qendrën për Reformën Evropiane në fillim të kësaj jave nuk ofroi vizionin alternativ të guximshëm për partneritetin nqë ne kërkojmë. I fokusuar qartazi në rikthimin e votuesve të Laburistëve të cilët shkuan te konservatorët në zgjedhjet e 2019-ës, mesazhi i tij ishte “Bëjeni Brexit të funksionojë”.

Kjo pothuajse nënkupton se problemi i vetëm me Brexit është se qeveria e Johnson nuk e ka bërë atë të funksionojë.

Pasi deklaroi se laburistët nuk duan që Britania e Madhe të bashkohet me BE-në, tregun e vetëm apo bashkimin doganor, ai bëri një sërë sugjerimesh modeste, duke filluar me zgjidhjen e problemeve rreth protokollit të Irlandës së Veriut me negociata konstruktive.

Fjalimi i tij i drejtohej tërësisht publikut britanik. Nuk kishte pothuajse asgjë për një audiencë evropiane kontinentale.

Në anën tjetër të Kanalit, askush nuk flet më për Brexit. Siç kuptova në udhëtimet e fundit në Gjermani, Belgjikë dhe Francë, ka vetëm acarim.

Një propozim i ri i rëndësishëm ka ardhur nga presidenti francez Emmanuel Macron. Ai sugjeron një Komunitet më të gjerë Politik Evropian, në të cilin vendet kandidate për në BE dhe ato që do të jenë kandidate si Ukraina, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të ulen së bashku me vendet evropiane jo anëtare të BE-së si Norvegjia, Zvicra dhe Britania.

Nëse ky Komunitet i ri do të krijohet, qeveria britanike do të ishte e mençur të merrte pjesë në të, por ky nuk do të jetë çelësi strategjik për përmirësimin e marrëdhënieve.

Pra, çfarë duhet? Një hap i parë thelbësor do të ishte që partia Konservatore të shpëtonte nga Johnson. Kryeministri i ardhshëm duhet të kujtojë disa këshilla të mençura nga një prej arkitektëve të integrimit evropian, Jean Monnet: nëse keni një problem që nuk mund ta zgjidhni, ndryshoni kontekstin. Avancimi i një axhende më të gjerë për rivendosjen e marrëdhënieve do ta bëjë më të lehtë gjetjen e kompromisit për çështje specifike të trashëgimisë së Brexit.

Por ka disa aspekte të tjera të rëndësishme që duhet të shikojë me kujdes pasardhësi i Johnson: bashkëpunimi sistematik me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë, mbrojtjen, inteligjencën, mjedisin, energjinë, politikën dixhitale, AI, fintech dhe bioteknologji. Britania ka shumë për të ofruar në këto fusha.

Kërcënimet nga Rusia e Vladimir Putinit, ndryshimi i klimës dhe ndoshta një tjetër virus që kërcënon kontinentin e bëjnë jetike për Evropën që ta maksimizojë atë forcë.

Politika e dekadës së kaluar, përfshirë ato që çuan në votën për Brexit, na kujtojnë se një narrativë bindëse është po aq e rëndësishme sa ajo që teknokratët e quajnë realitet. Në fakt, një rrëfim i mirë ndihmon në krijimin e një realiteti politik. Largimi i Johnson ofron një mundësi për të krijuar një të ri.

Kjo nuk ka të bëjë më me Brexit. As nuk ka të bëjë me ribashkimin në BE.

Pra, ky duhet të kornizohet si një partneritet i ri midis MB-së dhe BE-së. Ju nuk mund të keni një partneritet nëse nuk e respektoni tjetrin si partner, e lëre më nëse mezi e pranoni ekzistencën e tyre.

Megjithatë, logjikisht, është plotësisht e mundur të gëzohet respekt për një BE pa Mbretërinë e Bashkuar.

Me pak fjalë, ka një histori të mirë për tu treguar në lidhje me një partneritet të ri të mundshëm. Ne kemi nevojë vetëm për dikë që të fillojë ta tregojë atë.

Shkrimtari është profesor i Studimeve Evropiane në universitetin e Oksfordit dhe një anëtar në Institutin Hoover.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN